Inteligjenca aliene? Me shumë gjasë, një entitet elektronik. Universi ynë, mund të mos jetë i vetmi...

Postuar në 04 Maj, 2017 13:13

Martin Rees, Profesor Emeritus i Kozmologjisë dhe Astrofizikës në universitetin e Kembrixh, jep një intervistë për “The Conversation” në të cilën jep disa përgjigje interesante për planetin tonë, kërkimin e jetës aliene, mundësitë e saj dhe raportin e njeriut me universin. Kërkimi i jetës është diçka e pandashme nga kuptimi që ne kemi përftuar për vetë ekzistencën tonë, por Rees thotë se jeta inteligjente, nën evoluim të vazhdueshëm duhet të mos asociohet detyrimisht me jetën organike. Entitete elektronike, pa nevojën e një planeti dhe të gravitetit – ja një hamendësimi i Rees për alienët e shumëzhvilluar që imagjinojmë. Nga perspektiva e tyre ne jemi si shimpazeja në raport me njeriun sot, por evoluimi drejt këtij entiteti i takon njeriut që dikur me siguri do të kalojë drejt postnjeriut. Është ky i fundit që do të ketë atributin e udhëtimit të gjatë në hapësirë. Mendime që mbeten ende hipoteza…

Sa i madh është universi…dhe është ky i vetmi?

Horizontet tona kozmike janë rritur jashtëzakonisht shumë gjatë shekullit të fundit, por ka një kufi përfundimtar për përmasën e universit të vëzhgueshëm. Përmban të gjitha gjërat prej të cilave drita ka qenë në gjendje të vijë deri te ne që nga Bing Bang, rreth 14 miliardë vjet më parë. Kuptimi i ri është që universi i vëzhgueshëm mund të mos jetë i gjithë realiteti. Mund të ketë diçka tjetër përtej horizontit, siç ka diçka tjetër përtej horizontit kur vëzhgon oqeanin nga një anije.

Për më tepër, galaktikat priren të shkojnë përtej këtij horizonti dhe më interesantja, ka mundësi që Bing Bang ynë nuk ka qenë i vetmi. Mund të ketë patur të tjerë, duke ngjizur universe të tjerë, të palidhur me tonin dhe për rrjedhojë të pavëzhgueshëm, me gjasë edhe të dominuar nga ligje të tjera fizike. Realiteti fizik në këtë shkallë kaq të madhe mund të jetë pra shumë më i larmishëm dhe interesant nga sa ne mund të shohim.

Universi që ne mund të vëzhgojmë dominohet nga të njëjta ligje kudo. Ne mund të vëzhgojmë një galaktikë të largët dhe të shohim se atomet që emetojnë dritën janë po njësoj me ata në laborator. Por mund të ketë rajone që sundohen nga ligje krejtësisht të ndryshme. Disa mund të mos kenë gravitet, apo të mos lejojnë fizikën bërthamore. I yni mund të mos jetë madje as edhe një rajon tipik.

Edhe në universin tonë, ka kaq shumë mënyra përmes të cilave mund të bashkoni atomet e njëjta, pra nëse është i madh mjaftueshëm, atëherë është e mundur që atje ka një Tokë tjetër, e madje një mishërim tjetër tuajin. Nëse ky është rasti, gjithsesi, universi do të duhet të ishte më i madh sesa ai i vëzhgueshmi në një raport që për ta shkruar do të duheshin të gjitha atomet e universit. Të jinni i sigurtë, nëse ka një tjetër Ti, ai është shumë, shumë, shumë larg. Ndoshta po bën të njëjtat gabime.

Sa gjasa ka jeta aliene në këtë hapësirë të madhe?

Ne tani e dimë se planetët ekzistojnë rreth shumë yjeve. Ne dimë se në galaktikën tonë, Rruga e Qumshtit, ka me gjasë miliona plantë që janë në shumë drejtime të ngjashme me Tokën, pra me ujë të lëngshëm. Se ku është zhvilluar jeta, është një çështje që ende nuk ka marrë përgjigje.

Ndonëse ne e dimë sesi përmes seleksionimit darvinan biosfera komplekse e Tokës evoluoi rreth 4 miliardë vjet më parë, ne ende nuk e kuptojmë origjinën e jetës së tanishme – tranzicionin nga kimia komplekse drejt metabolizimit të parë, që riprodhon strukturat.  Lajmi i mirë është ne do të kemi një ide më të mirë sesi kjo ka ndodhur brenda 20 viteve të ardhshme dhe me më shumë rëndësi, si ndodhi e gjithë kjo. Kjo do të në japë një mundësi për të kuptuar më mirë sesi një gjë e tillë mund të ndodhë gjetkë. Ne do të kemi teknologjitë që do të na lejojnë të kërkojmë më mirë jetën aliene.

Por vetëm pse diku ka jetë, nuk do të thotë që ka jetë inteligjente. Supozimi im është se nëse ne gjurmojmë një inteligjencë aliene, nuk do të jetë diçka e ngjashme me ne. Do të jetë një lloj entiteti elektronik.

Nëse hedhim sytë nga historia e Tokës sonë, shohim se i është dashur 4 miliardë vjet të shkojë nga periudha protozoike drejt qytetërimit tonë teknologjik. Por nëse shohim nga e ardhmja, ka shumë mundësi që brenda disa shekujve, makinat do të kenë marrë dominimin dhe ato pastaj do të kenë përpara vetes miliarda vjet.

Me fjalë të tjera, periudha e kohës në të cilën jeta organike inteligjente dominon është një cifël e hollë mes jetës së hershme dhe erës së gjatë të makinave. Për shkak se qytetërime të tilla do të zhvilloheshin në shkallë të ndryshme, është shumë e pagjasë që ne të gjejmë jetë inteligjente në të njëjtën shkallë zhvillimi me ne. Më shumë gjasë ka që jeta të jetë ose shumë më e thjeshtë, ose një inteligjencë tashmë tërësisht elektronike.

Besoni se makinat do të zhvillojnë inteligjencë?

Ka shumë njerëz që do të vinin bast një gjë të tillë. Pyetja e dytë është gjithsesi, nëse kjo gjë implikon domodoshmërisht një ndërgjegje – apo nëse kjo kufizohet në atë makinën e njomët që kemi brenda kafkave tona. Shumë njerëz do të argumentonin se kemi të bëjmë me cilësi të sistemit dhe mund të zhvillohet në mendjen e një makine.

Pra, nëse universi është i populluar nga supermendje elektronike, rreth cilave pyetje po meditojnë?

Ne nuk mund të koncptojmë asgjë më shumë sesa supozimi i një shimpazeje për gjërat për të cilat ne mendojmë. Do të hamendësoja gjithsesi, se këto mendje nuk janë në planete. Ndërsa ne varemi nga një planet, një atmosferë, këto entitete do të ishin të lumtura pa gravitet, duke fluturuar në hapësirë. Kjo mund t’I bëjë ato edhe më të vështira për t’u gjurmuar.

Si do të reagonte njerëzimi ndaj zbulimit të jetës aliene?

Do ta bënte me siguri më interesant universin tonë, por do të na bënte ne më pak unikë. Çështja është nëse do të provokonte te ne ndonjë ndjenjë të modestisë kozmike. Në të kundërt, nëse të gjitha kërkimet tona për jetë, dështojnë, ne do ta dimë me më shumë siguri se ky planet i vogël është me të vërtetë një vend i veçantë, pika e vetme blu e zbehtë ku jeta ka lulëzuar. Se çfarë ndodh pra me këtë planet në një rast të tillë, do të kishte jo thjesht një domethënie globale, por do të ishte një çështje e rëndësisë galaktike.

Me gjasë do të ngujohemi në këtë botë. Do të jemi të aftë të shohim përherë e më thellë në hapësirë, por udhëtimi në botët përtej sistemit tonë diellor do të jetë një sipërmarrje postnjerëzore. Kohët e udhëtimit janë shumë të mëdha për mendjet dhe trupat e vdekshëm. Nëse jeni I pavdekshëm, gjithsesi, këto distance bëhen më pak të pamundshme. Ai lloj udhëtimi do të bëhet nga robotët, jo ne.

Me shkurtime nga: http://www.space.com/36459-aliens-strange-universes-martin-rees.html?utm...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.