Kirilli i Moskës mbërrin në Shqipëri

Patriarku i Moskës dhe Rusië, Kirilli ka mbërritur në Shqipëri, në një vizitë që konsiderohet historike. Ai shoqërohet nga kori sinodal i Moskës i cili do të japë shfaqje në Tiranë dhe në Berat. Në Katedralen Orthodhokse, "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë është zhvilluar mesha e posaçme për këtë rast.
Më poshtë fjala e tij pas meshës:
Fortlumturia Juaj,
vëllezër fort të dashur kryepiftërinj,
etër fort të nderuar,
të dashur vëllezër dhe motra!Krishti u ngjall!
Dëshiroj të falënderoj Fortlumturinë Tuaj dhe Sinodin e Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për fjalët e mira përshëndetëse dhe për ftesën e përzemërt për të vizituar tokën shqiptare.
Këtu, në vendin tuaj me trashëgiminë e tij të lashtë të krishterë, i cili zë fill nga veprimtaria e Apostullit të Shenjtë Pavli, në vendin ku martiri i shenjtë, episkopi i Durrësit Asti, martiri i shenjtë Joani i Konicës dhe shumë besnikë të tjerë të Perëndisë kryen veprat e tyre heroike, në vendin ku ka bërë përpjekjet e tij misionari i shquar orthodhoks Shën Kozmai i Etolisë, atmosfera e së kremtes së ndritshme të Ngjalljes së Zotit, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krishtit përjetohet me një thellësi të veçantë. Edhe kjo Katedrale madhështore, ky simbol i dukshëm i ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është shenjtëruar si Katedralja e Ngjalljes së Krishtit.
Triumfit të Ngjalljes i parapriu Golgota. Gjatë shekullit XX, të dyja Kishat tona kanë përjetuar një pervojë të vështirë të vuajtjeve në bashkim me vuajtjet e Krishtit: janë shkatërruar kisha, janë marrë nëpër këmbë vende të shenjta, ndërkohë që shumë klerikë, murgj dhe laikë pësuan vuajtje dhe një vdekje prej martiri për emrin e Zotit tonë Jisu Krishtit. Në këtë mënyrë armiku i shpëtimit tonë synonte të mbillte vdekje shpirtërore në popujt e udhëhequr nga Kishat tona, por, në kundërshtim me qëllimet e përndjekësve, ndodhi ringjallja e fesë, rikthimi në jetë, pasi gjaku i martirëve është fara e krishtërimit.
Zoti na dërgoi mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij (Psalmi 56:4), dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e asgjësuar pothuajse plotësisht në të kaluarën, sot u ringrit me një lavditë re, duke u konsoliduar falë veprës vetëmohuesetë Primatit të saj, të Fortlumturisë së Tij Anastas.
Kam mbërritur këtu me emocione të ndritshme. Unë e vlerësoj këtë mundësi të bashkëndaj me Ju gëzimin e Pashkës së Shenjtë, të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit të përbashkët (Rom. 1:12) dhe të përulem para vendeve të shenjta të tokës shqiptare. Shpresoj se me ndihmën e Zotit vizita ime paqësore të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kishave tona Orthodhokse Lokale vëllazërore.
Add new comment