Arrestimi i Haradinajt, ministri i Drejtësisë Manjani, letër homologut francez
Qeveria shqiptare, krahu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka reaguar zyrtarisht për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ka dërguar një letër homologut francez Jean- Jacques Urvous, përmes së cilës vë në dukje se ish-kryeministri i Kosovës është liruar nga akuzat për krime lufte nga Gjykata e Hagës.
"Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se zt. Haradinaj është liruar nga akuzat dy herë nga të dyja dhomat e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë si autoritet i themeluar nga OKB për këtë çështje. Si autoriteti qendror i përcaktuar për zbatimin e Konventës Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957, do të vlerësoja i nderuar Koleg mospranimin nga ana juaj të kërkesave për ekstradim të motivuara politikisht nga shteti serb. Gjithashtu, do t’ju lutesha që shqetësimi ynë t’u përcillej autoriteteve gjyqësore franceze për të mundësuar lirimin e menjëhershëm të zt. Haradinaj", shkruan Manjani.
Kjo është lëvizja e parë zyrtare e qeverisë shqiptare, por edhe e shtetit shqiptar, pas deklaratave politike dhe institucionale. Nuk dihet sesi do të reagojnë institucionet franceze, pasi dje mediat raportuan se ambasadori i Francës në Kosovës është shprehur se nuk mund të ndërhyet në punën e gjykatave.
Add new comment