Lojërat e errëta të Tiranës zyrtare/Pse Donald Lu bën PR e Edi Ramës dhe pse urdhërat e Erdogan zbatohen në Shqipëri?
Presidenti bëri me dije sot se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen e kanabisit. Është padyshim një goditje e fortë për qeverinë e cila e ka futur veten në një luftë reale me mediat dhe opozitën për këtë çështje dhe në një luftë gjysmake me trafikantët. 3 tonë të kapura vetëm sot flasin se diçka po goditet në këtë drejtim, por ama edhe se deri më sot kultivimi ka lulëzuar i qetë nën hundën e një policie që flitet se është prekur edhe nga konflikte të brendshme.
Kryeministri nga ana e vet, si njeriu politik përgjegjës për këtë situatë dhe menaxhimin e saj, doli ditë më parë me një letë r në dorë të nënshkruar nga Komisioneri Europian për Çështjet e Brendshme, Avramopulos për të thënë se “drogë nuk ka”. Ajo edhe po është “është në mendjen e SHQUP-it”.
Mirëpo sado që kjo përgjigje “spontane” synon të eliminojë vlerën e akuzave të përditshme dhe fakteve që evidentohen në media, ajo nuk ka ndonjë peshë përballë nismave institucionale si mbledhja e Këshillit të Sigurisë. Çështja e drogës është serioze dhe ajo do të jetë serioze për një kohë të gjatë dhe sikur Edi Rama të fitojë me 2 milionë vota në vitin 2017. Kërkohet pra një minimum serioziteti dhe një farë përgjegjësie në këtë drejtim. Vetë kryeministri postoi sot një status që flet se ai e sheh edhe këtë punë në kuadër të lojës për imazh:
“Takim i dobishem me miq, partnere, perfaqesues te huaj ne vend, per suksesin e represionit policor dhe sfiden e parandalimit te kanabisit”, shkruan Rama.
Përtej këtij “njoftimi” për takimin e tij me diplomatët e huaj në Tiranë nuk ka asnjë informacion zyrtar. Shqiptarët nuk do dinë se çfarë ka thënë z. Kryeministër në atë takim, se çfarë faktesh dhe shifrash ka përmendur, ka nxjerrë mbi tavolinë letrën “Avramopulos”, raportin fantazmagorik të Guardia di Finanza, apo thjesht ka mbajtur një seancë ku ka folur pa ndalim për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër që fare mirë mund të jetë edhe një Gjeneratë e Imunizuar nga droga. Sikur kryeministri të zbardhte diçka nga ky takim, me siguri spekulimet dhe hamendësimet do të merrnin fund, njësoj sikurse do të shihej nëse video promocionet antidrogë në Facebook, do të kishin vlerë si argument përpara diplomatëve apo jo. Media këtë punë ka: të kërkojë informacion, të pyesë, të shtrojë pyetje, të krahasojë, të spekullojë sa kohë ASGJË nuk publikohet nga qeveria.
Dramacitetin komik që prodhon kjo situatë e plotëson deri në fund ambasadori amerikan Donald Lu, i cili po sot, por ndoshta kjo është rastësi – doli në një konferencë komunikimi live. Lu kishte kohë që nuk shfaqej me zë dhe me figurë, ai ka dalë sot duke folur edhe për drogën.
“Puna e Guardia di Finanza-s, shërbimit Italian që ka fluturuar mbi Shqipëri për të hartëzuar prodhimin e drogave të paligjshme ka arritur në përfundimin se kultivimi i drogës është rritur gjatë vitit të kaluar. Ajo që kam thënë më parë dhe dua ta përsëris tani është se e gjithë qeveria e Shqipërisë duhet të bëjë më shumë. Si partnerë të huaj, mendoj se edhe ne duhet të bëjmë më shumë. Më lejoni të përmend disa nga gjërat që Shtetet e Bashkuara i bëjnë tashmë. Së pari, Agjencia e Anti-Drogës e SHBA – DEA – po punon ngushtë me autoritetet Shqiptare për të arrestuar trafikantët e drogës – peshqit e mëdhenj – dhe jemi veçanërisht të përqendruar tek ata që trafikojnë heroinë dhe kokainë nëpërmjet vendit tuaj. Megjithatë, dua vërtet të them për të gjithë ata që janë kritikë e asaj që po ndodh dhe luftojnë në media për problemin e drogës, kërkesa që kam për të gjithë ata është: ndaloni sherret dhe të përpiqemi të gjejmë një mënyrë që edhe të pranojmë problemet serioze që ndodhin në Shqipëri por edhe të punojmë sëbashku për t’i luftuar ato”, tha ndër të tjera Lu.
Ai ka minimizuar kështu problemin e kanabisit, duke trajtuar drogat e forta. Nuk ka asgjë fyese të themi se dalja e njëkohshme e Lu dhe Rama, sikundër ky lloj trajtimi i problemit, jo vetëm nuk japin përgjigje, por ngjajnë se i bëjnë PR kryeministrit të Shqipërisë. Është shumë ndikuese kjo sjellje e Lusë, pasi dihet leximi i qëndrimeve të SHBA-së në Shqipëri. Në kushtet kur droga është realitet ekonomik i përhapur gjerësisht, fjala “përpjekje” pa një rezultat është në fakt mbulim dhe administrim i notës ngelëse për qeverinë. Një pyetje e vetvetishme qëndron pezull: Si mundet të relativizohet ky problem dhe të trajtohet kaq qetë, kur vetë ambasadori na thotë se DEA është në Tiranë?!!!
Z. Lu është diplomat dhe e di shumë mirë se kjo sjellje në këtë moment i rreh shpatullat Edi Ramës dhe pjesëmarrja në këtë lojë vetëm luftës kundër drogës nuk i ndihmon. Nuk ka po ashtu asgjë të qartë se cili është interesi i Lu apo ambasadës amnerikane në këtë mbështetje absurde për këtë kryeministër, cilat janë ato koniunktura, vendime apo axhenda që justifikojnë këtë “verbëri” që po krijon shumë stres.
Dhe kjo pyetje vlen edhe për një aspekt tjetër: marrëdhëniet e posaçme të Edi Ramës me presidentin turk, Erdogan. Sot doli lajmi se institucioneve dhe mediave të asociuara me Fetullah Gulen u ka vajtur letra e largimit. Një kërkesë e pastër e një presidenti të një vendi të huaj për një axhendë që s’ka të bëjë me Shqipërinë. Gulen, njësoj si Beçhetti, sa për të sjellë një shembull janë palë kontraktuese me shtetin shqiptar. Largimi i tyre në këto forma krijon kosto, ndërkohë që zbulon pushtetin e madh të Erdogan mbi kryeministrin shqiptar. Cila është fija që mban Edi Ramën të lidhur pas urdhrave të Erdogan? Cili është interesi i Shqipërisë në këtë lojë? Edhe për këtë urdhër, nuk ka asnjë njoftim zyrtar, asnjë reagim. Janë mediat që e publikuan.
Le të imagjinojmë për një çast sesi do të ishte nëse askush nuk do ta pyeste dhe kërkonte llogari këtij njeriu, askush nuk do të publikonte materialet e papëlqyeshme. Se në cilat maja do të arrinte arroganca e tij. Dhe pse nuk ka tranpsarencë për gjëra me vlerë edhe spekulimi mediatik, ai që i ka prishur gjumin fiton dobi, sepse ia deformon axhendën dhe ia rrit kostot lojërave të tij të errëta. Të cilat nuk dihet më se kujt i shërbejnë.
Add new comment