Etnomuzikologjia shqiptare në udhëkryq

Postuar në 21 Gusht, 2016 15:58
Spiro J. Shetuni*

Klasifikimi, tipologjizimi, grupimi i muzikës tradicionale shqiptare në dialekte, nën-dialekte dhe stile të ndryshëm muzikorë, sipas krahinave etnografike, zonave, qyteteve, fshatrave, herë-herë, s'është kuptuar drejt, as teorikisht dhe as praktikisht.  Sado e pa-orthodokstë që të duket, madje edhe ndër studiues të profesionit, është vërejtur një lloj hezitimi për të pranuar nocione teorikë themelorë, si: dialekt muzikor, nën-dialekt muzikor, stil muzikor.  Në të vërtetë, legjitimiteti i nocioneve të tillë, është i njohur mirë prej kohësh, si në etnomuzikologjinë shqiptare, ashtu edhe atë ndërkombëtare.  Ndonëse në mënyrë të tërthortë, me analizat tipologjike të saj, edhe linguistika shqiptare ndihmon për një klasifikim sa më shkencor të muzikës tradicionale shqiptare.



1.Në etnomuzikologjinë shqiptare, herë-herë, mjerisht, është vërejtur një paqartësi e shquar, si përsa i takon kuptimit të nocionit dialekt muzikor, ashtu edhe përsa i përket kuptimit të nocionit stil muzikor.  Së pari, në disa raste, në mënyrë parimisht të gabuar, është shprehur mendimi sipas të cilit klasifikimi i muzikës tradicionale shqiptare në dialekte, nën-dialekte dhe stile të ndryshëm muzikorë, sipas krahinave etnografike, zonave, qyteteve, fshatrave, i kundërqëndron njësisë kulturoro-artistike kombëtare, ose së paku e përfaqëson atë (njësinë kulturoro-artistike kombëtare) në mënyrë të shtrembër!  Arsyetimi, pak a shumë, bëhet si vijon:


  • “Në vend që të themi ‘stili muzikor i Malësisë së Madhe, i Malësisë së Vogël, i Mirditës, i Matit, i Dibrës,’ etj., përse të mos themi vetëm ‘dialekti muzikor geg,’ i cili, në të vërtetë, i përfshin stilet e mësipërm?!” Ose:

  • “Në vend që të themi ‘nën-dialekti muzikor tosk, myzeqar, çam,’ përse të mos themi vetëm ‘dialekti muzikor tosk,’ i cili, në të vërtetë, i përfshin nën-dialektet e mësipërm?!” Apo: “Në vend që të themi ‘stili muzikor i Skraparit, i Kolonjës, i Devollit, i Gorës, i Oparit, i Mokrës,’ etj., përse të mos themi vetëm ‘nën-dialekti muzikor tosk,’ i cili, në të vërtetë, i përfshin stilet e mësipërm?!”  Ose:

  • "Në vend që të themi 'stili muzikor i Kurveleshit, i Lopësit, i Lunxherisë, i Zagorisë, i Gjirokastrës, i Smokthinës, i Himarës, i Dukatit, i Pilurit, i Bënçës,’ etj., përse të mos themi vetëm 'dialekti muzikor lab,’ i cili, në të vërtetë, i përfshin stilet e mësipërm?!" Ose:

  • “Në vend që të themi ‘stili muzikor i qytetit të Shkodrës, i qyteteve të Shqipërisë së Mesme dhe të Kosovës, i qytetit të Beratit, i qytetit të Përmetit, i qytetit të Vlorës,’ etj., përse të mos themi vetëm ‘dialekti muzikor qytetar,’ i cili, në të vërtetë, i përfshin stilet e mësipërm?!”



Kështu, është lënë të kuptohet se, gjatë procesit të klasifikimit të përgjithshëm të muzikës tradicionale shqiptare, nocioni stil muzikor mund të mos përdoret fare!  Në të vërtetë, një arsyetim i tillë, tregon thjesht se, kuptimi i nocionit stil muzikor nuk është i qartë, ose dashur-padashur keq-interpretohet!  Njësia kulturoro-artistike kombëtare e muzikës tradicionale shqiptare, e cila ekziston objektivisht, nuk do të ruhej aspak duke mos vënë në dukje stilet muzikorë përfaqësues të çdo dialekti muzikor.  Nëse do të veprohej në këtë mënyrë, vetëm se mënyra e ekzistencës së saj, s’do të pasqyrohej drejt.



S'ka as edhe një arsye, sado të vogël, artistike ose jashtë-artistike, për të menduar se, diferencimi lëndoro-substancial e strukturoro-formal i muzikës tradicionale shqiptare në dialekte, nën-dialekte e stile të ndryshëm muzikorë, i kundërqëndron njësisë kulturoro-artistike kombëtare, ose së paku e përfaqëson atë (njësinë kulturoro-artistike kombëtare) në mënyrë të shtrembër.  Një dukuri e tillë duhet parë vetëm si:  i)  shprehje e së vërtetës objektive mbi mënyrën e ekzistencës së muzikës tradicionale shqiptare;  ii)  tregues i pasurisë lëndoro-substanciale e strukturoro-formale të muzikës tradicionale shqiptare;  iii)  shprehje e gjallësisë, vitalitetit, përtëritjes, që fiton muzika tradicionale shqiptare nga koha në kohë.



Së dyti, në raste të tjerë, në mënyrë parimisht të gabuar, është shprehur, gjithashtu, mendimi sipas të cilit nocioni dialekt muzikor mund të zëvendësohet pa kurrfarë shqetësimi me nocionin stil muzikor!  Arsyetimi, pak a shumë, bëhet si më poshtë:


  • “Në vend që të themi ‘dialekti muzikor geg,’ përse të mos themi ‘stili muzikor geg’?!” Ose:

  • “Në vend që të themi ‘dialekti muzikor tosk,’ përse të mos themi ‘nën-dialekti muzikor tosk’?!” Apo: “Në vend që të themi ‘dialekti muzikor tosk,’ përse të mos themi ‘stili muzikor tosk’?!”  Ose:

  • “Në vend që të themi ‘dialekti muzikor lab,’ përse të mos themi ‘stili muzikor lab’?!” Ose:

  • “Në vend që të themi ‘dialekti muzikor qytetar,’ përse të mos themi ‘stili muzikor qytetar’?!”



Kështu, është lënë të kuptohet se, gjatë procesit të klasifikimit të përgjithshëm të muzikës tradicionale shqiptare, nocioni dialekt muzikor mund të mos përdoret fare!  Në të vërtetë, një arsyetim i tillë, tregon thjesht se, as kuptimi i nocionit dialekt muzikor dhe as kuptimi i nocionit stil muzikor, nuk janë të qartë, ose dashur-padashur keq-intepretohen!  Nëse nocioni dialekt muzikor do të mund të zëvendësohej thjeshtësisht me nocionin stil muzikor, atëherë klasifikimi, tipologjizimi, grupimi i muzikës tradicionale shqiptare do të ishte aq subjektiv, aq personal, aq arbitrar, saqë vlera e tij—teorike e praktike--do të vihej seriozisht në dyshim.  Për më tepër, një klasifikim i tillë, kishte për të qenë, sa absurd, nga pikëpamja teorike, aq edhe i pamundur, nga pikëpamja praktike.  Pastaj, nëse do të ecej në këtë rrugë, besueshmëria shkencore e etnomuzikologjisë shqiptare me siguri që do të rrënohej plotësisht!



Së treti, në mënyrë parimisht të gabur, është shprehur mendimi sipas të cilit nocioni stil muzikor mund të zëvendësohet lehtësisht me nocionin ngjyrim lokal!  Arsyetimi, pak a shumë, bëhet si vijon:


  • "Në vend që të themi 'stili muzikor i Malësisë së Madhe, i Malësisë së Vogël, i Mirditës, i Matit, i Dibrës,’ etj., përse të mos themi 'ngjyrimi lokal i Malësisë së Madhe, i Malësisë së Vogël, i Mirditës, i Matit, i Dibrës’?!” Ose:

  • "Në vend që të themi ‘nën-dialekti muzikor tosk, myzeqar, çam,’ përse të mos themi ‘ngjyrimi lokal tosk, myzeqar, çam’?!” Apo: “Në vend që të themi ‘stili muzikor i Skraparit, i Kolonjës, i Devollit, i Gorës, i Oparit, i Mokrës,’ etj., përse të mos themi ‘ngjyrimi lokal i Skraparit, i Kolonjës, i Devollit, i Gorës, i Oparit, i Mokrës’?!”  Ose:

  • “Në vend që të themi 'stili muzikor i Kurveleshit, i Lopësit, i Lunxherisë, i Zagorisë, i Gjirokastrës, i Smokthinës, i Himarës, i Dukatit, i Pilurit, i Bënçës,’ etj., përse të mos themi 'ngyrimi lokal i Kurveleshit, i Lopësit, i Lunxherisë, i Zagorisë, i Gjirokastrës, i Smokthinës, i Himarës, i Dukatit, i Pilurit, i Bënçës’?!” Ose:

  • “Në vend që të themi ‘stili muzikor i qytetit të Shkodrës, i qyteteve të Shqipërisë së Mesme dhe të Kosovës, i qytetit të Beratit, i qytetit të Përmetit, i qytetit të Vlorës,’ etj., përse të mos themi ‘ngjyrimi lokal i qytetit të Shkodrës, i qyteteve të Shqipërisë së Mesme dhe të Kosovës, i qytetit të Beratit, i qytetit të Përmetit, i qytetit të Vlorës’?!”



Kështu, është lënë të kuptohet se, gjatë procesit të klasifikimit të përgjithshëm të muzikës tradicionale shqiptare, nocioni stil muzikor mund të mos përdoret fare!  Në të vërtetë, një arsyetim i tillë, tregon thjesht se, kuptimi i nocionit stil muzikor, nuk është i qartë, ose dashur-padashur keq-interpretohet!



2. Nocionet teorikë të një fushe të caktuar diturore--në rastin tonë, nocionet dialekt muzikor, nën-dialekt muzikor, stil muzikor--janë elementë të rëndësishëm të analizës e të studimit.  Prandaj ata nuk duhet të shpërdorohen asnjëherë.  Me ‘ta nuk mund të luhet në të njëjtën mënyrë, ashtu sikurse luan, p.sh., një pianist xhazi, i cili, melodikisht, e ndryshon vazhdimisht një pjesë të caktuar muzikore!  (Siç dihet, teknika muzikore kryesore e të gjithë muzicienëve të xhazit është improvizimi.)  Nocionet teorikë nuk mund të kenë përmbajtje subjektive, personale, arbitrare.  Brenda një fushe të caktuar diturore, ata përdoren gjithmonë me marrëveshje, pra, askurrë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht.



Le të ndalemi në nocionin dialekt muzikor.  Derimë sot, një nocion i tillë, është përdorur gjerësisht në studimet etnomuzikologjike shqiptare:  ai nuk është, as një term i ri, as një term i panjohur, për këto studime.  S’ka asnjë lloj dyshimi se, nocioni dialekt muzikor vjen nën ndikimin e tipologjisë së gjuhës shqipe.  Dihet se gjuha shqipe grupohet në dy dialekte bazë:  geg, tosk.  Duke u përdorur në kontekstin etnomuzikologjik, nocioni dialekt gjuhësor tashmë shndërrohet në nocionin dialekt muzikor.  Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, ai i jep në mënyrë aq të qartë e aq të përcaktuar grupimet themelore lëndoro-substanciale e strukturoro-formale të muzikës tradicionale shqiptare, të ashtu-quajtura dialekte muzikorë:  geg, tosk, lab, qytetar.  Prandaj zëvendësimi i nocionit dialekt muzikor me nocionin stil muzikor, gjatë klasifikimit të përgjithshëm të muzikës tradicionale shqiptare, siç u vërejt ca më sipër, kishte për të qenë, sa absurd, nga pikëpamja teorike, aq edhe i pamundur, nga pikëpamja praktike.  Që të mund të bëj një paralelizëm të thjeshtë, asnjë gjuhëtari serioz shqiptar nuk besoj që t’i ketë shkuar ndonjëherë në mendje që nocionin dialekt gjuhësor t’a zëvendësojë me nocionin stil gjuhësor!  Duhet mësuar nga saktësia shkencore e linguistikës shqiptare, sidomos nga analizat tipologjike të saj!



Të ndalemi tani tek nocioni stil muzikor.  Derimë sot, ai është përdorur gjerësisht në studimet etnomuzikologjike, shqiptare ose ndërkombëtare.  Një nocion i tillë, nuk është, as një term i ri, as një term i panjohur, brenda studimeve të tilla.  Duke u përdorur fillimisht në fushën e muzikologjisë, e cila është një fushë diturore historikisht më e vjetër sesa etnomuzikologjia, ai erdhi duke u përdorur në mënyrë të natyrshme edhe në fushën e etnomuzikologjisë.  Prandaj, mospërdorimi i tij brenda qerthullit të klasifikimit të përgjithshëm të muzikës tradicionale shqiptare, do të ishte thjesht një mohim i arritjeve të deri-sotme të etnomuzikologjisë.  Natyrisht, duhet treguar kujdes që nocioni stil muzikor të përdoret gjithmonë estetikisht drejt.



Vijmë kështu tek nocioni ngjyrim lokal.  Derimë sot, ai s’është përdorur ndonjëherë në studimet etnomuzikologjike, shqiptare ose ndërkombëtare.  Një nocion i tillë, në vetvete, jep shkas për interpretime të ndryshme:  është gjithmonë e paqartë se çfarë hapësire etniko-socialo-gjeografike do t’i përkiste ai:  një fshati, një qyteti, një zone etnografike, një krahine etnografike, apo një grup-krahinash etnografike!  Teorikisht, ai mund t’i takonte çdo hapësire etniko-socialo-gjeografike!



Në të vërtetë, nocioni ngjyrim lokal, fillimisht, u përdor në gjysmën e parë të shekullit XX në studimin letraro-filologjik me titull Për gjenezën e literaturës shqipe, të gjuhëtarit, filologut, sudiuesit të madh shqiptar, Eqrem Çabej (Çabej 1939).  Ironikisht, vetë studiuesi i shquar, nuk pretendoi ndonjëherë se ishte duke përdorur një nocion bazë brenda fushës së etnomuzikologjisë.  Duke mos qenë etnomuzikolog, ai e përdori nocionin ngjyrim lokal në mënyrë krejtësisht të lirë.  Nuk e kuptojmë se përse tani ky nocion u dashka përdorur si një nocion bazë, kur vetë muzikologjia dhe etnomuzikologjia ndërkombëtare kanë ardhur me nocionin stil muzikor?!



3.Dialektet, nën-dialektet dhe stilet muzikorë themelorë të muzikës tradicionale shqiptare kanë lindur historikisht nën veprimin e faktorëve ekonomiko-shoqërorë e kulturoro-artistikë.  Pra, ata janë dukuri kulturoro-artistike objektive e kohës sonë.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, dialektet, nën-dialektet dhe stilet muzikorë themelorë të universit muzikor tradicional shqiptar, nuk janë aspak trillim i mendjes së studiuesit.  Për këtë arsye, të mos i përgjithësosh teorikisht ata, do të thotë t'i afrohesh idealizmit, mendimeve subjektiviste;  t’i përgjithësosh teorikisht ata, do të thotë t’i afrohesh materializmit, së vërtetës së gjallë.  Mospranimi i dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve muzikorë themelorë të muzikës tradicionale shqiptare, në disa qarqe shkencoro-artistike vendase, është edhe shprehje e paragjykimeve mbi të sotmen dhe të ardhmen e kësaj muzike.



“Larmia zonale e lokale është jo vetëm përqasje me specifikën e kushteve të jetesës, por edhe respekt traditash, madje edhe shfaqje e gjallërisë krijuese kulturore--vë në dukje filozofi, esteti, studiuesi  i madh shqiptar, Alfred M. Uçi--.  Në raport me proceset standartizuese, uniformuese, që sjellin monotoni në sferën e kulturës e të artit, kjo larmi përbën një epërsi të padiskutueshme.  Ajo është shprehje e forcës krijuese të kombit dhe nuk i kundërqëndron aspak njësisë së tij, që forcohet vazhdimisht.  Përvoja tregon se larmia krahinore, lokale është një mënyrë e ekzistencës së kulturës popullore.  Në këtë kuptim, sa kohë do të ekzistojë kultura popullore, do të ekzistojë edhe larmia e saj krahinore, lokale.”  (Uçi 1986:288-9).



Si përfundim, parimisht, mund të shtrohen tri çështje me rëndësi të veçantë, teorike e praktike, si për të sotmen, ashtu edhe për të ardhmen, e etnomuzikologjisë shqiptare:


  • Përse, në disa raste, në mënyrë parimisht të gabuar, është shprehur mendimi sipas të cilit klasifikimi i muzikës tradicionale shqiptare në dialekte, nën-dialekte dhe stile të ndryshëm muzikorë, sipas krahinave etnografike, zonave, qyteteve, fshatrave, i kundërqëndron njësisë kulturoro-artistike kombëtare, ose së paku e përfaqëson atë (njësinë kulturoro-artistike kombëtare) në mënyrë të shtrembër?!

  • Përse, në raste të tjerë, në mënyrë parimisht të gabuar, është shprehur, gjithashtu, mendimi sipas të cilit nocioni dialekt muzikor mund të zëvendësohet pa kurrfarë shqetësimi me nocionin stil muzikor?!

  • Përse ende, në raste të tjerë, në mënyrë parimisht të gabur, është shprehur mendimi sipas të cilit nocioni stil muzikor mund të zëvendësohet lehtësisht me nocionin ngjyrim lokal?!



Çështjet e mësipërme pa dyshim që e fusin çdo studiues etnomuzikolog, i cili i ka kushtuar jetën hulumtimit të muzikës tradicionale shqiptare, në mendime të thella.  Prandaj ai s’ngurron që të pyesë:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të moskuptimit të nocioneve teorikë të klasifikimit të muzikës tradicionale shqiptare?!  Apo mos ndoshta edhe për të errësuar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, arritjet e derisotme të etnomuzikologjisë shqiptare në aspektin e klasifikimit, tipologjizimit, grupimit?!  Mendime të tilla janë thjesht shprehje e subjektivizmit!  Janë thjesht shprehje e personalizmit!  Janë thjesht shprehje e arbitrarizmit!  Nëse, në  rrafsh teorik, ato shtrembërojnë kuptimin e nocioneve themelorë etnomuzikologjikë, në rrafsh praktik, e diskreditojnë etnomuzikologjinë shqiptare, si brenda, ashtu edhe jashtë, vendit.



*Autori është prof.dr. dhe jep leksione në Universitetin Winthrop, Rock Hill, South Carolina, në SHBA

 

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.