AKIP: Ligji për mbetjet, nuk janë grup interesi vetëm pronarët e fabrikave. Protestë më 1 tetor
Kryeministri Edi Rama dhe disa deputëtë apo ministra pas tij po e mbrojnë ligjin për importin e mbetjeve duke dhënë garanci për listën e mbetjeve që dontë riciklohen dhe me faktin se kështu do të ketë efekte pozitive edhe mbi mjedisin. Po kështu kryeministri ka theksuar disa herë se ky nuk është i njëjti ligj me atë të vitit 2011, por po verifikohet se këto argumente nuk po bindin shumëkënd. Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka shpërndarë një deklaratë pas takimit që Rama zhvilloi me kompanitë e riciklimit. Sipas AKIP ligji i miratuar ka ndjekur një procedurë që konsumon disa shkelje:
“AKIP hedh edhe një herë poshtë pretendimin se ligji i miratuar së fundmi është i ndryshëm nga ai i vitit 2011. Në formë the në thelb, ligji i fundit është ekzaktësisht i njëjti me atë të vitit 2011 dhe si i tillë, duhet rrëzuar.
Ligji për importin e plehrave është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar pa kaluar në procedurat e rregullta ligjore të konsultimit publik, duke shkelur ligjin "Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik" të miratuar nga shumica parlamentare aktuale si dhe Konventën e Aahrusit, të cilën Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar në vitin 2000. Në kuptimin e konventës së Aahrusit, një ligj i tillë me ndikim negativ në mjedis, duhet të konsultohet para së gjithash me komunitetet që jetojnë pranë fabrikave që do të importojnë plehra. Por pavarësisht se ligjet janë në fuqi, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kryeministri Rama kanë vendosur të "konsultohen" vetëm me njërën palë, palën e importuesve të plehrave, duke injoruar në këtë mënyrë palën tjetër, popullin shqiptar, i cili, në ushtrim të të drejtave të veta kushtetuese, ka bërë sakaq katërcipërisht të ditur se nuk e dëshiron importin e plehrave dhe nuk e gjykon si me leverdi për vendin zhvillimin e një industrie ndotëse”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Më tej duke vënë gishtin te mënyra me të cilën u miratua ligji, reagimi ndaj të cilit duket se befasoi qeverinë, AKIP kërkon rrëzimin e tij dhe nisjen e njjë procesi të gjerë konsultimesh.
“Me dëshirën që diskutimi mbi importin apo jo të plehrave, të mos bjerë në spekulime, kërkojmë nga qeveria që të pezullojë menjëherë ligjin e miratuar dhe paralelisht, të nisë një proces konsultimi publik të vërtetë dhe transparent, në përputhje me ligjet për Njoftimin dhe Konsultimin Publik dhe në përputhje me Konventën e Aahrusit.
AKIP i bën thirrje popullit shqiptar të na bashkohen në protestën e madhe në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë më 1 tetor 2016”, thuhet në deklaratë.
Add new comment