Rënia e koalicionit qeverisës dhe çështja “periferike” “Tahiri”
Dita e sotme ka qenë e ngarkuar me zhvillime politike që përqendrohen te deklaratat e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Koalicionit qeverisës i mungon tanimë baza mbështetëse, mungon vullneti i një pale konstituive të tij, që ka ndasi thelbësore, pse jo interesa të kundërta me palën tjetër, konkretisht PS-në.
Por ndërkohë që brenda mazhorancës priteshin lëvizje të tilla, Partia Demokratike mbajti në axhendë dy çështje që lidhen me të njëjtin person: ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Së pari, gjatë paradites deputeti Zeneli, deklaroi se PD-ja do të paraqesë prova filmike implikuese për policinë, të grabitjes në Rinas. Një ngjarje që e vuri në siklet Tahirin.
Së dyti, pak minuta më parë, ndonëse ka zhvillime të rëndësishme, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, drejtuesi kryesor i opozitës, ka preferuar të mbajë të hapur çështjen “periferike” të Tahirit. Duke rikthyer gjithsesi akuza shumë të rënda që lidhen me vrasjen e Elton Çiços. Thotë Berisha me mesazhin e oficerit dixhital:
"Pershendetje doktor. Arma qe fshehu polici ne vend ngjarje ku u vra Elton Çico nga ekspertiza rezulton e se esht arma e Bismir Çibinit ushtarit te Shullazit ish nendrejtorit te policise per Tiranen aktualisht zevendesdrejtor i doganave te Shqiperise!Keto te dhena i jane derguar Ardian Çipes i cili me urdher te ministrit nuk i dorezon ne prokurori.Po shtoj Elton Çiça, ka në pronësi të tijën lokal bar XXL përballë "Gjuheve të Huaja" në emër të e vëllait të tij Antonel Çiça ky i fundit në burg Angli për trafik droge. Eltoni ka qenë 4 vjet i dënuar në Francë dhe 2 vjetër në Greqi për trafik droge dhe ka një çështje në gjykim në Itali për "Associazione Delinquera".. Është djali i tezës se Tërmet Peçit -Kr Bash Tepelenë. Eltoni është shoku me i ngushtë i Besmir Qibinit. Islam Qibini jati i Besmirit është djalë teze me Edmond Targaj. Eltoni është një kokave që drejtonin çunat e Tepelenas që janë dërguar prej tij dhe marrë nga Edmond Targaj në Dibër"(https://www.facebook.com/SaliBerisha/?fref=ts).
Akuza është shumë e rëndë: mosdorëzim provash në prokurori.
Ndaj Tahirit pra po grumbullohen edhe njëherë retë e një 'stuhie' ku zgjidhet marrëdhënia e koalicionit. Ministri i Brendshëm është pika e dobët e PS-së në qeveri, pasi perceptohet se është i shantazhueshëm dhe në kushtet kur Edi Rama po këmbëngul me negociata për të plotësuar numrin 71 në rast se LSI largohet, duket se Tahiri fiton një rol si mjet presioni. Një presion që po arrin ndoshta fundin dhe mund ta transformojë ministrin e Brendshëm në një viktimë të parë politike të çarjes mes PS-së dhe LSI-së. Natyrisht kjo do të ishte një fitore edhe për opozitën, pasi skandali që nuhatet nga pas është shumë i madh. Diçka u paralajmërua dy ditë më parë me një pyetje që iu drejtua Tahirit për një urdhër arresti ndaj tij. Siç ndodh rëndom, gjithçka mund të negociohet në orët në vijim, por ajo që është e qartë dhe të cilës Edi Rama refuzon t’i japë përgjigje politike është një fakt: Koalicioni ka rënë.
Add new comment