“Programi online i qeverisë”, befasues. Jo Punësimi në krye, por Drejtësia dhe Administrata!!!
Kryeministri Edi Rama, ka publikuar sot në profilin e tij në Facebook atë që e quan “Raport për Ju”. Materiali është një përmbledhje e përpunuar dhe filtruar e komenteve dhe sugjerimeve të njerëzve në Facebook, për prioritetet e punës së qeverisë së re. Rezultati, ashtu siç e paraqet kryeministri, është befasues:
“DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM janë 3 çështjet më të përmendura duke shënuar edhe diferencë të konsiderueshme me të tjerat. Të përmendura mbi 4900 herë ato qëndrojnë në krye të listës duke bashkuar shumicën e komentuesve si fushat prioritare për katër vitet në vijim.
Nëse do të përzgjidhnim 5 çështje kyçe, ato do të ishin: DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM -BUJQËSI-SHËNDETËSI, të sugjeruara 5237 herë”, shkruan Rama.
Befasues, pasi Punësimi logjikisht do të duhet të ishte kërkesa e parë në një vend prej nga ku u larguan mbi 100 mijë njerëz. Punësimi dhe së mirëqenia janë parësore për jetën e çdo qytetari që synon të çojë përpara një familje të vetën, me disa standarde. Shpesh këto vite me këtë temë është abuzuar. Kryeministri dhe ministra të tij kanë mbrojtur idenë se punë ka por nuk ka profesionistë, shoqëruar më tej me një statistikë punësimesh masive që duket se kanë stabilizuar përhapjen e kësaj plage. Mirëpo largimet dhe fakti që vetë kryeministri pranon se Administrata Shtetërore është kthyer në një vend strehimi dhe punësimi për parti të vogla, provon se Puna në Shqipëri jo vetëm që mezi gjendet, por për të madje mund edhe të tregëtohet diçka shumë serioze si Vota.
Trinomi Drejtësi – Administratë – Arsim duket se përkthen në mënyrë të drejtëprdrejtë mesazhin elektoral të z. Rama, i cili u përqendrua pikërisht te Drejtësia dhe Administrata. Mirëpo këtu problemi kërkon thellim. Personat që komentojnë janë me emër dhe mbiemër dhe përgjithësisht identiteti në komunikim online korrigjon për arsye të kuptueshme marzhin e një kontributi real për çështje të caktuara. Nëse hedhim një sy ndaj komenteve që bëheshin shpesh gjatë fushatës në profilin e z. Rama, ato dominohen ose nga sharjet për Berishën, ose urime për punën e mirë të qeverisë, ose ankesa për çështje konkrete, ose të tjera që merren me pamjen e z. Rama. Shumë pak mund të shihen komente që përfaqësojnë diçka në nivel mendimi dhe analize, kjo për formatin e mediumit në fjalë, por edhe për faktin se statuset e z. Rama orientojnë më shumë një lojë ngacmimesh sesa ftojnë për të menduar.
Nga kjo pikëpamje, duhet marrë shumë me rezerva ky “Raport” i populluar nga mendime online. Dhe nuk dihet nëse z. Rama do ta konsiderojë si premisë për një dokument pune. Pikat e përmendura në të, padyshim që janë reale dhe i përkasin këtij realiteti, por nuk mundet që programi I një qeverie të bëhet me votim nga publiku. Pasi ai është një dokument që kërkon ekspertizë dhe vendosje prioritetesh që jo kushdo i di dhe i njeh.
Për çfarë u votua atëherë më 25 qershor, nëse dokumenti i punës po përgatitet në këtë formë? Gjithë kjo mënyrë pasqyron një anomali të madhe politike, përderisa është ndoshta hera e parë që një qeveri rikonfirmohet në detyrë me shumicë, pas një fushate bazuar jo në premtime dhe projekte, por në Kritikë dhe akuzë.
Një program ka një faturë dhe qeveria përfaqëson Popullin në mbrojtjen e të drejtave në ushtrimin e detyrave ekzekutive, por përfaqëson me prioritet disa shtresa në adoptimin e disa politikave të caktuara. Nuk ka më një gjë të tillë. Ka mendime të përdoruesve online që pikturojnë me optikën e vet një Shqipëri që qeveria do ta ndreqë, pasi atë e prishi PD-ja me LSI-në. E pazakontë dhe shumë mashtruese, sidomos për një njeri që tashmë e di shumë mirë se nga premtimi te qeverisja ka një hendek që nuk mbushet kollaj. E megjithatë vazhdon me këtë formë, që duket se garanton kthimin e kryeministrit në Dukuri të rrjeteve sociale, institucion dhe forcë më vete kjo.
Comments
Pronat nuk permenden fare!!!
Pronat nuk permenden fare!!! Ndersa sugjerimin "bujqesi" nuk arrij ta kuptoj se cila fashe e shqoqerise shqiptare mund ta beje? Duket si program elektoral me teper!
Punesimi
Nuk eshte fare befasuese.... Njerezit e kane humbur shpresen per punesim..... Dihet boterisht se vetem militantet do punesohen
Add new comment