Edhe Koço Kokëdhima kundër miratimit të njëanshëm të reformës në drejtësi
Mënyra sesi Partia Socialiste kërkon të miratojë reformën në drejtësi po gjen kundërshtarëedhe vetë brenda saj. Ish- deputeti dhe aktualisht Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, Koço Kokëdhima thotë se “Reforma në drejtësi, Partia Socialiste nuk mund ta miratojë në parlament jashtë konsensusit me opozitën, apo duke menduar për të rekrutuar deputetë të saj”.
Më poshtë qëndrimi i plotë i Kokëdhimës:
“Shqipëria ka nevojë për një reformë të suksesshme të drejtësisë, ashtu siç ka nevojë për reformimin e institucioneve të tjera kushtetuese, me qëllim që sistemi ynë politik dhe kushtetues të dalë nga agonia 25-vjeçare. Nevoja ulëritëse për një drejtësi funksionale dhe të besueshme, nuk duhet t'u shërbejë si alibi palëve të përfshira, vendase dhe të huaja qofshin, për të bërë secila interesat e veta dhe për t'i imponuar vendit gabime të reja, po aq të rënda sa ato që janë bërë në të shkuarën. Reformën në drejtësi, ne nuk mund ta miratojmë në parlament jashtë konsensusit me opozitën, apo duke menduar për të rekrutuar deputetë të saj. Qeveria dhe opozita duhet të merren vesh me njëra-tjetrën. Është e pashëndetshme dhe e papërshtatshme për Shqipërinë, që shumica jonë parlamentare ta çojë reformën për drejtësi në Parlament, me idenë se do t’i "kaparosim" dy-tre deputetë besëthyer nga grupi i opozitës. Reforma për drejtësi duhet të shkojë në parlament me konsensus të opozitës dhe vetëm pasi drafti i ndryshimeve të Kushtetutës të jetë në përputhje me standardet e kushtetutave të demokracive të tjera parlamentare të BE-së. Kjo do t'i shërbejë forcimit të paqes dhe integrimit real të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rruga që kërkojnë disa për ta bërë reformën pa opozitën, është rruga e rrezikimit të paqes së vendit dhe e shkatërrimit të bashkëpunimit dhe dialogut politik. Kështu do të komprometohej edhe arsyeja e supozuar se, urgjenca e miratimit të reformës është e lidhur vetëm me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Reforma duhet të bëhet në rrugë kushtetuese dhe legjitime. Kjo nuk do të thotë se Saliu dhe PD-ja kanë të drejtë të mbajnë peng vendin. Kur ka vullnet dhe strategji për t'i bërë gjërat si duhet, dhe kur palët u dalin për zot, secila përgjegjësive të veta, janë ose gjenden edhe rrugët e mira për ta realizuar edhe reformën në drejtësi, edhe reformat e tjera. Drafti i reformës së drejtësisë duhet të jetë në përputhje me kriteret e mirëpranuara ndërkombëtarisht për ndërtimin e kushtetutave të vendeve demokratike dhe në respekt të kulturës, përvojës, traditës dhe të sovranitetit të vendit”.
Add new comment