A janë transparente raportet e Bankës së Shqipërisë?
Viti 2018 duket se ka nisur me shumë punë për Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit. Në faqen online të këtij komisioneri, e cila në katër ditë të javës nga shtatë të tilla është jofunksionale, janë publikuar 17 vendime marrë për ankesa të ndryshme ndaj institucioneve publike. Mes tyre figurojnë Ministria e Energjetikës, Bashkia Tiranë, Avokatura e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, DSIK etj..
Një prej institucioneve ndaj të cilit është bërë ankesë dhe është fituar e drejta e marrjes së informacionit të kërkuar është edhe Banka e Shqipërisë. Ky institucion ka refuzuar të vendosë në dispozicion të dhëna për një raport të vitit 2015 titulluar: “Investimet e huaja direkte: përshkrim metodologjik dhe informacion statistikor për vitin 2015”.
Në kërkesën e vet, ankuesi ka kërkuar zbardhjen nga Banka e Shqipërisë të kompanive të cilat kanë shërbyer si bazë për hartimin e raportit. Bëhet fjalë për investime të huaja direkte, për veprimtari pra që rregullohen me ligj dhe pasojat e të cilave trumbetohen si suksese në ekonomi. Por kësaj kërkese, Banka që drejtohet nga Gent Sejko i është përgjigju me Jo duke iu referuar konfidencialitetit. Banka madje është mbrojtur me faktin se të dhënat që përdor i merr nga INSTAT të kriptuara dhe me të drejtë përdorimi nga një përdorues, argument që siç njofton Komisioneri e ka përsëritur edhe në seancën dëgjimore zhvilluar mes palëve.
Në fund, Komisioneri ka detyruar Bankën të bëjë publike emrat e kompanive që janë përdorur për raportin në fjalë, duke cilësuar se interesi publik i kërkesës prevalon mbi konfidencialitetin e pretenduar. Arsyetimi i bërë nga Komisioneri zbulon edhe manovrat juridike pas të cilave fshihen institucionet kur vihen përballë kërkesës për informacion. Kështu Banka e posedonte materialin në fjalë çka u evidentua nga administrimi i dokumentacionit.
Bankës së Shqipërisë nuk i kërkohet që të bëjë publik informacionin e dhënë nga INSTAT. Në këtë rast kërkohet i njëjti informacion statistikor i bërë publik nga vetë Banka e Shqipërisë, por në një mënyrë të ndryshme
vlerëson Komisioneri.
Vendimi ka rëndësi pse zbulon praktikën e një institucioni si Banka e Shqipërisë që është mbajtur përherë larg vëmendjes. Një institucion që gjeneron raporte dhe statistika, që nuk analizohen e mbahen të kyçura në kuptimin e tyre dhe vlerën reale pas shifrave dhe fjalive teknike, por që mjafton një kërkesë si kjo e mësipërmja për t’ua grisur dukjen e shtirur të një serioziteti që nuk ekziston.
Add new comment