Rasti Veliaj, BE thirrje të shmanget censura në media (rekomandimi, dokument)
Bashkimi Europian shpreh shqetësim për censurën ndaj medias në Shqipëri, në prag të daljes së opinionit të përvitshëm mbi përparimin e vendit tonë, në pritje të hapjes së negociatave të antarësimit. ABC News ka siguruar draftin e rekomandimeve që do dalin nga mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, që do mbahet në Bruksel, javën e ardhshme, më 7 e 8 Nëntor. Në rekomandimin 12 të këtij dokumenti “u bëhet thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, për të krijuar një mjedis që nxit lirinë e vërtetë të medias dhe lirinë e shprehjes, duke shmangur çdo formë të censurës në media.”
Në dokument thuhet se këto rekomandime për Shqipërinë, janë dakordësuar mes ministres sonë të integrimit Klajda Gjosha dhe drejtores së Ballkanit Perëndimor në drejtorinë e zgjerimit të BE-së, Genovefa Ruiz Cavalera. Ndaj censurës në media në Shqipëri reagoi këtë të mërkurë edhe Federata Europiane e Gazetarëve, e cila mbështeti shqetësimin e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë për dështimin e qëllimshëm të seancës dëgjimore në komisionin e medias me ish-drejtoren e lajmeve të A1News, Alida Tota. Ajo u pushua nga puna pas një investigimi të bërë gushtin e kaluar në landfillin e Sharrës, nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, ku humbi jetën 17 vjecari Ardit Gjoklaj.
Pak javë më vonë u mbyll emisioni investigativ Publicus, një ditë para se të transmetonte një investigim të ngjashëm në landfillin e Sharrës.
Add new comment