Kavajë, abuzim me 80 ha tokë bregdetare. Tjetërsuar në tokë bujqësore, shpërndarë dhe rishitur!!!
80 hektarë tokë bregdetare janë tjetërsuar në dokumentacion duke u pasqyruar si tokë bujqësore dhe mandej janë shpërndarë. Këtë konkluzion ka arritur Prokuroria e Kavajës e cila dërgoi për gjykim, lidhur me këtë çështje, ish-drejtuesin e Hipotekës Fatos Gjuzi, ish-kryetarin e Komunës Gosë si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.
E gjithë kjo veprimtari që përbën shkelje masive, ka ndodhur me një sipërfaqe në zonën e Vilë-Bashtovës, e cila aktualisht është në sekuestro preventive. “Këtë sipërfaqe, e cila tashmë është nën sekuestro preventive, ish-zyrtarët ua kanë kaluar në pronësi disa familjeve bujqësore, të cilat nuk kanë asnjë dijeni se janë pronarë të hapësirave në bregdet. Më pas, këto toka, ish-zyrtarët ua kanë shitur personave të tretë. Sipas Prokurorisë, ish-kryetari i komunës Gosë, Sinan Shala dhe ish-zyrtarët lokalë të ndarjes së tokave, Nezir Leçini, Myzafer Xhelilaj e Idriz Thaçi, falsifikuan të gjithë dokumentacionin, në bazë të të cilave rreth 80 hektarë tokë bregdetare, e cila nuk lejohej ligjërisht të ndahej është regjistruar si tokë bujqësore. Falsifikimi është bërë duke ngjitur në regjistrat përkatës disa letra të rreme, në bazë të të cilave Këshilli i Rrethit Kavajë kishte miratuar ndryshimin e destinacionit të tokës. Pasi kanë ndryshuar destinancionin e tokës nga bregdetare, në tokë arë, e kanë shpërndarë atë në disa familje bujqësore të zonës”, raporton “Vizion Plus”(http://vizionplus.al/abuzimi-me-80-hektare-toke-ne-bregdet/?mobile).
Një skandal i përmasave të mëdha që mandej është mbulur në nivel dokumentacioni nga ish-drejtuesi i Hipotekës, Gjuzi.
Add new comment