Churchill-i më njerëzor i Gary Oldman
Gary Oldman ka fituar këtë vit Oscar-in si aktori më i mirë në rolin kryesor të filmit “Darkest Hour” – “Momenti më i vështirë” me regji të Joe Wright dhe skenar të Anthony McCarten.
Filmi vlen të shikohet dhe loja e Oldman është me të vërtetë e arrirë, edhe pse imazhi i Churchill – është kaq i njohur sa kushdo do të kërkojë dallime fizike evidente. Larg portretizimit si njeri i hekurt dhe i skicuar në imagjinatë pas fjalimeve të zjarrta të politikës së luftës, na përcillet një Uniston Chuchill më njerëzor, i butë dhe që këshillohet nga bashkëshortja, apo edhe që qan jo rrallë.
I vendosur në bindjen e tij kundër Hitlerit dhe për idenë e luftës, por jo pa frikën dhe pasigurinë e atyre orëve të para të një krize që detyroi largimin e kryeministrit Neville Chamberlain, njeriu që bashkë me Lordin Halifaks vendosnin nëse qeveria do të qëndronte apo jo.
Filmi përqendrohet në ditët e vështira të Dunkirk-ut, pasi “Europa ra” siç thoshte promotori kryesor i idesë së negociatave me HItlerin, Halifaks. Ditë kur edhe mbretit George VI i sugjerohej largimi në Kanada dhe kur presioni për paqe në Kabinetin e Luftës e dërrmoi psikologjikisht kryeministrin britanik.
Shumë i ngushtë sa për të rrëfyer një jetë aq komplekse dhe me shumë ngjarje si ajo e Churchill, filmi nuk të mban pezull, por përmes një filli humori që shoqëron dramën e luftës, e nxjerr më njerëzor figurën e Churchil. Oldman është vlerësuar shumë për rolin edhe nga kritika dhe në fakt përveç grimimit dhe ecjes apo qëndrimit edhe idiosinkrazia e tij i afrohet asaj që dëgjojmë në fjalimet origjinale të ish-kryeministrit.
Add new comment