Shkencëtarët rusë hedhin poshtë teorinë e meteorit për ngjarjen e Tunguskës
Pak ngjarje zgjojnë kuriozitetin dhe frikën e shpërthimit të Tunguskës. Nuk janë vetëm të dhënat e pasojës së tij, por pamundësia e deritanishme e shkencës për të dhënë një shpjegim final për atë që ka ndodhur ajo që mban gjallë vëmendjen ndaj një ngjarjeje që ndodhi më 30 qershor të vitit 1908 në Krasnoyarsk Krai në Siberi. Shpërthimi ndodhi disa kilometra mbi sipërfaqen e tokës, u dëgjua deri në 745 milje larg, rrafshoi 2000 km2 pyll dhe ndriçimi i krijuar u pa edhe në Britaninë e Madhe. Një ditë më pas u vunë re fenomene të çuditshme në qiellin e Europës.
Mendimi i parë dhe që ndoshta përbën tezën më të trajtuar është se kemi të bëjmë me një meteorit. Ekspeditën e parë e udhëhoqi mineralogu sovjetik Leonid Kulik, vetëm 13 vjet më vonë nga shpërthimi. Filmimet e tij janë prova materiale më autentike e asaj që kishte lënë pas shpërthimi i jashtëzakonshëm. Teoria e meteorit lidhet me liqenin Çeko, sidomos pas konkluzioneve të një ekspedite të vitit 2007 nga universiteti i Bolonjës, që vlerësuan se ky liqen ishte krateri i impaktit të goditjes. Studiuesit italianë arritën në këtë përfudnim pasi sipas tyre liqeni ka thellësi të pazakonshme për rajonin ku ndodhet dhe forma e tij shëmbëllen me një krater. Më tej ekspedita italiane e udhëhequr nga Luca Gasparini konkludoi se një arsye më shumë në mbështetje të kësaj teorie është fakti se sipas tyre, nuk ka asnjë të dhënë për ekzistencën e liqenit Çeko para vitit 1908. Mirëpo njësoj si me studiuesit e tjerë Tunguska ka befasuar edhe njëherë.
Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” raporton se një ekip studiuesish rusë nga Krasnoyarsku dhe Novosibirsku nisën eksplorimin e liqenit në fjalë në vitin 2016 sidomos në vlerësimin e moshës së tij përmes analizës së sedimenteve të tabanit nënujor. Nga analizat radioskopike u pa se “mostrat e marra në thellësinë më të madhe të liqenit Çeko janë rreth 280 vjet të vjetra, çka do të thotë se liqeni është edhe më i vjetër, sepse kërkuesit nuk arritën që të marrin dot mostra në pikën më të ulët të tij. Pavarësisht kësaj, kjo provon se liqeni është shumë më i vjetër sesa ngjarja e Tunguskës dhe se ai nuk është një krater i krijuar nga impakti i një meteoriti”.
Çfarë ishte atëherë Tunguska? Deri më tani asnjë nuk di të thotë gjë me siguri, por numri i teorive nuk është i vogël.
Në dokumentarin e këtushëm:
shtjellohen thuajse të gjitha teoritë, që nga meteoriti, tek shpërthimi zinxhir i një komete që çoi në implodimi e xhepave të gazit metan në zonë e deri te teoritë e faktorëve të inteligjencës jashtëtokësore, por pa dhënë dot një shpjegim shterues.
Add new comment