Basha është çun i mirë, edhe pse mund të takohet me Trump
A mund të merret seriozisht Lulzim Basha? Ja pyetja që bëhej shpesh deri më dje. Por atë e mori seriozisht kryeministri I Shqipërisë, i cili më 18 maj i kërkoi takim kokë më kokë, për të firmosur një marrëveshje në të mirë të vendit. Pasoi mandej bashkëqeverisja, ndarja e drejtorive ndërkohë që kryeministri u thotë demokratëve “tani jemi bashkë”. E tha edhe sot në takimin në njësinë nr.5.
Kjo sjellje politike në praktikë zhbën gjithë ato akuza që artikuloheshin deri më dje ndaj Bashës, e sjellin atë si të thuash në një raport të ri. Mirëpo halli i votave të një elektorati që nuk mund t’i kesh besë – mbani parasysh se mosbesimi për shkak të frikës është me gjasë patologji te lidershipi socialist – të bën që të përmbysësh me orë atë që ke thënë.
Shikoni sesi një faqe e sponsorizuar nga kryeministria, apo kabineti i kryeministrit trajton vizitën e Bashës në SHBA.
“Basha takon lobin grek në Washington/Çfarë iu ka premtuar këtë herë grejëve pas faljes së detiti në 2007-ën?”. Ja titulli që i atribuon Bashës protagonizëm në një konspiracion të vockël fushate. Pra lobi grek takon Bashën, ndërkohë që të vihet re sesi nuk ka asnjë fije kujdesi për saktësi. Nuk dihet të ketë patur marrëveshje për detin në vitin 2007. Po ç’rëndësi ka kjo? Basha, po vepron këtu në dorëzani të Vangjel Dules që ka gjetur ca himarjotë të SHBA-së, të afiluar me lobin helen, që flasin përherë për vjedhjen e pronave të komunitetit himarjot dhe ja skenari u bë.
Lajmi bombastik nis të notojë nga faqja në faqe duke ngritur peshë zemrat e patriotëve të cilëve sot pasdite me siguri kryeministri do t’u kërkojë edhe njëherë “votën kuq e zi”. Budallallëku është pasuri në fushatë. Dhe ai do kaq pak mund që ta kurdisësh për interesa të vogla.
“Lobi grek po paguan shumë të mëdha për një fotografi të Bashës me Presidentin Trump”, thuhet në lajm, kurse pak më poshtë:
“Greqia është nga ata shtetet që do ta shohë Shqipërinë të gjunjëzuar, ndaj edhe po punon fort me atë që ka dhënë prova që është në gjendje ta trahëtojë kombin e tij për hiçgjë, e jo më për një foto me Trump-in”.
Këtu mbërrihet në nivelin e organizatës së pionerit, duke nënkuptuar mesazhin grusht bashkuar ndaj...
Bashkë me tutat e sportit, ky banalizim, ky subliminim i mesazhit dhe paraqitjes publike në fushatë, janë shenja se politika, segmente të saj po kërkojnë të bëjnë për vete atë pjesë të elektoratit që krijon “bindje” më mirë përmes batutave dhe “të ngecmeve”, hileve informative që nuk bëjnë gjë tjetër veçse gënjejnë në emër të “një të mire” të përbashkët. Interesante mbetet se PS-ja ka traditë në këtë drejtim, traditë e cila mund të quhet fare mirë fatosizmi i ligjërimit, që përshkruan një lloj artikulimi ku përmbajtja nuk ka rëndësi më shumë sesa rromuzet, gallata dhe katandisja e politikës në një tryezë mezesh.
Nuk ka asgjë të keqe nëse kjo skemë funksionon; xhanëm kush nuk ka mbajtur tuta për ca kohë. E keqja është se këto truke të vogla, mbulojnë nevojën për t’u përballur me qytetarët me njjë bilanc, por edhe pasigurinë që sjell edhe një foto e Bashës me Trump, e cila edhe në ndodhtë, me një njeri si Trump, nuk është e qartë se çfarë do të thotë, apo do të thotë ndonjë gjë. Sidoqoftë, Basha pasi hyri në qeveri si deshi vetë, pasi u shpall çun i mirë, sot del tradhëtar, njësoj si LSI-ja, për të cilën PS-ja sot kujtohet se paska bërë kërdinë në administratë, kurse dje, pas tavës me ngjala, shpallej partnere strategjike. Ka ndonjë gjë për t’i kuptuar kësaj politike?
Add new comment