Trump uron presidentin Thaçi për pavarësinë e Kosovës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan se "Partneriteti mes dy shteteve mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare".
Më tej Trump thekson se "mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë".
Trump thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).
Add new comment