Shokët e Mirela Kumbaros në Turqi/Beton në sitin e famshëm të Göbekli Tepe
Gazeta turke “Hurriyet” raporton për dëmtime në sitin e njohur të Gobekli Tepe, i konsideruar tempulli më i vjetër në botë.
Sipas gazetës në fjalë, ndërhyrjet në këtë zonë po bëhen në mënyrë të pakujdesshme dhe aty op konstatohet një process betonizimi.
“Nuk mund ta përshkruaj me fjalë trishtimin tim”, citohet arkeologia Çiğdem Köksal Schmidt që ka vizituar sitin këtë muaj.
Sipas saj çatitë mbrojtëse me dru, janë zhvendosur me argumentin se do të rivendosen më vonë.
“Tani ata po ndërtojnë një rrugë betoni”, shton ajo.
Ndërhyrjet e bëra bashkë me çatinë mbrojtëse dhe rrugën, synonin përfshirjen e sitit në listën e përhershme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. në këtë kuadër, autoritetet turke kanë menduar të hedhin beton, diçka e papranueshme dhe e dëmshme.
“Për aq sa shoh në foto, ata kanë përdorur beton. Nuk duhet të përdornin një material të tillë aty, apo duhet të përdornin sa më pak të ishte e mundur. Aty ka tashmë një çati shumë të madhe në mes të sitit. Nuk duhen përdorur materiale të tilla në site të këtilla”, citohet profesori i Asociuar, Necmi Karul që është edhe anëtar i Bordit Shkencor të Göbeklitepe.
"Shkatërrimtare", e ka quajtur arkeolgu, Nezih Başgelen, sipas të cilit kjo lloj ndërhyrjeje është shumë shqetësuese.
Siti në fjalë u zbulua fillimisht në vitin 1963 nga një ekspeditë e drejtuar nga universiteti i Stambollit dhe ai i Çikagos. Do të ishte Klaus Schmidt që të zbulonte kolonat në formë T në vitin 1994, duke e shenjuar sitin si një ndër zbulimet më të mëdha arkeologjike. Gobekli Tepe konsiderohet si megaliti më I vjetër në botë, me 200 kolona të organizuara në formën e 20 rrathëve. Aktualisht është gërmuar vetëm 5% e të gjithë sipërfaqes, ndërkohë që ka debate të vazhdueshme mbi interpretimin që i duhet bërë sitit. Në kolonat e zbuluar ka gdhendje kafshësh të ndryshme dhe Schmidt mendon se kemi të bëjmë me një sanktuar që mblidhte njerëz nga rajoni përreth.
Ka arkeologë që mendojnë se Gobekli Tepe përfaqëson një pikë ndryshimi në interpretimin kronologjik të prehistorisë, pasi ai daton në një kohë para shoqërisë bujqësore dhe mendohet se është ndërtuar nga gjahtarë. Çka përbën një thyerje në renditjen klasike që lidh shoqëritë bujqësore si themeluese të jetës urbane.
“Në fillim ishte tempulli, pastaj qyteti”, citohet Schmidt, çka do të thotë se Gobekli Tepe mund të ketë ndikuar në urbanizimin e jetës si model ndërtimi dhe grumbullimi njerëzish. Siti ndodhet afër rajonit të Karaca Dag, ku mendohet se origjinon kultivimi i drithit.
Add new comment