Zonja Doda, vareni te palma!
Mesila Doda, dikur deputete e Partisë Demokratike, sot deputete e PDIU-së, ka mbajtur një fjalë në Parlament, një si gati poemë epike, e cila merr përmasat e një grimce humoristike pasi heroi i keq i saj është “i pakëti” Vangjel Dule.
Doda thotë se Dule punon për shpërbërjen e Shqipërisë dhe për këtë si argument ka bindjen e vet dhe copëza lajmesh nga mediat.
“Këtu mes nesh, është një ligjvënës që shkel me të dyja këmbët Kushtetutën dhe punon për shbërjen e pavarësisë së atdheut tonë. Kemi një njeri mes nesh, i cili shfaqet pa teklif me flamujt e organizatave ekstremiste, terroriste, shoviniste të Vorio Epirit. Fotot që kam këtu flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për shpjegime të mëtejshme. Unë sot, jam këtu për të denoncuar këtë bashkëpunëtor të shbërjes së Shqipërisë, këtë mëtonjës të “Megallo Idesë””, tha Doda.
Pas këtij apeli ngjethës, ish –deputetja e PD-së, dikur në aleancë me Vangjelin, kalon në një tjetër problem të Dules. Kësaj radhe ai është antigrek, antiminoritar sepse zvogëloi partinë e tij.
“Në fund, dëshiroj të të them diçka që ka të bëjë me partinë që drejton dhe që ka atë emër aq të bukur. Ti e ke shpërbërë atë forcë politike, aq e nevojshme në vitet e para të pluralizmit politik shqiptar. Ti je njeriu më anti-grek që unë njoh, më anti-minoritar. Ti ke shkatërruar të gjitha kauzat e pakicës greke në Shqipëri, duke dashur t’i fusësh ata njerëz në zjarret e dasisë…Vasil Melo para se të shuhej, thonë që e kanë helmuar dhe gojët e liga bëjnë përgjegjës dikë këtu…, por Vasil Melo të la një margaritar politik, të cilin e ke sjellë këtu, ku jemi sot”, tha ajo. Leksioni nuk është ndalur këtu, por ka vijuar edhe më tej me shembullin e bashkisë Konispol që frymëzon sepse drejtohet nga një çam.
“Ka një vend, ku minoritarë dhe çamë shkojnë shumë mirë dhe të gjithë çuditen. Në Xarrë dhe Markat jetojnë për bukuri, sepse në këtë vend është Bashkia e Konispolit, ku kryetari është çam Shuaip Beqiri, dhe askush nuk ushqen urrejtjen mes tyre”, tha Doda. Këtë të fundit deputetja bën mirë t’ua lërë banorëve të zonës, por mjafton të kujtojmë se kryeministri aktual bëri autolajm, ca kohë më parë kur në Konispol iu ankuan për çështje fetare.
Nga ana tjetër, zonja ka një histori të vetën me këtë shfaqje publike rrapëlluese kur dikur iu hakërrye Sajmir Tahirit se do ta varte në palmë pse ishte në protestën e 21 janarit. Sot janë miq politikë të dy, ndaj edhe nuk kemi pse ta marrim seriozisht. Thesht meqë Dulja në sytë e Dodës është antishqiptar, por edhe antigrek, ai për rrjedhojë mbetet vetëm gjirokatstrit, një arsye më shumë kjo për një antikomuniste, katolike dhe pro çame që ta varë Vangjelin te palma. Aq më tepër që dashka të na shpërbëjë atdheun.
Add new comment