Vula e kryetarit, profili Facebook i ish-kryetarit dhe inkubacioni i "opozitarëve reformatorë"
Opozita shqiptare, të paktën ajo e përfaqësuar dhe mishëruar te Partia Demokratike e kualifikoi rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave sot nga Parlamenti Europian, si fitore të shumicës qeverisëse. Si arsye e parë e dukshme ishte "vota kundër" e PD-së. Pamjet e mëposhtme të një sherri mes deputëteve të saj, Aldo Bumçi dhe Majlinda Bregu e shtojnë dozën e rënies në pikiatë të PD-së, në planin politik, organizativ dhe atë programor. PD-ja luftoi fort në nivel mediatik për të popullarizuar një të vërtetë: Shqipërinë narkotike.
Por duke rrëmuar një realitet që më shumë sesa antiligjor po kthehet në normalitet ekonomik për një pjesë të madhe shqiptarësh, PD-ja nuk e ktheu idenë e drogës në kontrast me aspiratat e qytetarëve. Dhe këtu ka një arsye më shumë: duket se shqiptarët po binden se më mirë hyrja në BE, e gjetkë, edhe kështu si jemi, sesa të presësh nga politika shqiptare. Integrimi është shndërruar pra në një lloj emigrimi institucional që ofron shpresën e fundit për shqiptarët.
PD-ja sot nuk ka një qartësi edhe për koalicionet elektorale, ajo nuk po i karikon dot fermenet e kundërshtimit, pasi opozitë ndaj kësaj qeverie ka. Dhe këtu duhet të shohë patjetër nga vetja. Me situatën e krijuar në SHBA dhe me garancinë që jep aktualisht hapja e negociatave, PD-së i bie shumë mundësia për të luajtur me kartën e zakonshme të standardeve zgjedhore, duke qenë se sot merr prioritet stabiliteti. Por kjo situatë e ka një të mirë patjetër. PD-së, nëse dëshiron të mbetet aktor me peshë në jetën e vendit, i duhet të luajë nga vendi e të bëjë opozitë të vërtetë. Në katër vite ajo konsumoi përfshirjen në intriga, në dixhi - politikë dhe në akuza me numër serial të pafundëm.
Ngado që ta rrotullosh, sido që ta bësh analizën e kësaj vije, del në përfundimin se, kjo opozitë arriti diçka me ligjin e dekriminalizimit dhe i shërbeu Sali Berishës për të mbetur në lojë. Rëgjimi i njëpasnjëshëm i “kauzave”, lënia e tyre në mes, na provon se pazari i zakonshëm ka funksionuar më së miri. Kuptohet në përfitim të disa xhepave. Nuk ka asnjë fije cinizmi të thuhet se vula e Lulzim Bashës nuk konkuroi dot as me profilin Facebook të Sali Berishës.
Ndaj është koha që kryetari i PD-së të provojë sesa vlen politikisht. Ai shumë mirë mundet që të vazhdojë të qeshë e të bëj ndonjë vizitë vërdallë, duke pritur se çfarë do thotë Berisha. Por ky është një kurs që çon në asgjësim. Hijet e qeverisjes së shkuar janë pesha që duhen larguar, duhen eliminuar. Dhe një nga këto është edhe Sali Berisha, protagonizmi i të cilit është kundërproduktiv. Njësoj si iluzioni i reformimit të PD-së nga zëra “reformatorë” që inkubojnë me ndihmën e PS-së, në pritje për të dalë nga veza kur 2017-a të konfirmojë humbjen e radhës.
Këta të fundit, që shkruajnë ndonjë opinion, e dalin si “ndryshe”, janë virusi tjetër të cilit i duhet shtypur koka, pasi janë kategoria që mban gjallë shpresa iluzive në politikë. Lulzim Basha dhe ndonjë tjetër që vërtet shpreson se dikur do të vijë në pushtet, duhet të ndryshojnë edhe optikën, për ta parë opozitarizmin me sytë e kundërshtimit qytetar dhe jo me frymën e militantizmit partiak. Përndryshe ato vota pd-istësh janë të sigurta, njësoj si koniunktura aktuale që e lë PD-në këtu ku është.
Ekipi i PD-së duhet të konsiderojë fat që ende sot konsiderohet si alternativë për pushtetin në kushtet kur praktikisht ka qëndruar varur te statuset në Facebook të Sali Berishës. Dhe ky ekip e ka për detyrë që të përgatitet edhe se çfarë do të thotë kur të humbasë zgjedhjet. Që të mos riciklohet dukuria PDR-2.0. Më mirë një opozitë e dobët sesa një pseudoopozitë. Kjo s’ka asnjë dyshim. Por që të mbahet në këmbë kjo duhet që PD-ja të pranojë rolin e aksionerëve të tjerë përveç dominimit të klanit Berisha.
Videot e debatit Bregu - Bumçi:
Add new comment