Thellohet denoncimi për kompaninë që propozoi shembjen e Teatrit
Thellohet më tej denoncimi i Partisë Demokratike për kompaninë Fusha sh.p.k që ka propozuar shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen në atë zonë të 6 kullave. Deputeti Ervin Salianji tha sot se kompania Fusha është subjekt i ligjit antimafia dhe subjekt që mund të pastrojë paratë e pista të drogës dhe trafiqeve.
Sipas tij, Shkëlqim Fusha, pronari i Fusha shpk dhe mik personal i Edi Ramës, është djali i xhaxhait të një trafikanti ndërkombëtar droge, Sulejman Fushës, i rikapur disa muaj më parë në Alikante të Spanjës për 75 kg heroinë, por ky fakt u mbajt i fshehur nga ministria e Fatmir Xhafës.
"Partia Demokratike nuk do të bëntë kurrë përgjegjës dikë për veprimet antiligjore të një të afërmi të tij, por lidhjet e Fusha shpk me djalin e xhaxhait trafikant ndërkombëtar droge prej më shumë se 20 vjetësh, kanë një hallkë të fortë- ish kryeprokurorin e Tiranës Petrit Fusha. Petrit Fusha, që deri dje drejtonte Prokurorinë e Tiranës, është vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës, menaxhon një resort të njohur në periferi të Tiranës dhe mbyll dosjet penale për Erion Veliajn dhe qeverinë e Edi Ramës. Kryeprokurori Fusha, vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës, mbylli dosjen e Ardit Gjoklaj, ku Bashkia kishte përgjegjësi penale. Pas kësaj, Edi Rama dhe Erion Veliaj i dhanë Çim Fushës ndërtimin e sheshit Skënderbej dhe parkingut privat atje"- thuhet në deklaratën e Salianjit.
Sipas selisë blu, çdo prokurori në një vend demokratik do të niste menjëherë hetimin duke zbatuar ligjin Antimafia për kompaninë Fusha. Por prokuroria private e Edi Ramës nuk ka për të hetuar kompaninë që do të pastrojë paratë e pista të kryeministrit.
PD thotë se Petrit Fusha ka mbyllur shumë dosje të tjera qeveritare të ministrave më të korruptuar të Edi Ramës, Ilir Beqjes dhe Damian Gjiknurit. Nga ministria e Gjiknurit kompania Fusha ka marrë vetëm këtë vit dy punë të mëdha: konçesionin e Kalivaçit dhe Bulevardin e Vlorës.
Add new comment