Opozitë që mbahet pas pushtetit
Qëndrimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, përmes një procedure që legjitimoi formalisht vazhdimësinë e tij si kryetar i opozitës dhe konfirmimin si palë në marrëveshjen e 18 Majit, duket se ka një konsensus që përmbush interesa të vogla politike, të cilat përputhen me pushtetin ndonëse shfaqen si përfaqësues të zërit opozitar. Është Fatmir Mediu, deputet i dalë nga listat e PD-së në zgjedhjet e 25 Qershorit që e sheh si të natyrshëm një bashkëpunim me kryeministrin Rama për çështje që sipas tij kanë të bëjnë me interesat e vendit.
“Politika njeh si të domosdoshëm bashkëpunimin për interesat kombëtarë dhe kjo duhet të ndodhë. Për sa i përket zbatimit të marrëveshjes mendoj se dy reformat e rëndësishme, ajo Kushtetuese dhe zgjedhore janë të domosdoshme.Të dyja kërkojnë një gjykim politik dhe teknik, njëherë brenda opozitës përpara se të nisë procesi me mazhorancën. Kjo është një punë urgjente”-shprehet Mediu në një intervistë për MAPO.
Sa për opozitën e vërtetë Mediu mendon se atje ka vend për të gjithë, të majtë e të djathtë, dallim që u takon elitave, të cilat e njohin si opozitën ashtu dhe pushtetin.
“Ne do jemi në opozitë, po ashtu dhe LSI, dallimi do jetë dhe duhet të jetë i qartë. Ne të djathtë, ata të majtë. Po ashtu nëse reforma të rëndësishme kërkojnë bashkëpunim me mazhorancën si ajo kushtetuese dhe zgjedhore, bashkëpunimi me çdo deputet apo forcë politike opozitare në raste të caktuara do të jetë më se i natyrshëm.Nuk mendoj se ka nevojë për front opozitar, por për forcë opozitare dhe qytetare”- deklaroi kryetari i Partisë Republikane.
Add new comment