Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit. Edhe kancelarja Merkel përgënjeshtron kryeministrin, Vettingu nuk është i vetmi kusht për hapjen e negociatave

Postuar në 28 Nëntor, 2016 17:38

"Asgjë e re nga fronti i Perëndimit"! Kështu mund të pëkufizohet vizita e kryeministrit Rama në Berlin. Në një konferencë ku nuk u lejuan pyetjet e gazetarëve, (ende e paqartë me kërkesë të cilës palë), Shqipëria nuk mori lajmin e shumëpritur për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Euorpian dhe aq më tepër kancelarja Merkel nuk përgënjeshtroi deklaratat e  kreut të grupit parlamentar CDU-CSU, Gynter Kirshbaum bërë në Tiranë për një listë me kushte që duhen përmbushur përpara se Brukseli të hapë dritën jeshile për negociatat.

Në fytyrën e kryeministrit nuk pati entuziazëm dhe ndoshta për të ka qenë një nga konferencat më të sikletshme pasi praktikisht nuk mori asgjë përveç frazës klishe se Gjermania mbështet Shqipërinë në Bashkimin Europian. Kancelarja Merkel ishte e drejtëpërdrejtë dhe konkrete për atë se çfarë i kërkohet Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. As më shumë e as më pak ato që përmendi edhe Kirshbaum në Tiranë. Madje duke nënvizuar se reforma në drejtësi është vetëm një prej kushteve.

“Është e rëndësishme që rruga e reformave të vazhdojë. KE-ja ka vendosur 5 prioritete dhe ndër to është reforma në drejtësi. Zbatimi i qëndrueshëm i kësaj reforme është kusht për integrimin. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë hapa që duhen kryer në mënyrë të përhershme. Kam parasysh edhe zgjedhjet që do të ketë Shqipëria. Unë besoj që janë arritur gjëra të rëndëssihme. I uroj mirëseardhjen kryeministrit shqiptar dhe më detajisht do të diskutojmë më vonë”- tha Merkel.

Megjithë qëndrimin e qartë të Merkel për listën e kushteve ku përfshihen dhe zgjedhjet e qershorit kryeministri u mundua ta përkthejë fjalën e kancelares si konfirmim i asaj që thotë qeveria se kusht i vetëm për hapjen e negociatave është zbatimi i Ligjit të Vettingut.

“Unë sot jam krenar që pasi u takuam në Berlin dhe ju ma bërë të qartë që për t’u bërë vend në BE e kemi mbështetjen tuaj, por na duhet reforma. Sot e kemi në kartën kushtetuese, të kryer këtë detyrë vetëm në letër, se tani është koha për ta implementuar dhe jemi mirëkuptues.E mbështesim kushtin e KE-së për çeljen e negociatave që të nisim zbatimin e Vettingut për gjykatësit dhe prokurorët, ashtu si nuk e vë në diskutim se progresi në të 5 prioritet duhet të jetë i vazhdueshëm”- deklaroi kryeministri, dukshëm i zhgënjyer nga atmosfera që gjeti në Berlin dhe pritshmëritë e tij.

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.