Ndryshim kursi, Zaev: Duam aleancë me Bullgarinë dhe normalizim me Greqinë
Zoran Zaev synon të ndryshojë kursin e politikës së jashtme maqedonase duke kërkuar miqësi dhe aleancë me Bullgarinë dhe të zgjidhë çështjet e hapura me Greqinë, dy shtete me të cilët Shkupi zyrtar ka patur jo pak probleme deri më tani.
Ai ka apeluar gjatë një interviste për televizionin kombëtar bullgar, BTV, që Maqedonia dhe Bullgaria të bëhen aleatë.
“Maqedonia ka fituar me Traktatin e fqinjësisë me Bullgarinë dhe nuk ka humbur asgjë, ne flasim në një gjuhë që e kuptojmë dhe vetëm së bashku mund të ndihmojmë njëri – tjetrin dhe të ecim përpara”, tha ai. Kryeministri maqedonas ka shtuar se janë pastruar tekstet e historisë në shkolla. Po kështu Zaev ka bërë thirrje që të ecet përpara edhe me Korridorin 8, përmes Shkupit dhe Sofjes, që do të krijojë lidhje ekonomike mes vendeve.
Është ndoshta ky pozicionim i Shkupit zyrtar që shpjegon heshtjen e mbajtur nga pala maqedonase për ligjin e ri për pakicat në Shqipëri ku u përfshi edhe njohja e pakicës bullgare. Ky është efekti afatshkurtër, pasi në planin afatgjatë, politika e afrimit me Bullgarinë mund të ndikojë edhe në skenën elektorale maqedonase, e cila në dekadën e fundit ka qenë e varur në një masë të madhe nga faktori shqiptar me të cilin ka ndërvepruar në pushtet.
Po kështu Zaev ka shprehur gatishmërinë për zgjidhjen e emrit që mban të tensionuara marrëdhëniet me Greqinë.
“Jam një politikan që do të zgjidhë problemin me Greqinë për emrin. Ndoshta të dyja palët do të duhet të bëjnë kompromise”, tha ai.
http://mia.mk/Mobile/en/Home/RenderSingleNews/289?newsID=133971225
Add new comment