“Jemi në vitin 2016. Askush nuk do t’ia dijë për lirinë”
E keni parë filmin e ri Assassin's Creed? Nëse jo, nuk është keq t’i hidhni një sy. Nisesh të shlodhesh për të parë një film aksion, që pavarësisht ekzagjerimeve dhe fluturimeve në skena dhe dimensione jashtë realitetit nuk të angazhon, por përfundon duke gëlltitur mesazhe politike. Të tharta goxha madje.
Skenari është i thjeshtë: e mira përballë të keqes. E mira e maskuar nën petkun e të këqinjve “që punojnë në errësirë për dritën” dhe e keqja, që është establishmenti, ai i vërteti, që tërheq fijet e i cili kërkon themelimin e një rendi të ri.
Në rolin kryesor është Michael Fassbender që luan një kriminel të dënuar, Callum Lynch. Ai dënohet me vdekje, ekzekutohet, por zbulon se vdekja e tij është shmangur nga një organizatë, “Abstergo Industries”, pasardhëse e urdhërit templar.
Lynch ende nuk e di që ai vetë është pasardhës genetik i Aguilar de Nerha, pjesëtar i Assasin’s Creed që luftonin me templarët. Qëllimi është që përmes një teknologjie moderne që posedohet nga Abstergo – metaforë e pandërprerë kjo e sundimit të fshehtë të shoqërisë së sotme – Lynch të rijetësojë memorien e Aguilar i cili di vendndodhjen e Mollës së Edenit. Kjo është hartë genetike që mbolli mëkatin e parë, por që nga Creed konsiderohet si akti i vullnetit të lirë, aty ku mosbindja e njeriut përftoi rebelimin e tij ndaj Zotit, duke ecur drejt lirisë dhe afirmimit të tij.
Templarët e kërkojnë Mollën në mënyrë që të krijojnë rendin e ri, duke e shëruar njeriun nga dhuna, që zë fill nga ky mëkat dhe reaksioni zinxhir që prodhon kjo mosbindje. Siç mund të merret me mend, përmes shumë peripecive të jashtëzakonshme, krizave shpirtërore të Lynch, Molla shpëtohet. Çfarë qëndron në mes është një fushatë e vërtetë politike dhe një debat gati ideologjik i asaj që ndodh sot në botë. Një parathënie e asaj që po vjen, e ku e sakrifikuar është Liria.
“Jemi në vitin 2016. Askush nuk do t’ia dijë për lirinë. Sot njerëzit luftojnë për standardin e jetesës, jo për të drejtat qytetare”.
Fjalë – helm që lëshohen nga kreu i templarëve të sotshëm, pasardhëse e monarkes spanjolle të kohës së Aguilar, Ellen Kaye, që luhet nga Charlotte Rampling. Fjalë që lëshohen nga një individ që personifikon elitën dhe institucionet e saj më të qenësishme. Liria ka pushuar pra së qeni kërkesë, për t’u shndërruar kështu në histori të një brezi që nuk jeton më.
Pajtimin fatal të kësaj ideologjie cinike e bën Jeremy Irons në rolin e një shkencëtari, Alan Rikkin, i cili beson më shumë te kauza e templarëve, ose më mirë inxhinerimi i tyre social, sesa te shkenca si e tillë.
“Njerëzimi duket se është krijuar të shkatërrojë veten”, thotë Rikkin, i cili ia ka besuar projektin Animus, të bijës.
“Ne krijojmë lavdinë për të ardhmen”, vijon ai dhe Madhëria e saj, Kaye. Çka do të thotë se korrigjimi njerëzor sipas disave kërkon ndërhyrje radikale, riprojektim social e më tej, riprodhimin e modeleve, heronjve dhe të vërtetave zyrtare që krijojnë atë perden e manipulimit dhe perspektivën e dukshme ku zhvillohet historia.
Të vërteta që janë prekur në shumë filma, madje edhe në një nivel më të lartë. Por Assain’s Creed fton spektatorë të rinj që ta ndjekin, sepse më parë ka qenë videolojë. Pra personazhet e tij, skenografia dhe veshjet janë të njohura për një brez që është i parrahur me ide të këtilla. Cinizmi i “të keqit”(a ka më të tillë?) është në këtë rast jo një pozicionim skenik që stigmatizohet, por një ndjellje për aksion. Çka do të thotë se këto mesazhe nuk filtrohen dhe aq nga morali i supozuar i spektatorit që gjen tek Alan Rikkin personin që thotë të vërtetat më të mëdha. Dhe që madje është shumë i pasur.
Filmi me siguri kërkon marketingun e vet dhe serinë pasuese që e lë të hapur në mbyllje. Një zakon ky që është bërë i modës në shumë prodhime. Por mesazhet politike të tija, janë të papritura për atë që mendon se do të shohësh, e që me mbingarkesën me akte aksioni spektakolar, zhvishen nga peshat e gjykimit moral, për t’u kthyer ne klishe të gjithëpranuara. Filmat jo rrallë kanë parathënë diçka për jetën politike, jo pse ka një dorë që udhëzon, por sepse intuita e regjizorëve zbulon disa të vërteta. Këtu trilli niset nga një rrëfenjë biblike, që lidh pas vetes një pjesë të njerëzimit, atë kristian e hebraik, pra jo të gjithë njerëzimin. Ndaj prodhime si këto me mesazhe kaq të forta e sugjerojnë historinë e Perëndimit si vizion universal të botës që bën pjesë te magjia e kinemasë, por edhe te politika që ngre krye pas saj.
Add new comment