Samiti i Triestes përtej alibisë së europianizimit
Deklarata përmbyllëse e Samitit të Triestes është e mbushur me fjalë të mira dhe optimiste. Duke e marrë zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një konteskt teorik që i referohet përvojës frank-gjermane, Gjermania me aleatët e vet, ka menduar të eksperimentojë edhe këtu atë që provoi vetë. Siç e dimë modeli franko-gjerman i hapi rrugën Bashkimit Europian, padyshm një arritje jo e vogël, por i cili qysh në krizën e parë serioze, atë të vitit 2008, nxori në sipërfaqe diferencën e madhe mes Gjermanisë si dominuese dhe vendeve të tjera. Nga një pikëpamje, ndërhyrja ruse në Ukrainë, e ndihmoi solidaritetin europian, pasi po të kthehemi disa vite në kohë, do të shohim se opinionet e shumicës së ekspertëve por edhe njerëzve të financës përqendroheshin te rreziku i gjermanizimit të BE-së.
Sot kjo duket e largët falë imazhit të Merkel si “shpresa e liberalizmit perëndimor” qëkurse Donald Trump erdhi në pushtet në SHBA. Por analizat e bëra, kriza në Greqi, kriza ende nën kontroll në Itali dhe “fati” i Europës me zgjedhjen e Macron në Francë, shohin të këto zhvillime sa një kontribut për mbajtjen në këmbë të BE-së, aq edhe faktin se unioni është tashmë një levë e Gjermanisë. Nuk janë pa kuptim edhe kërkesat e herëpasershme të njerëzve të njohur si Piketty apo edhe Varoufakis që kërkojnë më shumë demokraci në Bruksel, një tjetër demokraci nga ajo që u vihet nëpër letra ambasadorësh vendeve aspirante.
Nëse e shohim përciptas projektin e Zonës Rajonale Ekonomike mund të vëmë në dukje nja dy gjëra.
Në planin politik, idenë e barazimit të saj me krijimin e një Jugosllavie të re e ka bërë presidenti aktual serb Vuçiç. Kjo terminologji i atribuohet atij nga mediat fqinje qysh para disa mujave. Madje në lajmin e parë për këtë është cilësuar se Vuçiç mendonte “bashkë me Shqipërinë”. Sot nuk u arrit një bashkim doganor, por ideja gjeti shprehjen e vet. Këto mund të jenë brroçkulla, por në politikë nuk mjafton mohimi i dikujt si garanci. Nuk do shumë thellësi për të kuptuar se Serbia është në dy vitet e fundit në qendër të vëmendjes së diplomacisë perëndimore në Ballkan, aq sa edhe për çështje të sigurisë, shpesh është pohuar nga zyrtarë të lartë të NATO-s, se “ne e respektojmë neutralitetin e Serbisë”.
Në bilancin tregëtar të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, Serbia qëndron në vend të parë me 0.59% të vëllimit total, ndjekur nga Bosnja dhe Maqedonia. Në këtë kuptim Serbia në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje – Hercegovina(e cila nuk e firmosi në Trieste Trakatin e Transportit) është më e favorizuara për shkak të burimeve dhe infrastrukturës që ka.
http://ec.europa.eu/trade/policy/countries-and-regions/regions/western-b...
Në deklaratën e Samitit presupozohet se “Zona Ekonomike Rajonale do të çlirojë potencialin shumë të madh të rajonit me 20 milionë banorë...dhe do të tërheqë një vëllim më të madh të investimeve të huaja direkte...”. Në fushën e investimeve Shqipëria nuk ka ndonjë arritje krahasuar me fqinjët, ndërkohë që edhe bilancet tregëtare nuk është se i ka pozitivë, ndonëse dy vitet e fundit siç raporton qeveria, eksportet janë rritur në përgjithësi.
http://www.b92.net/eng/insight/reports.php?yyyy=2017&mm=07&nav_id=101804
Të gjitha këto vlejnë si faktorë në analizën e përgjithshme e cila për rastin tonë nuk duhet të mos marrë në konsideratë përvojnë që ne kemi me Kosovën. Vetëm javën e fundit u raportua problemi me importin e patates nga Kosova dhe tarifimin e saj, për të cilën u bë zhurmë në media. Tarifa u hoq, por nuk dihet sa është bërë kjo mbi bazë të ndonjë llogarie, apo vetëm sa për të shuar zhurmën. Janë bërë mbledhje të përbashkëta me tapete kuqezi, por sërish tregëtia e Kosovës është e orientuar gjetkë nga ajo me Shqipërinë. Shumëkush priste se pavarësia do të sillte afrim ekonomik, e kundërta ka ndodhur.
Është e logjikshme të paramendohet se çdo bashkim i këtillë, çdo rajon do të krijojë pikat më të zhvilluara që mandej çojnë në diferencime. Jugosllavia e dikurshme e Titos vuante nga divergjenca tradicionale mes një Kroacie të zhvilluar dhe një Serbie që dominonte politikisht. Sot BE-ja ka të njëjtin problem që lidhet me historinë e saj, pa folur këtu se në shumë vende ka një frymë kundër monedhës së përbashkët. Serbia ka shanset që të kthehet në nyje të tregëtisë dhe investimeve në rajon, si pikë lidhëse me Europën Qendrore. Ndikimi ekonomik çon patjetër në ndikim politik dhe ne e kemi parë këtë në 25 vite të një ekonomie të varur kryesisht nga importet.
Kryeministri i Shqipërisë deklaroi sot se “Zona Rajonale Ekonomike është projekt europian”. Kjo theksohet edhe në deklaratën përmbyllëse që shton se këto zhvillime nuk duhen marrë si alternativë ndaj integrimit në BE. Mirëpo kjo nuk ka pse të përjashtojë lojërat gjeopolitike me samite të tillë qesharakë si ky i Triestes. Samitet kanë udhëtuar nga Berlini, në Vjenë, në Paris e tani në Trieste, ky i fundit një qytet me kuptim të shumëfishët historik: dikur pjesë e perandorisë austrohungareze, më vonë pikë kritike në raportet italo-jugosllave, në një gadishull ku ka sllavë dhe që konsiderohet ndër zonat më të pasura të Italisë së sotme. Në deklaratë shihet sesi për disa nisma që kanë të bëjnë me forume apo fondacione që do të mbikëqyrin disa procese për Ballkanin Perëndimor e për të cilat do të lëvrohen fonde, Italia ka përfituar që të kërkojë drejtimin dhe administrimin.
Në vitin 2018, Samiti i radhës do të mbahet në Britaninë e Madhe, që ka shprehur dëshirën për këtë gjë. Diçka e “çuditshme”, sa kohë që Britania nuk është më pjesë e BE-së, ndonëse edhe këto muaj, diplomatët e ambasadës britanike në Tiranë nuk mungojnë të dalin e të flasin për rëndësinë e integrimit. Këto janë vetëm ato që duken, njësoj siç duket mirë se Shqipëria nuk ka strukturat dhe nuk duket e gatshme – qoftë edhe po të mbajmë parasysh nivelin e ulët të tregut të punës – për të qenë konkurente në një zonë të tillë. Jo çdo gjë që thotë Europa mund të miratohet, as të shërbejë si alibi. Europa ka bërë shumë gjëra me të cilat nuk jemi dakord dhe që na kanë kushtuar jo pak.
Add new comment