Bie “Influenca e Papërshtashme”. Bëhet: “Ndërhyrje jo proceduriale, publike apo private...”?

Postuar në 22 Gusht, 2016 17:15

Influenca e Papërshtatshme? Ky është ai termi që mbiu si papritur në ligjin për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, konkretisht pika 3, neni 13. Në sajë të punës së ekspertëve dhe të një procedure misterioze inkuadrimi, neni ishte formuluar kështu:

Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj".

Mazhoranca deklaroi se do ta riformulojë, duke njohur potencialin e tij censurues, edhe pse demkat që shkruajnë për partinë, u përpoqën ta relativizojnë.

Do të riformulohet, dakord. Po si do të jetë neni i ri? Një përgjigje na e jep zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, i cili edhe ky e cilëson zhurmën e bërë për nenin e mësipërm, si “pa kuptim”.

Thotë Isaraj në profilin e vet në Facebook:

“Duke lënë mënjanë fjalët e huaja, të komplikuara dhe me shumë kuptime, na duhet pak qetësi, shqipërim e qartësim...dhe pika 3, neni 13...ligji për SPAK-un...Bëhet :

"Çdo lloj ndërhyrjeje jo proceduriale, publike apo private, e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm, që ndikon mbi pavarësinë e tyre gjatë ushtrimit të detyrave, ndalohet dhe dënohet me ligj".

Dhe pak më poshtë flet profesori i Filozofisë së të Drejtës:

“Por në fund.... nga ligji dhe zbatimi i tij, “askush nuk mund të fitojë pa humbur dikush tjetër” – thoshte Seneka”.

E qartë kjo e Senekës. Vetëm se mos vallë me nenin fillestar humbiste publiku dhe fitonin ca “të zgjedhur”? Pyetje kjo për t’i gjetur ndonjë kuptim zhurmës që u ka prishur rehatinë socialistëve.

Dhe më tej: me Ndërhyrjen jo Proceduriale, publike e private, përfshihet p.sh deklarata e një zyrtari, apo e ndonjë politikani, që cilëson autoritetin gjykues, e nesër edhe atë hetues, si “serial killer”? Se siç tha Plaku Merre – ai i filmit, jo ky i politikës – "Fjalët i ke të bukura". 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.