Sistemi zgjedhor, detyra kryesore e opozitës

Postuar në 26 Qershor, 2017 22:02

Zgjedhjet e 25 qershorit na përcjellin përmes rezultateve ende në përpunim një aspekt të qartë: mungesa e koalicioneve për shkak të marrëveshjes së 18 majit penalizoi jo vetëm disa parti, por edhe vlerën përfaqësuese të votës së shumë qytetarëve shqiptarë.

PD-ja është partia më e goditur në këtë skemë që ngriti vetë duke marrë leksionin se ajo nuk është ende gati të mundë PS-në e vetme. Në marrëveshjen e 18 majit me Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ndër të tjera thuhet edhe se palët do të angazhohen për realizimin e reformës zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).

Për ta vënë në kontekst këtë vendim të dy njerëzve në mungesë të plotë të transparencës, po shtojmë këtu atë që  kryeministri Rama, tha në intervistën e fundit para zgjedhjeve, për emisionin “Përballë” në TVSH:

Në Shqipëri është si puna e asaj shprehjes dy parti janë pak, tre parti janë shumë. Domethënë unë mendoj që shumëzimi i partive në Shqipëri nuk sjell rritje të cilësisë të demokracisë, por sjell vetëm rritje të paqëndrueshmërisë së shtetit. Sepse të gjitha ato parti synojnë copën e pushtetit. Nuk synojnë ndonjë gjë tjetër. S’ka këtu parti që kanë dalë për një kauzë. Këtu nuk ka kauza. Këtu janë kauzat e personave që krijojnë këto parti, shfrytëzojnë konjuktura, shfrytëzojnë imazh, shgrytëzojnë paqartësinë e njerëzve dhe pastaj tak, futen aty dhe fillojnë të kërkojnë tepsinë. Unë them se ne duhet të shkojmë drejt një sistemi bipolar. Kjo është bindja ime”.

Jemi në kontesktin kur interesi i pushtetit zgjon vullnetin për të disiplinuar pluralizmin brenda suazave kufizuese të ligjit, me një akt arbitrar të dy njerëzve që duan të vendosin se çfarë të drejtash do kenë shqiptarët. Kjo është alarmante dhe duke vënë të gjithë këto qëndrime në relacion me ndëshkimin që jep sistemi zgjedhor aktual edhe kështu i pazbatuar në skemën e koalicioneve, kuptojmë që po mbërrijmë në një programim elektoral. Kjo është një hap drejt Diktaturës e cila nuk ka pse t’i duket kujt e largët dhe as e asociuar vetëm me dhunën policore. Mjafton të shikojmë sesi menaxhohet pasuria publike, si hartohen listat e deputetëve etj..

Këtu vijmë edhe te një problem tjetër më i thellë. Përtej shuplakës që Basha mori dje dhe sot, po vëzhgohet një dukuri. Demokratët e kanë braktisur në masë kryetarin e tyre, u tha se ata nuk e votuan. Mirëpo ky akt nëse është real, është negativi i një politike të kryetarit, që sot reflekton reagim të militantëve të PD-së. Dhe reagimi është përherë i mirë. Le të shohim se në krahun e PS-së, çfarëdo lloj gjëje të ndodhë, mobilizimi i milittantave është konstant pro partisë dhe nga kjo pikëpamje PD-ja na jep një shembull frymëmarrjeje politike, kundrejt një kënteëzimi te PS-ja që për eufemizëm e quajnë solidaritet. Kjo sjellje e bazës së partive në kuadrin ligjor dhe sistemin zgjedhor aktual penalizon edhe më tej parti që nuk kanë kapacitetin organizativ dhe verbërinë elektorale të PS-së.

Për këtë arsye kërkohet ndryshimi. Dhe ndryshimi që të mund të vijë kalon më së pari nga transparenca e marrëveshjes së 18 majit, ndaj të cilës Lulzim Basha ka detyrime dhe për shkak të së cilës mbërriti te kjo faturë. Nëse do të kemi një parlament ku opozita e plotë ka më shumë se 65 mandate, është shumë e qartë se reforma zgjedhore është kauza e parë e saj dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor detyra më eminente. Një sistem që duhet të ribalancojë përfaqësimin e votës dhe le të jetë vota ajo që vendos nëse duhet një sistem bipolar apo jo. Përndryshe lojërat me negociatorë të huaj që buzëqeshin dhe me kryetarë si Basha që nga Çadra hyn në marrëveshje personale, do të jenë përfitim vetëm i kryministrit me pasojën e zhvlerësimit të votës. Ndryshimi i sistemit zgjedhor është detyrim për t’i dhënë fund kësaj farese elektorale që ndërton pushtete me pakica numerike, që konvertohen në shumica parlamentare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.