Turizëm apo zhvatje? Largimi i turistëve kosovarë drejt Malit të Zi
Ky vit shënon një pikë kthese në raportimin mbi turizmin. Ajo që përflitej prej kohësh mes njerëzve, pra diferencimi që subjektet në Shqipëri aplikojnë ndaj kategorive të ndryshme turistësh, ka dalë në sipërfaqe hapur. Pak ditë më parë ishte Deutsche Welle që shkruante për një sjellje jo të mirë ndaj turistëve kosovarë në Shqipëri, ndaj të cilëve aplikohen çmime të diferencuara. Pati kundër reagime, por fakti është se me kosovarët është luajtur keq këto vite duke abuzuar. Dhe abuzimi ka një kosto të merituar.
Mediat mund të ndihmojnë ose të ndikojnë dhe në këtë rast po ndodh e dyta. Heshtja është thyer dhe tani po shkruhet hapur: në Shqipëri nuk ka turizëm, por zhvatje. Ja se çfarë shkruan gazeta “Koha Ditore” në një shkrim të sotshëm:
“Velipoja rrezikon të humbë pushuesit nga Kosova për shkak të abuzimit me çmimet. Shumë pushues, kryesisht nga Kosova, janë larguar nga Velipoja pasi kanë vërejtur se çmimet janë shtrenjtuar nga një vit më parë. Pushues nga plazhi i Velipojës tregojnë se një çadër me dy shezllone në qendër shkon deri në 8€, ndërsa 500-600 metra më në lindje shkon në 3-3.7€. Duke qenë se pushuesit nga Kosova synojnë gjithmonë qendrën e plazhit të Velipojës, është mbushur bregu plot me shezllone. Ndërkohë që pronarët që kanë marrë rërën me koncesion kur i afrohet një i huaj ia rrisin çmimin. Tutje, një banesë për 15 ditë varion nga 260- 335 euro, pushuesve nga Kosova një vlerë e tillë u merret vetëm për 10 ditë, por ka edhe nga ato që u marrin edhe 350-450€”.
Një realitet që njihet nga të gjithë edhe pse shumëkush mund të dalë e të thotë të kundërtën. Ikja e turistëve nga Kosova mund të ndodhë së shpejti për shkak të sjelljes jo etike dhe krejtësisht të papranueshme të subjekteve. Mirëpo një tjetër problem është pastërtia, plazhet në shumë zona mbeten të pista dhe askush nuk vë dorë. Kalimi i ushtrisë në detyrën e pastruesit shtetëror nuk zgjidh asgjë në këtë drejtim, pasi reformë pas reforme, diçka duhet të ishte bërë, ndërkohë që asgjë nuk ka lëvizur nga vendi. Dhe meqeneëse shteti nuk lëviz nga vendi me mekanizmat që ka, atëherë është tregu. Dhe ky është lajmi i mirë sidomos për Perlën e Ballkanit, që mundet të shpëtojë kështu nga viruset që po mbysin me budallallëkun e vet.
http://www.koha.net/arberi/35407/velipoja-po-e-humb-edhe-avantazhin-e-ve...
Add new comment