Papafingo e krismës së thatë*
Partia Socialiste festoi solemnisht miratimin më 22 korrik të reformës në drejtësi, duke ngarkuar Fatmir Xhafën me pregatitjet e ceremonisë që u mbajt në Pallatin e Brigadave. Si të thuash një ceremoni diplomimi për atë që arriti politika shqiptare falë vizionit të kryeministrit Rama, pa të cilin siç tha Fatmir Xhafaj “kjo reformë historike nuk do të ishte e mundur”.
Modestia në këtë pikë duhet mirëkuptuar pasi edhe Partia Socialiste ka hyrë në një rrugë reformimi, të cilës i janë përshtatur edhe më të vjetrit. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, ajo që la shije të hidhur në këtë ceremoni ishte përballja e dy aletëve që sot qeverisin vendin, Edi Ramës dhe Ilir Metës.
I pari u shfaq me garancinë se është i përzgjedhuri i ndërkombëtareve për të çuar përpara një mision që mund të kryhet vetëm prej tij , ndërsa i dyti i bindur se opozita nuk është më pak e rëndësishme sesa partnerët e huaj. Për kontributin e kryeministrit, Ilir Meta pati një falenderim të thatë “si iniciues i kësaj reforme” ndërsa për Lulzim Bashën “liderin e opozitës që në dy muajt e fundit bëri përpjekje të lavdërueshme për të gjetur rrugën e konsensusit, një falenderim të veçantë”.
Nga ana tjetër kryeministri është i vetëdijshëm se aleati i tij është në flirt të hapur me Partinë Demokratike, dhe këtë e nënkuptoi me këndvështrimin e palëve për datën e miratimit të reformës në drejtësi “Sepse unë thashë: 21 Korriku, Sali Berisha thotë 22 korriku, Kryetari i Kuvendit thotë mesnata mes 21 dhe 22 korrikut””
Ajo që mund të pritet ndoshta do të jetë një “papafingo e krismës së thatë”, si për ta thënë me një titull të huazuar fundin e një qeverie që mund të rrijë në këmbë formalisht, por që realisht duhet të përgatitet për një tjetër ceremoni..
Add new comment