Legalizimi është antikushtetues

Postuar në 24 Prill, 2017 14:19
Florjan Kalaja*

Në Shqipërinë e dhjetë- vjeçarit të fundit të shekullit XX dhe dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI u bë i zakontë fenomeni i pushtimit të tokës dhe ndërtimit të paligjshëm. Kjo gjendje fakti u zhvillua aq shumë sa në programin politik të Kuvendit u vendos rregullimi me ligj i gjithçkaje që ndodhi në kundërshtim me ligjin përgjatë 20 viteve. Për të zgjidhur këtë çështje Kuvendi miratoi Ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” (në vijim ligji i legalizimit).

Kuvendi vendosi që çështjen e pushtimit të tokës dhe ndërtimit të paligjshëm të mos e zgjidhte sipas rregullimeve normale dhe të zakonshme të Kodit Civil, apo nëpërmjet ndryshimeve eventuale në këtë korpus ligjor, por miratoi një ligj të thjeshtë dhe të posaçëm, nëpërmjet të cilit krijoi një mënyrë të re të fitimit të pronësisë. Ligji i legalizimit trajton probleme që lidhen me ligjërimin e pronësisë së kujtdo personi që ka ndërtuar në vendbanime formale, zona informale, territore të tjera, si dhe të shtesave pa leje në ndërtime me leje dhe rregullon ndër të tjera kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore ku është ngritur ndërtimi pa leje.

Me pak fjalë, ky ligj përligj juridikisht fitimin e pronësisë së kujtdo që ka pushtuar tokë dhe ndërtuar në të kundër parashikimeve ligjore, si në pronën e dikujt tjetër, si në pronën shtetërore. Gjykata Kushtetuese (në vijim GJK) nuk arriti të rrëzojë prezumimin formal të kushtetutshmërisë së këtij ligji (shiko Vendimin Nr. 35, datë 10.01.2007), duke argumentuar se kjo mënyrë e re e fitimit të pronësisë së pronës së tjetrit dhe të shtetit, edhe pse e përbërë nga episode veprash penale dhe shkelje të ligjit është kushtetuese. GJK ka vlerësuar se legalizimi si mënyrë e fitimit të pronësisë është një shpronësim de facto dhe de jure e pronarëve.

Ajo vlerësoi se, duke qenë se ky shpronësim ka për objekt legalizimin e ndërtimeve të ngritura pa leje dhe sidomos urbanizimin e zonave, blloqeve informale e ndërtimeve informale, si dhe integrimin e tyre në zhvillimin territorial infrastrukturor të vendit duke përmirësuar kushtet e jetesës, ekziston “interesi publik” që mund të justifikojë shpronësimin e pronarëve të ligjshëm dhe kalimin e pronave të tyre në pronësi të ndërtuesve të ndërtimeve pa leje.

Sakaq, GJK e gjeti në përputhje me Kushtetutën kufizimin e të drejtave të pronësisë e secilit prej subjekteve që shpronësohen, duke vlerësuar se interes publik nuk përbën respektimi i së drejtës së tyre për gëzimin e qetë të pronës, por përbën ligjërimi i pronësisë së kujtdo që ka shkelur ligjin. Më tej, GJK vlerësoi se ligji për legalizimin garanton respektimin e të drejtën për kompensim të pronarit privat që shpronësohet, duke u kompensuar sipas metodikës së ligjit të kthimit dhe të kompensimit të ish-pronarëve për pronat e tyre të konfiskuara, shtetëzuara apo shpronësuara, duke e vlerësuar këtë mënyrë kompensimi “shpërblim të drejtë”.

Vlerësoj se ligji i legalizimit është rasti tipik për të treguar se pika 2 e nenit 41 të Kushtetutës, ndryshe është miratuar nga populli shqiptar dhe ndryshe është zbatuar nga Kuvendi, nga viti 1998 e deri më sot. Në këtë normë kushtetuese populli vendosi se: “2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil”.

Ndërkohë Kuvendi në nenin 163 të Kodit Civil, që ka hyrë në fuqi me datë 01.11.1994, para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, ka parashikuar se: “Pronësia fitohet nëpërmjet mënyrave të caktuara në këtë Kod dhe mënyrave të tjera të caktuara me ligj të veçantë.”. Në këto dy norma nuk ka se si të mos vihet re kontrasti, ku Kushtetuta parashikon se mënyrat e fitimit të pronësisë, përveç dhurimit, trashëgimisë dhe blerjes, duhet të parashikohen në Kodin Civil dhe të jenë klasike, që do të thotë duhet të jetë mënyra fitimi traditë e gjithëpranuar në shtetet demokratike dhe të miratuara nga Kuvendi me të paktën konsensusin e 84 deputetëve, dhe nga ana tjetër Kodi Civil nuk i bindet Kushtetutës, duke parashikuar se mënyrat e fitimit të pronësisë mundet të parashikohen edhe në ligje të ndryshme nga Kodi Civil, edhe me shumicë më të vogël se sa konsensusi i 84 deputetëve dhe mundet të mos jetë klasike.

Sikur mundet të kuptohet, legalizimi si mënyrë fitimi pronësie as nuk është mënyrë klasike e fitimit të pronësisë, pasi nuk ka shtet demokratik që të ketë traditë të gjithëpranuar ligjërimin e shkeljes së ligjit dhe as nuk është parashikuar në Kodin Civil, dhe për rrjedhojë nuk ka marrë konsensusin e 84 deputetëve. Ky argument nuk ka zgjuar vë- mendjen as të GJK ndër vite, ku disa herë ligje të tilla, që mundet të pajtohen me Kodin Civil por jo me Kushtetutën, kanë qenë objekt gjykimi kushtetues. Nga ana tjetër, vlerësoj se përligja e interesit publik në këtë shpronësim de facto dhe de jure nuk duhet të argumentohet sikurse ka bërë GJK.

Kur vlerësohet nëse ka interes publik për të realizuar shpronësimin e një pronari privat për hir të përfundimit të procesit të legalizimit, nuk mundet të vihet në peshoren e drejtësisë kushtetuese interesi i vetëm i pronarit privat dhe konkret që shpronësohet kundër interesit të shtetit dhe të gjithë pushtuesve e ndërtuesve të paligjshëm për legalizimin e faktit. Vlerësuar sipas kësaj mënyre, nuk ka se si të mos bindesh se ana e drejtësisë do të rëndojë ndjeshëm më shumë nga legjitimimi kushtetues i legalizimit si mënyrë fitimi pronësie.

Në mënyrë që palët e peshuara të jenë të barabarta në peshoren e drejtësisë kushtetuese, duhej të ishte vënë personi pronar privat, që shpronësohet, nga njëra anë, kundrejt personit pushtues dhe ndërtues i paligjshëm, që kërkon të legjitimojë gjendjen e faktit, nga ana tjetër, dhe më pas të vlerë- sohet nëse Kushtetuta mbron cilën nga anët.

Apo, nëse mënyra individuale e peshimit nuk i përshtatej vlerësimit prej gati legjislatori të GJK, atëherë mënyra se si duhej të ishin peshuar këto dy palë në drejtësinë kushtetuese, është vendosja nga një anë e nevojës për të mbrojtur kushtetutshmërisht të drejtat themelore për pronë të personave privatë, që shpronësohen sipas këtij ligji, dhe nevojës së shtetit për të kontrolluar zhvillimin urban të territorit të tij, përballë të drejtave për të legjitimuar gjendjen e faktit në gjendje juridike, të të gjithë atyre personave që kanë pushtuar dhe ndërtuar në kundërshtim me ligjin (gjithnjë nëse e marrim të mirëqenë se ekziston një e drejtë e tillë).

Nëse do të ishte vlerësuar kështu çështja e legjitimitetit kushtetues të shpronësimit të pronarëve të ligjshëm për llogari të procesit të pronësimit të jopronar- ëve, vlerësoj se ligji i legalizimit do të ishte shfuqizuar nga GJK, me të njëjtën lehtësi bindje sikurse çdo kush që arrin të bindet për këtë konkluzion nga leximi i shkrimit, sigurisht me mendje të ftohtë dhe pa konflikt interesi në gjykim.

Vlerësoj se skema e kompensimit të ishpronarëve të shpronësuar në mënyrë të padrejtë nga regjimi komunist, më shumë sesa e drejtë, është një zgjidhje pragmatike e shtetit, duke dashur, që me aq pak mundësi fiskale sa ka, të heqë nga axhenda e problemeve njëherë e mirë një çështje që nuk e zgjidh dot. Kështu edhe vetë kompensimi financiar i ish-pronar- ëve, detyrim që shteti modern dhe demokratik shqiptar ka marrë përsipër të dëmshpërblejë veprimet e shtetit komunist dhe totalitar, mbart dyshime të mëdha mbi drejtësinë dhe kushtetutshmërinë e respektimit të së drejtës së pronës.

Ligji i legalizimit ka marrë pikërisht këtë skemë kompensimi financiar dhe ka vlerësuar të drejtë të kompensojë ish-pronarët, tashmë jo të shpronësuar në mënyrë të padrejtë nga regjimi komunist dhe totalitar, por të shpronësuar de facto dhe de jure nga shteti modern dhe demokratik shqiptar. Ndaj vlerësoj se kjo mënyrë shpronësimi e pronarëve privatë, me qëllim pronësimin e jopronarëve, nuk ka respektuar as të drejtën e të shpronësuarve për t’u kompensuar me shpërblim të drejtë, duke i viktimizuar me shkeljen e së drejtës për pronë dy herë radhazi në një proces të vetëm.

Në mënyrë që legalizimi si mënyrë fitimi pronësie të pajtohej me Kushtetutën, shteti shqiptar modern dhe demokratik duhej të kishte vendosur që të pronësonte jopronarët që kishin pushtuar dhe ndërtuar në mënyrë të paligjshme vetëm në pronat shtetërore të tjetërsueshme, e jo në pronat e të tjerëve, mbi të cilat nuk ka kurrfarë të drejte pronësie. Më tej kjo mënyrë fitimi pronësie duhej të rregullohej në Kodin Civil, duke modifikuar apo shtuar mënyrat origjinale të fitimit të pronësisë, si fitimi i pronës me bashkim apo me përzierje (neni 175) apo fitimi i pronës me parashkrim fitues (neni 168 apo 169).

Sakaq kjo mënyrë e re fitimi pronësie do të kishte marrë konsensusin e të paktën 84 deputetëve dhe shteti do të kishte arritur të zhvillonte në popull kulturën e autoritetit të Kushtetutës dhe ligjit, i cili edhe pse vonon, nuk harron. Në mos Kuvendi, duhej të ishte GJK që ligjin e legalizimit ta shfuqizonte si antikushtetues, në mënyrë që neni 163 i Kodit Civil të mos i impononte kuptimin e tij nenit 41 pika 2 të Kushtetutës.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.