Lufta kundër Voltana Ademit, frustrim ndaj Jo-së 27 vjeçare të Shkodrës

Postuar në 20 Maj, 2017 12:18

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk të zhgënjen asnjëherë. Për atë që e njeh e di shumë mirë se Bushati njeri dhe deputet ka si patologji sociale detajin, hollësinë. Me gjasë edhe analizën e çdo situate e nis dhe mbaron me vëzhgim detajesh që i thonë më shumë sesa aspekte të tjera. Sot ai ka zgjedhur që një detaj të tillë ta qarkullojë si një lloj simboli të “Shkodrës që nuk duam”. Një qese e zezë mbetjesh fotografuar në një trotuar të pedonales së qytetit shitet nga ministri fotograf me diçiturën ironike: Vepër arti. 
E çuditshme si mediat këtë shkrepje e kanë qarkulluar të gjitha. Po të ecësh pak javë pas në kohë, kujton se ky thes i zi që i faturohet kryetares së Bashkisë Voltana Ademi, ka shumë shokë në vargun e artit të akuzave: kryeministri jo rrallë herë është përplasur me Ademin, personalisht, duke bërë edhe teatrin e atij që irritohet me rrënimin e një qyteti zonjë. E krahasoi me një magaziniere etj.. Pra Bushati në këtë rast thjesht ka ditur të bjerë në sy me një akt të denjë për të dhe madhështinë që na dëshmon me durimin për të kuruar si kapital politik çdo banalitet. 
Ka diçka të pashpjegueshme politikisht kjo përballje me mllef e Ramës me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës. Po të hedhim sytë vërdallë në qytetet e tjera kemi kryebashkiakë socialistë, kemi Vangjush Dakon dhe Qazim Sejdinin, për të cilët nuk ka nevojë për libër përshtypjesh. Kemi kryebashkiakun e Beratit, të Fierit, Gjirokastrës për të cilët thjesht nuk ka çfarë të thuash. 
Projeketet rehabilituese janë ndërmarrë nga qeveria me projektin e Rilindjes Urbane, ndërkohë që dy kryebashkiakë, ai i Himarës dhe ajo e Sarandës, socialistë, akuzohen nga KLSh për abuzime masive me paratë publike. 

Pse vallë ky mllef me Ademin? Mbetet vetëm një shpjegim dhe ky është personal i Edi Ramës. Në zgjedhjet e vitit 2007, PS-ja dhe aleatët e saj fituan shumicën e qyteteve, pa Shkodrën. Në vitin 2011 po ashtu. Në vitin 2015, pushteti i ri, PS-LSI pajtuan si kandidate Keti Bazhdarin dhe sërish humbën. Shkodra, qyteti ku Boris Tadiç pagëzoi marrëveshjen Rama - Meta, i tha Jo sërish PS-së, edhe pse “llogaria” do e donte që të thoshte po. Shkodra pra mbetet kundërshtare e çdo përralle duke parë te PS-ja një parti që trashëgon krimin dhe duket se nuk e negocion këtë bindje as me faktin se përfaqësues të saj mund të jenë me origjinë andej(Rama pjesërisht), apo nga familje të njohura të qytetit(Bushati është një i tillë). 
Tjetër shpjegim nuk mundet të ketë pasi pushteti vendor nuk mund të pengojë projektet e zhvillimit nëse këto ekzistojnë. Pushteti sot nuk e ka më deputetin Tom Doshi në krah dhe duhet të operojë me të tjera mënyra për të marrë vota në një rajon që ka peshë ekonomike por edhe përfaqëson diçka në planin simbolik. Vetëm se mënyra e zgjedhur nuk është edhe aq e hijshme, përveçse tradhëton, ndoshta, një frustrim personal. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.