Beogradi zyrtar: Nuk mbështesim referendumin për shkëputje të Republikës Srpska
Beogradi zyrtar ka deklaruar një pozicion neutral në dukje ndaj referendumit në Republikën Srpska, parashikuar për t’u mbajtur në vitin 2018. Njoftimet zyrtare mbi një takim në Beograd të kryeministrit serb, Aleksander Vuçiç me presidentin e RS-së, Milorad Dodik, përcjellin këtë qëndrim të Serbisë rreth nismës së marrë nga serbët e Bosnje Hercegovinës.
“...presidenti dhe kryeministri thanë se nuk mbështesin referendumin, por nuk duan të ndikojnë në asnjë mënyrë në ndryshimin e sjelljes politike të politikanëve të zgjedhur në mënyrë legjitime në këtë entitet”, përsëritet deklarata e përfaqësuesve të Serbisë, publikuar fillimisht në 1 shtator.
Dodik është propozues i ndarjes së Republikës Srpska mbi pretekstin e shkeljes së marrëveshjes së Dejtonit që rregullon kuadrin kushtetues dhe të drejta e entiteteve të ndryshme në Bosnje Hercegovinë. Si firmosës i marrëveshjes, Beogradi zyrtar i ka duart të lidhura për të deklaruar mbështetjen e hapur për një referendum që duket se lidhet edhe me karrierën politike të Dodik. Për më tepër që Vuçiç e ka lidhur politikën e tij të Jashtme me qëndrime koherente me ato të komunitetit ndërkombëtar që mban autorësinë dhe peshën kryesore për akte si Dejtoni apo qoftë edhe kalimi gradual nga Marrëveshja e Kumanovës drejt Pavarësisë së Kosovës.
http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2016&mm=09&dd=09&nav_id=99168
Add new comment