100 milionë dollarë për një film mbi Genocidin Armen
Njësoj si hebrejtë me “Listën e Shindlerit” apo “Shoah”, edhe armenët do të kenë së shpejti një produksion kinematografik që mund të bëjë jehonë atij që njihet si Genocidi Armen i fillim shekullit të 20-të. Thuhet se 1.5 milionë armenë u vranë përmes një fushate të mirëmenduar dhe të programuar nga Turqit e Rinj, në një akt që ende sot provokon kundërshti të mëdha. Ka një fushatë armene për të njohur genocidin por roli dhe rëndësia e Turqisë ka penguar në këtë drejtim. Filmi është një mjet shumë i mirë në këtë drejtim për të ndërgjegjësuar dhe masivizuar një kazuë, e cila në rastin konkret ka prodhuar edhe vetë termin Genocid dhe çoi në Konventën e parë për këtë gjë, e megjithatë sot nuk pranohet.
Filmi titullohet “Premtimi”(The Promise) dhe është financuar nga miliarderi amerikano-armen Kirk Kerkorian, ndarë nga jeta në vitin 2015. Kerkorian ka vënë në dispozicion 100 milionë dollarë për prodhimin dhe shpërndarjen e filmit që siç shkruan “The Wall Street Journal” zëvendësojnë punën e një studioje.
Filmi siç ka dashur Kerkorian nuk synon një leksion mbi historinë, por prezantimin e Genocidit Armen në shkallë të gjerë. Filmi nuk ka patur sukses në prezantimin e tij që ka nisur që nga 21 prilli, ndonëse në të luan edhe Christian Bale, por fakti që për të shkruhet dhe ka reagime në rrjetet sociale flet jo pak. Gazeta amerikane shkruan se diplomatë turq ndërhynë ndaj aktorit Daniel Giménez Cacho që do të merrte pjesë në film, duke i dhënë një libër me perspektivën turke të ngjarjeve. Ndërkohë aktori mori pjesë në realizimin e një dokumentari që flet për genocidin armen “Me synimin për të shkatërruar”( Intent to Destroy), realizuar nga regjizori Joe Berlinger.
Interesant është fakti se Kerkorian ka kontribuuar shumë për kauzën armene, thuhet se në jetën e tij dha gati 1 miliardë dollarë për promovimin e saj për të mbërritur te filmi i tanishëm.
Duke lënë mënjanë faktin se mohimi i një ngjarjeje kriminale me këto përmasa është turp i asaj që quhet “bota demokratike”, mund të nënvizojmë se ky debat që angazhon sot shtete dhe aktorë, na sjell në Shqipërinë tonë ku regjizorë apo aktorë, mbrojnë pa pranuar asnjë vërejtje apo kritikë, kërkesë, trashëgiminë kinematografike të periudhës së Enver Hoxhës. Mbrohen me profesionalizmin duke “harruar” propagandën, ndërkohë që edhe shembulli i mësipërm na provon se propaganda apo propagandimi i ideve dhe ideologjive është i pandarë nga filmi. Filmi nuk mund të shihet me lenten e studentit të aktrimit, pra thjesht me skanimin e lojës aktoriale, por edhe si vepër artistike, atribut që sot apologjetët po kërkojnë “ta lënë një çikë mënjanë”.
https://www.wsj.com/articles/the-promise-kirk-kerkorians-bid-to-highligh...
Add new comment