Garancitë e Vangjush Dakos nxjerrin nga burgu Lulzim Berishën
Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat
Kjo garanci mban firmën e Vangjush Dakos, kryebashkiaku socialist i Durrësit. Sipas raportimit të sotshëm të rrjetit BIRN, Gjykata e Apelit në Durrës ka marrë vendimin që Lulzim Berisha të lirohet nga burgu pasi ka bërë thuajse gjysmën e dënimit prej 25 vitesh. Berisha është i njohur për publikun dhe drejtësinë. Akuza ndaj tij ishte për disa vrasje dhe trafikim, por është përfolur jo rrallë si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Si është e mundur që ai la qelinë në kushtet kur flitet kaq shumë për reformën në drejtësi? Ku e gjetën guximin pra gjykatësit Arben Vrioni, Petrit Çenon dhe Anita Mici që të marrin këtë vendim.
BIRN sqaron se formalisht gjykatësit janë në rregull: i dënuari Berisha ka shlyer ¾ të dënimit prej 25 vitesh, pasi ndonëse ka bërë 10 vite e 8 muaj, ai ka përfituar tre ulje dënimi.
Përveç kësaj premise ligjore që mbështet vendimin Gjykata ka edhe dy garanci:
Një nga administrata e burgjev,e që deklaron zyrtarisht se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”.
Dhe e dyta nga garancia e Dakos se familja e Berishës nuk ka sjellë probleme dhe se Bashkia do të punësojë personin në fjalë në rast se nuk punësohet në sektorin privat. Pra do të ndihmojë riintegrimin e tij në shoqëri.
http://www.reporter.al/vendimi-i-lirimit-kryebashkiaku-i-durresit-garant...
Këtu mbyllet teatri shumë cinik i këtij procesi që ka sipër një vendim gjykate dhe dy firma të administratës së pushtetit të Edi Ramës. Dhe hapet teatri politik që nuk mund të anashkalojë pyetjen akuzuese: si ka mundësi të ndodhë kjo në dritën e një angazhimi të përgjithshëm për drejtësi? Kjo pyetje nuk mund t’i adresohet kryeministrit pasi ai është vartës në historinë e raporteve me persona që vijnë nga kryqëzimet me drejtësinë penale. Kjo pyetje i shkon z. Lu, ambasadori amerikan, që ka dalë si avokat dhe garant i reformës në drejtësi.
Menjëherë sapo u mor vesh vendimi ambasadori amerikan bëri këtë deklaratë:
Kreu famëkeq i krimit të organizuar Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme
Për arsye të panjohura? A mund të besojmë se vërtet ambasada e kabllogrameve informuese të mos dijë vërtet se përse është liruar Berisha? A mund të besohet se z. Lu nuk ka dijeni për përmbajtjen e vendimit që nxjerr në skenë një rol dhe kontribut të Vangjush Dakos, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste?
Vështirë të besohet kjo. Sikundër në këtë kuadër, akuza e ambasadorit për gjykatat është dyfish e gabuar: e para teksa shpall se “arsyet janë të panjohura”, z. Lu nuk ka sesi të deklarojë vendimin si të bazuar në premisa korrupsioni nga gjykata.
Dhe e dyta, ai duhet të tërheqë deklaratën tani që u zbardh se pas malit të madh korruptiv të Gjykatës doli në dritë llagëmi kullues i Bashkisë Durrës. Ose z. Lu bashkë me Edi Ramën le të japin një leksion mbi të drejtën penale në Universitetin e Durrësit ku të sqarojnë si është kjo punë, e këtë çështje ta marrin si casus.
Add new comment