Çuçi propozon “reformën territoriale të letërsisë”
Kandidati i PS-së në Gjirokastër, ish-ministër i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, poston sot në Facebook këtë status:
Me artistë dhe shkrimtarë nga Gjirokastra, prezantuam projektin 'Kolonia e Shkrimtarëve', i cili restauron shtëpitë gjirokastrite dhe i emërton sipas gjigandëve të letërsisë botërore.
Ky projekt i kthen shtëpitë e Gjirokastrës në qendra të mirëfillta krijimtarie, ku shkrimtarë të rinj pasionantë anëmbanë botës do të kenë mundësi të banojnë falas dhe të frymëzohen nga sokaket magjepsëse, burim i mjeshtërisë së të madhit Kadare
Tani puna ka ardhur që nuk flet dot më për asgjë se progresistët e sojit aktual të thonë se kritika nuk sjell gjë, ose paragjykon çdo nismë, ose hedh baltë. Mirëpo kjo përveçse është një mënyrë për turizmin dënglatik që sjell para me ca projekte, është një formë popullarizimi, kapitalizimi i Lejes së Krijimtarisë që dikur pushteti i Enver Hoxhës u jepte shkrimtarëve. Nëse na lejohet pak shaka, do thoshim se ky është një budallallëk me favorita…
Ik, pusho dhe shkruaj! Kjo ishte pak a shumë motoja absurde e një arti për konsum propagandistik, por me një etikë që buronte sa nga censura, aq edhe nga kufizimet kulturore. Ky është një propozim i tipi Bunk’Art për një mënyrë propagandimi, që mundet edhe të bëjë për të qeshur. Le të themi se Bledi Çuçi, i frymëzuar edhe ai nga sokakët e mrekullueshëm të Gjirokastrës, nxori në formën e një statusi në Facebook, kryeveprën e vet në prozë.
Pa u shtyrë shumë për këtë propozim që të kap gafil, mund të sillet ndër mend se Kadare vetë e ka sqaruar se librin “Kronikë në gur” që ja kushton qytetit të tij, e ka nisur i nxitur nga ideja e një bashkëstudenti në Moskë.
Gjeneralin thotë se e ka nisur i nxitur nga shtëpia publike e italianëve në qytet gjatë luftës, ndërkohë që Darka e Gabuar ka shumë pak frymëzim sokakor. Ajo e Kadaresë, sikurse kujtimet e popullarizuara të Hoxhës, prej nga ku frymëzohet i gjithë ekipi i Rilindjes, më shumë evokojnë një përvojë njerezore sesa mahnitje shumëvjeçare me sokakët.
Ndaj të thuash sot se do marr para nga buxheti për të bërë një koloni shkrimtarësh me banesa falas, është një shaka që të paktën tani të jep të përziera në kokë. Ndoshta funksionon, ndoshta shkrimtarët e rinj shpërthejnë drejt Shqipërisë për t’u izoluar në një hije frymëzuese, duke ngrënë e pirë falas. Çuçi ëshë i pari që përjashton rolin e rastësisë dhe të fatit në shkrimet dhe përvojat letrare: ai ofron një reformë të vërtetë territoriale për letërsinë, meqenëse ka zbuluar pusin frymëzues të saj në Gjirokastër. Le të imagjinojmë se në mungesë të frymëzimit këta shkrimtarë të rinj të mos ikin pa parë edhe Tepelenën se ku i dihet.
Add new comment