Qarqe që nuk duan Shqipërinë apo Edi Ramën kryeministër?
Kryeministri Rama tha në një intervistë në Top Story se "ka edhe qarqe që nuk jetojnë për t’i bërë mirë Shqipërisë", madje do ta dëshironin që në Shqipëri të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër një procesi, të cilin kryeministri e quan drejtim të gabuar, duke marrë përsipër të flasë në emër të partnerëve strategjikë të vendit.
Por si duhet përkthyer një deklaratë e tillë dhe çfarë ka patur parasysh kryeministri kur thotë se "siç partnerët tanë i kanë sytë te zhvillimet dhe duan që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të tjerë janë angazhuar, ose nuk do të përtonin të angazhoheshin për të kundërtën?". Nga sa la të kuptohet kryeministri i referohet takimit që kryetari i Partisë Demokratike pati një ditë më parë me ambasadorët e 5 vendeve të Bashkimit Europian, atë të Francës, Austrisë, Greqisë, Italisë dhe Britanisë.
"Kryetari i opozitës është në të drejtën e tij që të mos dallojë kush janë miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe kush janë ata që nuk janë miq të mirë të Shqipërisë. Ashtu sikundër është në të drejtën e tij që t’u kërkojë ndihmë këtyre të dytëve. Një kryetar opozite mund të shkojë deri në pikën që të thotë “më ndihmoni mua që të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dispozicionin tuaj”-theksoi Rama.
A mund të cilësohet një takim i tillë konspiracion i qarqeve të caktuara që nuk duan të mirën e Shqipërisë, vetëm sepse i japin një lloj legjitimiteti ndërkombëtar protestës së opozitës. Nëse kjo krijon përshtypjen se ata që janë kundër kryeministrit janë kundër Shqipërisë, kjo i ngjan politikës antimperaliste të udhëheqjes së Partisë së Punës.
Frika e kryeministrit nga përqasja e ndërkombëtareve vjen pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm, për të cilin raportohet të ketë patur presion të vazhdueshëm të të huajve, për shumë arsye që shpjegohen edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shqipërisë, si korrupsioni në të gjitha degën e qeverisjes, pandëshkueshmëria e zyrtarëve apo rritja e trafikut të drogës. Siç dëshmon raporti I DASH edhe qeveria Rama ka punuar më shumë për veten sesa për Shqipërinë ose në ndonjë rast edhe kundër Shqipërisë. Këtë po bën edhe kryeministri, bashkëkryeministri, ish-kryeministri apo kandidati i opozitës për kryeministër i ardhshëm. Secili punon për veten, por kjo nuk do të thotë se vetëm zoti Rama punon për Shqipërinë.
Comments
Boten e drejton ekonomia
Ku kemi perfunduar. Mbeti bota e madhe te bej konspiracion per Shqiperine qe e ka ne thes me gjithe kete borxh qe ka.Boten e drejton ekonomia zoti Kryeminister, ti ekonomine e ke zero. Nuk behet ekonomia me bojra.
Add new comment