Paqja me Greqinë, Bushati mohon presionin e integrimit

Postuar në 29 Janar, 2018 12:35

“Nuk jemi ulur në tryezën e bisedimeve nën presionin e integrimit europian. Por jemi ulur në mënyrë gjakftohtë duke analizuar një nga një gabimet trashanike që janë bërë në të kaluarën”.

Kështu deklaroi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i thirrur në seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm për të informuar mbi bisedimet me Greqinë. Pa dhënë shumë detaje, ministri tha se sa i takon çështjes së kufirit detar, Tirana do t’i qëndrojë ekspertizës së Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk ka njeri që të mendojë se marravëeshja e 2009 është e mirë, i vemti që e mbron është Sali Berisha. Unë nuk e vë dot gishtin te burrat dhe gratë e Gjykatës Kushtetuese për t’i quajtur të korruptuar apo të shitur tek turqit. Gjykata Kushtetuese ka ngritur pikëpyetje të karakterit substancial dhe shqetësime të karakterit substancial. Edhe për këtë arsye unë kam biseduar me presidentin, e kam informuar para takimit për hapat që duhet të merren në lidhje me Greqinë. Do t’i përmbahemi me përpikëmëri këtij perimetri”-theksoi Bushati.

Ministri Bushati tha se procesi i bisedimeve do të ndërtohet mbi disa parime themelore që imponon e drejta ndërkombëtare dhe mbi nevojën për të gjetur një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për palët.

“Shqipëria e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e saj. E para ne shprehim angazhimin tonë të qartë për mosndryshueshmërinë e kufijve, pra jo vetëm Shqipëria nuk ka asnjë pretendim terrotorial, por dënojmë çdo pretendim që mund të vijë nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare”- shtoi më tej ministri.

Lidhur me çështjen çame, Greqia duket se nuk ka lëshuar pe, pasi Bushati i qëndroi pikëpamjes se përgjegjësitë janë individuale dhe se çdo pretendim pronësie duhet të zgjidhet në përputhje me legjislacionin grek.

“Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut që mban parasysh përgjegjësinë individuale dhe jo kolektive që i krijon liri dhe akses lëvizje çdo shtetasi që ka origjinë çame. Krijon mundësi për të gëzuar pronat në përputhje me legjislacionin në fjalë”-theksoi Bushati.

Ai shtoi se me Greqinë është arritur edhe një marrëveshje për piramidat dhe incidentiet në kufi.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.