Italia zhytet në kaos politik
Italia zhytet në kaos politik pas refuzimit nga presidenti Matarela për të dekretuar emrin e propozuar për ministër Financash. Pas këtyre zhvillimeve presidenti thirri në pallatin presidencial, Carlo Kotarelin, një ish-zyrtar i rangut të lartë të FMN.
Kjo lëvizje shihet si një manovër për t'ia besuar atij formimin e një qeverie teknokratësh, në një kohë kur situata politike në Itali është veçanërisht e brishtë.
64-vjeçari Kotareli, i cili ka punuar në FMN nga viti 2008 deri në vitin 2013, njihet si "kursimtari" për shkak të shkurtimeve që ai ka bërë në shpenzimet publike në Itali. Presidenti Matarela, në një fjalim televiziv drejtuar popullit të dielën, këmbënguli se qëndrimi i Italisë në zonën e euro është një çështje themelore për vendin.
Ai tha se bëri gjithçka që mundej për të lehtësuar formimin e një qeverie dhe se askush nuk mund ta akuzojnë se bllokoi procesin. Nga ana tjetër, Luigi Di Maio i "Pesë Yjeve" e quajti të papranueshëm refuzimin e Matarelës për ministrin e ri të Financave.
"Cili është kuptimi i votimeve nëse për qeverinë vendosin agjencitë e vlerësimit? Ky është një konflikt i paprecedent institucional. Dhe çështja është se nëse ri-votojmë, marrim 80% dhe nëse ne propozojmë përsëri Savonën, ata do të na thonë përsëri jo. Italia ka një problem të madh, Republika jonë nuk është e lirë, "tha kreu i Pesë Yjeve, në një mesazh në internet.
Add new comment