Pazari është për ustallarët, jo për qytetarët
Fushata ka filluar dhe nga partia më e madhe që finalizoi me sukses katërvjeçarin duke bashkëqeverisur me Partinë Demokratike vijnë leksione që kanë të bëjnë me ndershmërinë dhe dobishmërinë e votës. Kuptohet në fushatë defiçiti i atyre që thuhen është i madh, po morali mesa duket që vjen nga pushteti në këto zgjedhje është "bëj çfarë them unë, po mos bëj si bëj unë". Ja çfarë u thotë ish-ministri i Brendshëm Tahiri qytetarëve në Kasharit:
"Në qoftë se në të kaluarën dini që keni komshinj apo të afërm që kanë bërë pazar me votën për cilëndo arsye, shpjegojani që pazari në datën 25 kushton një pazar më shumë për 4 vitet e ardhshme. Dhe kjo është e gjitha në kurrizin tuaj dhe familjeve tuaja. Kështu që bindini të gjithë ata që njihni, që nuk ka pazar në datën 25. Në qoftë se ju ka lodhur jeta, hallet, politika e madhe në 25 vite, sepse është shpërndarë vota, është bërë pazar vota, ka vetëm një alternativë dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne duam që pas 25 qershorit të qeverisim bashkë me qytetarët, të marrim më shumë se 71 deputetë".
Pas 4 vitesh në qeveri, bilanci merr formën e autokritikës dhe defiçiti i premtimeve shkon deri te luga e floririt.
"Ne e dimë që kjo zonë ka nevojë për ujë. Ne e dimë që këtu familjet vuajnë për ujë. Ne e dimë shumë mirë që këtu ka nevojë për legalizime akoma më shumë. Këtu ka nevojë për t’i dhënë njëherë e mirë zgjidhje çështjes së pronave. Këtu ka nevojë për të punuar për t’i dhënë dinjitet jetës së secilit prej jush dhe çdo familjeje që banon këtu. Por një gjë duhet ta dini të gjithë bashkë për t’i dhënë fund halleve që iu kanë shoqëruar në 25 vite dhe për të pasur më në fund Kasharin që duam, Tiranën që duam dhe Shqipërinë që duam"- deklaroi Tahiri.
Add new comment