Pezull rinovimi i traktatit të miqësisë Shqipëri-Greqi
Ministria e jashtme përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, duke e cilësuar si një hap të duhur e të nevojshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi. Ministri Ditmir Bushati shkruan në reagimin e tij se “kjo marrvëeshje bazohet edhe në kontributin e vazhdueshëm të popullit shqiptarë në Maqedoni por edhe faktorit politik shqiptarë atje” duke uruar të dy qeveritë për modelin e bashkëpunimit dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon.
Një marrëveshje të ngjashme synojnë të nënshkruajnë edhe Shqipëria e Greqia, dy vende fqinj dhe partnerë strategjikë që kanë shprehur vullnetin për të rinovuar traktatin e miqësisë të firmosur në mars të vitit ’96, por ende ky vullnet nuk po konkretizohet.
Avancimi i një axhende të partneritetit strategjik dhe fqinjësisë së mirë mes dy vendeve mbetet pezull ndonëse Greqia është rikonfirmuar si investitori i parë i huaj në vend dhe një nga partnerët kryesorë të shkëmbimeve tregtare, përveç raporteve që lidhen me emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri. Respublica kërkoi një koment nga Ministria e Jashtme për ecurinë e procesit, por nuk mori një përgjigje.
Vitin e kaluar dy ministrat e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias ranë dakord për ngritjen e një mekanizmi që do të orientohej nga vullneti për zgjidhjen e problemeve dhe rinovimin e traktatit të miqësisë bazuar në një kuadër të ri ligjor.
Duke iu referuar takimit CNN raportonte se marrëveshja e detit dhe shelfi kontinental ishin pikat e nxehta për të cilat Greqia dëshiron zgjidhjen e tyre sipas ligjit ndërkombëtar. "Siç e dini, ne kemi nga vitet '90 një pakt miqësie, të cilin ne duam të ripërtërijmë, për të përmirësuar atë" deklaronte nje vit më parë ministrin i Jashtëm, Nikos Kotzias.
Që prej atij takimi të marsit të shkuar me Kotzias dhe Bushatit shumë gjëra duket të mos kenë lëvizur, madje pozicionet e palëve duken edhe më të larguara pas prishjeve të ndërtimeve në Himarë dhe kontestimit të fortë nga qeveria greke.
Tirana është në kushtet kur duhet të ketë sa më shumë mbështetës të proceseve integruese dhe veçantërisht të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Të dyja palët kanë shprehur vullnetin për të gjetur një zgjidhje, çka do t’i shkonte për shtat edhe frymës së pajtimit në rajon. Përshëndetja që Brukseli dhe Berlini i bëri paktit bullgaro-maqedonas ishte një sinjal edhe për vendet e tjera të Ballkanit të njdjekin një axhendë të ngjashme, por që në rastin shqiptare-grek duket ende larg.
Add new comment