Meta nuk zhgënjen, një karamele nga Kuvendi për Donald Lu
Ishte e pritshme që Ambasadori amerikan Donald Lu të merrte një tjetër kolpo institucionale në dyluftimin me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. E pritshme sepse zgjodhi armën e gabuar për të goditur Adriatik Llallën duke mbetur vetëm në nivelin e retorikës dhe moralit. Donald Lu e akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm se ishte kundër reformës në drejtësi me argumentin se në kundërshtim me Kushtetutën kishte propozuar vetëm 3 emra për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Deri këtu lufta është shumë e lehtë për Adriatik Llallën, i cili nuk e pati të vështirë të merrte mbështetjen e Ilir Metës për aq kohë sa procedura e ndjekur nga Prokuroria konfirmohet nga Kuvendi si konform me Kushtetutën. Dhe këtë mesazh Ilir Meta jo pa qëllim e përcolli vetë nga Kryesia e Kuvendit. "Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar Kushtetutën. Asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme dhe as në Kuvend, apo publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion në Kuvend për shortin"-theksoi Meta në një dalje nga Kuvendi. Pra mesazhi është i qartë, probleme me Kushtetutën nuk pati, edhe po të kishte prapë gjëra të vogla pa shumë zarar që zgjidhen kollaj. Karamele të tilla legjislative kjo demokraci ka kaluar shumë dhe nuk ka nguruar të shpërndajë edhe për ambasadorët.
Tani është rradha e ambasadorit amerikan të kundërveprojë me strategji apo armë të tjera. Nëse nuk i ka, gjithçka mbyllet me postimin e fundit në facebook të ambasadës amerikane se asgjë nuk e ndal reformën në drejtësi. Në fakt asgjë nuk po e ndal, ajo është miratuar me konsensus dhe ka filluar të japë frytet e para, ndër të cilat revokimi i vizave për disa prokurorë e gjyqtarë.
Add new comment