Visar Ymeri jep dorëheqjen si kryetar i Vetëvendosjes
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet e tij në parti. Arsye për këtë vendim mësohet të jenë mospajtimet me “metodat e eliminimeve politike”.
Në konferencën për shtyp ai la të kuptohet se pas këtyre fushatave qëndron Albin Kurti.
"Për 11 vjet rresht jemi munduar që bashkërisht të ndërtojmë një organizatë politike që është krejtësisht e ndryshme me të tjerat. Në thelb i kemi pasur tri shtylla: Besnikëria ndaj konceptit tonë politik, besimi i ndërsjellë mes aktivistëve si dhe vetëmohimi apo heqja dorë nga fokusi te uni e në funksion të së mirës kolektive brenda organizatës sonë. Kësisoj, kemi arritur këtu ku jemi, të shihemi si të pakourrptueshëm, të sinqertë e të besueshëm. Fatkeqësisht, ky vit i fundit ka filluar t’i rrënojë këto themele. Jemi përballur me një fushatë sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që kanë shpërndarë një propagandë të tillë vazhdimisht janë thirrur në emrin e Albin Kurtit. Disa herë jemi marrë vesh që këto gjëra të ndalohen por kjo nuk ka ndodhur as sot”, ka thënë ai
Ai tha se kohës së fundit është shpërfillur plotësisht si kryetar i Vetëvendosjes në vendimet e organeve të Lëvizjes që, sipas tij, nuk janë përkrahur nga një pjesë e aktivistëve, dhe si rrjedhojë ka marrë vendimin për dorëheqje.
“Shpresoj që kjo dorëheqje imja do të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën kemi ardhur, dhe do të kuptohet drejt nga të gjithë, e veçanërisht nga ata që kanë qenë të përfshirë në këtë fushatë të linçimeve e përdhosjes ndaj njerëzve të caktuar, që të heqin dorë nga kjo metodë që t’i thërrasin mendjes e të mos e shkatërrojnë një organizim të tërë për teke personale”, tha Ymeri në fund, ndërsa i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin.
Add new comment