Një vend ku edhe gjyqtarët kërkojnë mbrojtje jashtë sistemit
Sot paradite u përcoll lajmi i vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasëmi. Përtej kronikës së ngjarjes tërheq vëmendjen një fakt i publikuar nga Balkanweb që zbardh një letër të gjyqtares drejtuar ambasadorit amerikan Donald Lu një vit më parë. Hafizi e nis letrën me shqetësimin e “përbashkët për shumë femra", që janë sipas saj viktima të dhunës në familje dhe më tej, viktima edhe të sistemit të drejtësisë. Hafizi ishte pjesë e këtij sistemi, por mesa duket nuk dihej e mbrojtur as aty, derisa i shkruan ambasadorit amerikan, “se nuk kam kujt t’i drejtohem”.
Letra në vetvete është një rast i paprecedentë në mes të një debati dy vjeçar që ka kryqëzuar gjykatësit dhe prokurorët. Frika e gjykatëses në fjalë dhe letra e saj, pavarësisht motiveve dhe synimeve, është një mesazh negativ për të gjithë qytetarët që kanë një rast të shohin se në çfarë vendi jetojmë, se deri ku arrin pasiguria dhe se çfarë atributesh kanë marrë ambasadorët e huaj. Mbetet për t’u parë sesi do të ndodhë mrekullia e drejtësisë së re, pas reformës, në këto kushte kur një gjykatës nuk i bën dot hall një problemi familjar.
Add new comment