Veliaj leh sepse Prokuroria fle

Postuar në 11 Tetor, 2016 13:01

Ka tri ditë që në disa media po qarkullon një lajm sipas të cilit një emision investigativ në “Vizion Plus” nuk është lejuar të transmetohet pasi aty hulumtoheshin gjëra të pakëndshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Emisioni merrej me landfillin e Sharrës, aty ku duart e Erjon Veliajt kanë lënë disa gjurmë që janë identifikuar tërthorazi edhe mbi dy kufoma. Gjurmë të papërgjegjshmërisë, të shkeljeve ligjore, gjurmë interesash, të kamufluara pas shpalljes së projekteve rilindëse. Media të tjera e kanë investiguar çështjen: edhe atë ku gjeti vdekjen Ardit Gjoklaj, edhe një rast tjetër më të hershëm, ku humbi jetën Myrvete Duka. Asnjë përgjigje nuk pati bashkia për këto çështje.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka imituar eprorin e tij në këtë drejtim. Ai përgjigjet vetëm kur akuzën e bërë në media e rimerr Partia Demokratike, pasi më pas e ka të lehtë që ta hedhë poshtë atë duke e cilësuar, si në përmbajtje edhe në formë, si tezë të diskredituar të një opozite të diskredituar. Këtë ka bërë “automati” Veliaj edhe kësaj radhe. Ndonëse njoftimin për ndalimin e emisionit e dhanë vetë producentët, pati edhe një intervistë të posaçme, ai preferon të merret me PD-në:

“Jam informuar dje nga një deklaratë e Partisë Demokratike dhe mediat e koordinuara prej saj me akuzat e radhës – tanimë thuajse të përditshme – kësaj here për një emision të pa transmetuar në Vizion Plus...Me një mori punësh që ka Tirana, as nuk kam kohë e as interes të merrem me çdo histori që shpiken në dhoma montazhi, seli partie e duzinë portalesh pranë tyre”, nis recitalin Erjon Veliaj, i cili nuk ka asnjë rëndësi që të jepet i plotë.

Është një recital i vjetër dhe i dalë boje, që ushqen një betejë boshe mes të akuzuarit dhe një akuzatori serial si opozita, duke shmangur ndërkohë punën e medias si të shkëputur nga politika. Edhe pse jo nga Politikat e enteve mediatike.

Mundësinë për ta vazhduar këtë teatër, njerëz si ky Erjon Veliaj apo edhe Edi Rama, e fitojnë dhe rigjenerojnë sa kohë që me marrëveshje nuk hyn në veprim hetimi penal. Një hetim penal efektiv që të çon të paktën në gjykatë, ku fjala humbet atë cilësinë imunitare që të jep zhurma e përditshme e akuzave. Nga kjo pikëpamje inskenimi dypalësh është utilitar edhe për qeverinë, por edhe për opozitën që nesër do vijë në qeverisje, pasi likujdon peshën e vërtetë të medias dhe shkurajon përgjegjshmërinë e saj.

Po të marrim vetëm rastin e z. Veliaj gjatë qëndrimit në krye të Bashkisë, do të sjellim disa momente kur shkeljet e tij janë konstatuar nga media, por kur asnjë trajtim real penal e ligjor nuk ka patur.

Së pari është falsifikimi i firmës së inspektorit të bashkisë gjatë protestës së PD-së. A ka një përfundim ky hetim, që nisi me kallëzim nga i dëmtuari?
Nuk dimë gjë.

Rasti i dytë janë ngjarjet e Sharrës ku humbën jetën dy njerëz. Kryetari i Bashkisë në fillim heshti, priti 3 ditë, por mandej u detyrua të hante një darkë me Ilir Metën, që kontrollon Prokurorinë. Pasi bëri këto hapa, për të cilat Veliaj nesër mund të na akuzojë se i imagjinojmë ne, ai doli dhe tha: “Të presim prokurorinë se çfarë do të thotë...”.

Një rast tjetër është ai me gazetaren Alida Tota që siç u tha humbi punën pse po kërkonte në sirtarin e punëve të mëdha të Bashkisë së Erjon Veliajt, një institucion që për ata e dinë e ka shumë zët zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit.

Ky vakuum në reagim dhe sidomos në hapjen e hetimeve reale, REALE, jo nga ato të një prokurorie që drejtohet nga një njeri që “bën gjoja sikur kërcënohet”, i jep gojën Veliajt dhe më lart, Edi Ramës që të krekosen e më tej edhe të bëjnë moral. Të dalin e të llapin se ata janë oshënarët e se çdo gjë që thuhet është e pavërtetë. Këta juristë Facebooku mund të bindin militantët, se sa për të tjerë, ata që shohin e duan të shohin, këto janë vetëm lehje në kushtet kur ligji fle në xhepat e Lallës.

Comments

Submitted by Uliksi (not verified) on

Shume qytetare te mençur qe votuan Erjon Veliajn zbuluan gjate vitit te pare te tij si kryetar bashkie sesa genjeshtar, hipokrit, fals dhe i korruptuar eshte Lali Eri, ndersa rasti i Arditit tregon qe ai eshte edhe krejt i pashpirt. Prokuroria duhet ta hetoje deri ne fund dhe minimalisht te kete fatin e Shukriut.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.