Gjykata e Tiranës: Hetime selektive nga Prokuroria për vdekjen e Ardit Gjoklajt
Prokuroria e Tiranës akuzohet se nuk ka bërë hetime të thellura për të zbardhur vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, duke mbyllur dosjen për përgjegjësitë e Bashkisë së Tiranës.
“Faktet duhet të kishin shkundur policinë dhe prokurorinë për të kryer hetime të thella dhe të specializuara me të gjitha metodat dhe format e lejuara ligjore” shprehet trupa gjykuese në vendimin e zbardhur.
Edmond Kallari dhe Dëfrim Hakrama, të cilët punonin respektivisht si përgjegjës turni dhe fadromist për kompaninë e riciklimit 3R ishin dy të akuzuarit e vetëm për vdekjen 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në Sharrë – një kantier që ishte promovuar si i sigurtë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Trupa gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Gerd Hoxha, me anëtarë Petrit Çomo dhe Arben Micka e ka akuzuar Prokurorinë e Tiranës për hetime të paplota dhe selektive, duke theksuar se hetuesit nuk kanë arritur as të zbardhin saktësisht dinamikën e ngjarjes.
“Ne po hetojmë përgjegjësitë që kompania kishte në zbatimin e kushteve të sigurisë teknike për punonjësit e saj në landfillin e Sharrës. Shpresojmë që shumë shpejt çështjen do ta çojmë në gjykatë” tha për BIRN prokurori i çështjes, Julian Zonja.
“Bashkia e Tiranës kishte një kontratë që i kalonte përgjegjësitë kompanisë “3R”, kështu që deri më tani nuk na kanë dalë prova për implikimin e bashkisë”-shton Prokurori, duke mos dhënë shpjegime nëse është hetuar mënyra sesi janë kaluar këto përgjegjësi nga Bashkia te Kompania që kishte si administrator kryetarin e Partisë Socialiste të Peqinit.
Edmond Kallari u gjet fajtor për drejtimin e një fadrome pa ‘leje drejtimi’ dhe u dënua me 2 vjet heqje lirie; por për shkak se masa e dënimit kishte filluar një ditë pas aksidentit në landfillin e Sharrës, gjykata urdhëroi limirin e menjëhershëm për të dy të pandehurit.
Add new comment