Haxhinasto i bie rrotull aksit Kavajë-Plepa. Leksione për solidaritet dhe vullnetarizëm. Asnjë zanore apo bashkëtingëllore për përgjegjësitë e tij
Shqipëria ka më shumë vullnetarizëm dhe solidaritet. Kështu është shprehur sot nga Librazhdi, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili kishte menduar që të shfaqej para mediave bashkë me disa nxënës të shkollës “Vasil Kamami” në pastrimin e sinjalistikës së dëmtuar. Rruga është pjesë e aksit Rrogozhinë – Kapshticë, ka kushtuar 7 miliardë lekë dhe për sinjalistikën duhen 300 milionë euro. Këto tha ministri.
Të gjitha janë ose duket se janë të vërteta. I vërtetë është edhe sikleti i madh i ministrit që thërret në ndihmë disa fëmijë për t’u shfaqur njerëzor, pas asaj që ndodhi në aksin Kavajë-Plepa. Dhe jo vetëm një herë, por dy herë. Dhe në të dyja rastet, aksidentet tragjike ndodhën edhe për shkak të shkeljeve të mëdha nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në standardet e sigurisë dhe sinjalistikës rrugore. Kur ministri flet për nevojën e financimeve, ai hedh idenë se puna nuk është aq e lehtë. Por ngjarjet e zbardhura nxorën në pah shkelje të pastra, aty ku investimi ishte kryer. Nxorën në pah moszbatimi vendimesh të gjykatës nga vartës të tij, nxorën në pah favorizim subjektesh private, të lidhur me kabinetin e tij, nxorën në pah kërkesa zyrtare nga Policia për të vënë dorë aty ku kishte rrezik. Por njësoj siç ministri Haxhinasto heshti gjatë gjithë kësaj kohe për përgjegjësinë e tij në këto që ndodhën, edhe ministria e tij ka heshtur duke i bërë bisht përgjegjësive që i kërkoheshin nga institucione të tjera.
Sot ministri, që meriton këto radhë vetëm për atë që nuk bëri për të parandaluar aksidentet, i bie rrotull vendit të aksidenteve, sa në rrugën Durrës-Kukës, në Librazhd, gjithnjë me shpresën se ajo që ndodhi do të harrohet dhe se duhet vendosur në një plan më të gjerë për sigurinë rrugore. Kjo mund të ndodhë kur ky ministër, adapt për qeveri si kjo e Edi Ramës, do të marrë kurajën dhe përgjegjësinë e të flasë për atë që ndodhi në Kavajë, për përgjegjësitë e tij, përpara se në mënyrë hileqare dhe tinzare t’u tregojë njerëzve se ka nevojë për solidaritet e vullnetarizëm.
Add new comment