Në gjurmët e Jean “shqiptarit”
Ishin shkrimet e botuara së fundi mbi ushtrinë hitleriane në Shqipëri dhe raportet e tyre mbi pamundësinë e shqiptarëve për të qeverisur që menjëherë më kujtuan mikun tim francez, Jean Dutzer, i cili në ato kohë të errëta ishte dërguar me forcë në frontin shqiptar në radhët e një regjimenti gjerman. I telefonova menjëherë, duke menduar se pak shpresa do të kisha ta gjeja gjallë, pasi ai duhej t’i kishte kaluar tashmë të 90-at. Por jo, Jean Dutzer, “Jean partizani”, siç e cilësonin në gazetën “Bashkimi” të vitit 1945, ishte gjallë dhe në formë. I fola për shkrimet e pasura të “Milosaos” dhe e lamë të takoheshim përsëri. Kishte ngut të më dëgjonte. Dhe në fund të bisedës, nga ana tjetër e telefonit, unë dëgjoja fjalët e tij të shqiptuara në shqip: “E dua shumë Shqipërinë… Rroftë Shqipëria”…
M’u kujtua që para disa kohësh, para se të nisesha në Tiranë, ai më kishte telefonuar duke më thënë: “Më së fundi ordinatorin e rregullova. Mund të më dërgosh email. Madje tani kur hap ordinatorin, ai hapet me himnin e flamurit shqiptar!
Shqiptaria e këtij francezi është e rrallë, nostalgjike, gati mitike. Kur në fund të mesazheve email, nganjëherë ai shtonte “Jean, partizani brigadës njëzetedy”, kjo më bënte të qeshja. Madje dhe kur më fliste fjalë shqiptare të mësuara para pothuajse 60 vjetësh si “bukë”, “mirë”, “shumë mirë”, “ftohtë”, “ujë”… kjo gjë e bënte të këndshëm atë njeri me fytyrë të ëmbël, i cili, kur do të nisesha, pyetjes sime se ç’donte t’i sillja nga Shqipëria, ai iu përgjigj menjëherë: “Muzikë shqiptare”! Kënga ishte ajo që e ngrohte më shumë.
Është një njeri me një humor të rrallë. Kohët e fundit, ai e ka përfunduar një dorëshkrim historik mbi jetën e tij, ku një pjesë të rëndësishme zënë kujtimet shqiptare, pasi historia e tij është e pazakontë, dhe jo më kot të afërmit e tij shpesh e thërrasin “Jean l’albanais” pra “Jean shqiptari”. Si vallë ky francez i Moselle-s, jo larg kufirit të dikurshëm franko-gjerman, e bëri Shqipërinë një “atdhe” të dytë?
Drejt rrugës së Arbanës
Meqë isha në Tiranë, doja t’i bëja një surprizë mikut tim francez. Doja të fotografoja kodrinat e Arbanës, fshatin, ndërtesat, njerëzit, për t’i çuar mikut tim, imazhe të një kohe të shkuar dhe për t’i zgjuar kujtimet e rinisë. Dhe ndërkohë që fotografoja ato rrugë e shtëpi të vjetra, ngrehinat e reja e të bukura, mendoja gjithnjë për itinerarin e jetës së atij njeriu, i cili pikërisht në Arbanë, kishte pikëtakuar lirinë.
Kur Franca ishte pushtuar në vitin 1941 nga Gjermania, Jean ishte një djalosh i ri që pyeste veten se ç’do të bënte në të ardhmen. Bashkë me familjen e tij, ai kalonte një jetë të paqtë e plot ëndrra, por papritmas, qiejt u nxinë dhe trupat e Wermahtit u dyndën dhe në Moselle. Ashtu si mijëra të rinj të krahinës së Alsace-Lorenës, edhe Jean-in e angazhuan me forcë në trupat e Wermahtit. I veshën një uniformë gjermane dhe e nisën për në front. Ata do të hynin në histori me emrin “Malgré nous”, (“Ne që nuk donim”). Në fillim e dërguan në frontin e Rumanisë, nga ku mban mend fytyrat e shqetësuara të ushtarëve gjermanë, e pastaj në Sofje të Bullgarisë. Por të luftonte për Gjermaninë naziste, atij i dukej jo vetëm absurde por dhe e tmerrshme. Ai e kishte të vështirë të quhej ushtar i ushtrisë hitleriane dhe që në fillim mendoi veçse një gjë: si mund të ikte, të zhdukej, të arratisej dhe t’i largohej kësaj murtaje. Por si? Ku? Si mund të ndodhte kjo mrekulli. Vetëm kur batalioni i tij u dërgua në Maqedoni, zemra e tij filloi të ngrohej, shpresat t’i ngjallen.
Ai nuk i harron shëtitjet e atyre ditëve në Manastir, udhëtimin me tren në Shkup, duke u përpjekur të gjente një mënyrë për të ikur. Por ku? Dhe ja, një ditë dëgjoi tri vajza që flisnin frëngjisht. U ishte afruar, kishte folur me to, duke u thënë se ishte një francez. Pak më vonë, ai u kishte kërkuar ta ndihmonin që t’ia mbathte. Dhe ato i premtuan se të nesërmen do të vinin me dikë… Por që nga ajo ditë, ai s’do t’i takonte më ato tri vajza me fytyrë aq të ëmbël.
“Që herët në mëngjes ne e lamë Manastirin. Më vinte keq që ato vajza, që u treguan të gatshme të më ndihmonin, tashmë s’do të më gjenin në vendin e caktuar për të më ndihmuar të arratisesha. Niseshim për në Tiranë. Një karvan i gjatë ushtarak dhe shumë armatime. Një rrugë e vështirë, e pashtruar që shpesh shkonte anash pyjeve, por meqë kolona ushtarake ishte shumë e gjatë, ne mbërritëm të qetë në Tiranë. Shumë pak gjëra dija nga Shqipëria, për atë vend të vogël të pushtuar nga Musolini në vitin 1939 dhe që gjatë pesë shekujve kishte qenë e pushtuar nga perandoria osmane. Por kur mbërrita në Tiranë, pata përshtypjen se isha në një vend të Orientit, me xhamitë dhe muzikën orientale që dëgjohej nga dyqanet. Mua më çuan në një vilë në periferi të qytetit, ku përmes aparaturave përgjoheshin bisedat ajrore të aviatorëve anglo-amerikanë. Atje më priti një ‘feldewebel’, pra një adjutant, me një ton të ashpër, pasi ai nuk u besonte shumë francezëve të mobilizuar me forcë në ushtrinë gjermane. Megjithatë, unë u njoha me disa djem simpatikë, njëri prej të cilëve kishte jetuar shumë vite në Nju Jork, të tjerë para lufte në Angli kishin jetuar. Njëri nga ata, që kishte lindur në Berlin, kishte një mbiemër tipik francez: Verberné. Një tjetër quhej Chavoir dhe ishte me origjinë nga Liege, e Belgjikës. Menjëherë e kuptova se ata e njihnin shumë mirë anglishten, ndryshe nga unë… Që të nesërmen më ulën para një aparati radioje të madhe që të mundësonte të interceptoje bisedat e ekuipazhit të avionëve anglo-amerikanë dhe këto informacione duheshin transmetuar në një radio-goniometrike që ndodhej diku nga Shijaku, çka lokalizonte fluturimin e avionëve mbi Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit. Gjermanët atëherë mendonin gjithnjë për një zbarkim të mundshëm të Aleatëve në Ballkan. Meqë nuk kuptoja mirë anglishten, pra jo ndonjë gjë të madhe nga ato që thonin aviatorët anglezë, atëherë kopjoja tekstet e shokëve të mi pranë radiove në krah. Më kujtohet që një ditë bëhej fjalë për një radiostacion ‘Armchair Tower’ që dukej se ishte vendosur diku nga Afrika e Veriut. Por veç radios, dy herë në javë ne kishim detyrë të patrullonim në rrugët e Tiranës. Por shefi im më trajtonte gjithnjë me përbuzje si një ‘franzosen kopf’ (‘kokë francezi’). Natën, nga kodrinat rreth Tiranës, hera-herës dëgjoheshin disa krisma. Me këtë rast mësova se ‘banda partizanësh përfitonin nga errësira për të sulmuar gjermanët’. Por sidoqoftë një lloj qetësie mbretëronte në Tiranë, ku banorët paradite mbushnin kafenetë. Gjatë ditës dhe neve na lejohej të dilnim, por gjithnjë të armatosur. Shpesh dilja me belgun Chavoir dhe industrialistin berlinas Verbené, dhe ne flisnim midis nesh gjithnjë në frëngjisht. Ata nuk ishin entuziastë të ‘Rajhut të madh nazist’, por sigurisht unë nuk u tregova se doja me çdo kusht të arratisesha”.
Në sajë të miqve të tij, Jean kishte mundur të pajisej me një pistoletë “Beretta” dhe kështu, më së fundi ai vendosi t’ia mbathte me çdo kusht. Kur kishte mbërritur në Tiranë, uniforma e tij e “Luftwafes” (Aviacionit), ishte ndërruar në fakt me atë që kishin trupat gjermane të “Afrika Korps”. Një ditë në Tiranë, ai u njoh me doktor Beça-n, për të cilin kishte dëgjuar se ai kishte studiuar në Francë. Madje ai kishte një grua franceze, nga Toulouse. Një ditë, doktori e ftoi në shtëpi dhe atje u njoh me një italian që drejtonte ca cigane që merreshin me pastrimin e shtëpisë dhe të klinikës.
– Ishte një tip simpatik. Motra e tij ishte martuar me një gazetar shqiptar, Vangjel Fallo. – më kishte treguar një ditë Jean. – Duke i pohuar se nuk isha gjerman por francez, i kërkova atij të takohesha me Vangjelin, kunatin e tij.”
Të nesërmen, Jean mori rrugën e shtëpisë së gazetarit Vangjel Fallo, i cili fliste frëngjisht dhe për Jean ishte një mundësi rreth planit të tij.
– “Ishte një avantazh i madh për mua. Me mustaqet e tij të mëdha, ky njeri të ngjallte çiltërsi dhe shumë shpejt iu hapa, duke i folur rreth qëllimit tim. Ai nuk u habit me idenë time, madje më tha se do më ndihmonte që të bashkohesha me partizanët. Më pas, djaloshi Italian më njoftoi se Fallo, kunati i tij më priste në një shtëpi të Rrugës së Durrësit. Të nesërmen pasdite, duke prirë një qerre me një gomar që përdorej nga ushtria gjermane, shkova i vetëm drejt vendit të caktuar. Isha i armatosur dhe e braktisa qerren bashkë me gomarin që vazhdonte tutje, duke bërë nga shtëpia në fjalë, një shtëpi e vjetër, gati e braktisur. Kur hyra në hajat zemra më rrihte. Nuk dija se ç’më priste. Vallë do më kapnin dhe ekzekutonin? Megjithatë unë hyra i vendosur dhe atje pashë Vangjelin që më priste bashkë me një grup njerëzisht, gjithsej nja 5 apo 6 persona. Vangjeli bënte punën e përkthyesit. Dëgjoja shqiptarët që flisnin mes tyre dhe herë pas here thonin ‘po’, ‘po’… duke tundur kokat e tyre. Pastaj Vangjeli më tha se ata ishin dakord të më ndihmonin që të shkoja me partizanët shqiptarë. M’u lehtësua shpirti dhe thashë se ky mund të ishte fillimi i shpëtimit tim. Më thanë të ndiqja një djalosh nga pas. Pak më vonë dolëm nga shtëpia: ai përpara e unë pas. Njerëzit e thjeshtë të qytetit çuditeshin me këtë “gjerman” të vetmuar që ecte tashmë nëpër rrugicat e Tiranës, duke iu larguar gjithnjë e më shumë qendrës. Pastaj dolëm në ca fusha duke iu larguar gjithnjë e më shumë qytetit, gjithnjë drejt Arbanës. Kohë më pas u desh të kalonim një lum, që djaloshi e quante Erzen… Sapo hymë në fshat na pritën ca djem shtatlartë me kapele, me yllin e partizanit dhe me një mitraloz ‘Sten’. Kishin nga ato uniforma që u kishin marrë disa italianëve. Të tjerët ishin me rroba fshatare. Sapo u ndalëm, ata më morën armët, por pak më vonë më dhanë pushkën dhe pistoletën. Dukeshin njerëz të sprovuar dhe sigurisht në fillim kishin një lloj mosbesimi, por kjo shpejt kaloi…”
Natën e parë, siç më tregonte Jean, në një restorant të Parisit pranë “Sheshit Garibaldi”, ai e kishte kaluar nën ullinjtë e Arbanës që nuk i harron kurrë. Kishte qenë një natë e kthjellët, e shndritshme nga yjet, yje që ndoshta i kujtonin vendlindjen e tij, Moselle-n, familjen e tij, nënën dhe të atin që s’dinin asgjë për fatin e djalit të tyre të marrë me forcë. Vallë ishte vrarë? Në ç’front? Si? Kundër kujt?… Ajo natë ishte për të një natë dehëse. Ishte i dehur me lirinë, atë që kishte ëndërruar prej kaq kohësh dhe që rastësia kishte mundur ta realizonte. Herë-herë shikonte rojet partizane që kalonin rrotull, dhe dëgjonte krismat e mbytura diku në periferi të kryeqytetit. Ishte i lirë. Përqafonte lirinë.
– Sigurisht, shokët e mi do më kishin pritur në mbrëmje. Mungesa në kompani do të thoshte se ndoshta më kishin kapur guerilasit dhe do më kishin ekzekutuar… Isha 19 vjeç kur arrita te partizanët e Arbanës dhe unë e ruajta uniformën e “Afrika Korps”. Nja dy shoqe partizane më hoqën shenjat e ushtrisë gjermane dhe njëra nga to më qepi një ruban në krah, me ngjyrat kuq, blu dhe bardh që ishin simbolet e flamurit francez. Isha krenar me atë lloj flamuri të vogël në trupin tim. Një kohë tjetër fillonte. Isha i lumtur”.
Atë ditë kur unë mbërrita në zemër të Arbanës, fjalët e mikut tim Jean Dutzer m’u rikujtuan mjaft mirë. Zëri i tij më sillte kujtime të pashlyera. Ja ku ishte dhe lapidari, në këmbë të një kodrine, ku një diell po humbiste në një aureolë drite të bardhë dhe ne nxitonim të fotografonim lapidarin dhe shtëpitë aty pranë me mullarët e barit dhe jetën që gëlonte. M’u kujtua një ditë në Paris, kur rreth një vere të kuqe dhe fotografive të hapura mbi tavolinë, së bashku shikonim një fotografi të formimit të Brigadës 22 partizane. “E shikon? – më kishte thënë duke qeshur. – Atë ditë unë kam qenë këtu, në këtë shesh, por askund nuk shihet fytyra ime. Si duket e kanë retushuar, pasi në ‘vitet e Enverit’ ndoshta nuk donin që në ushtrinë shqiptare të shiheshin ushtarë të huaj…” Dhe kjo ndoshta mund të ishte e vërtetë. Sidoqoftë, këtë ai e thoshte si një lloj anekdote. Po kështu dhe historinë kur buzë lumit, ai ishte zhveshur lakuriq nga mesi e lart për t’u lartë, kur komisari e kishte folur mënjanë që të mos zhvishej më, pasi midis partizanëve kishte dhe partizane…
Në fakt, në vitin 1944, brigada ku ishte inkuadruar Jean Dutzer ishte nisur drejt veriut të Shqipërisë. Fundi i “lavdisë” hitleriane po trokiste. “Dy javë ecje të mundimshme, – shkruan ai në kujtimet e tij. – Ecim përgjithësisht natën. Prapa kemi lënë Krujën që mbahet ende nga gjermanët dhe ku ka një bateri të fuqishme topash. Kollonë në njësh, nën një shi të tmerrshëm ne shkojmë drejt Mirditës. Mbaj mend që kaluam një pyll të bukur, plot përrenj të rrëmbyeshëm, ku kalimi ishte i vështirë. Kemi mjaft municione, por ushqimet janë të pakta. Mushkat janë të ngarkuara dhe megjithëse ftohtë, ne flemë në tokë rreth një zjarri që na ngrohte disi. Banorët janë mikpritës. Janë katolikë dhe komunistët për ta nuk janë dhe aq të mirëpritur, por njerëzit e veriut i mban fjala e “Besës”. Më kujtohet një natë, në një nga ato kulla me frëngji të vogla ku ishim strehuar, që njerëzit e shtëpisë atje më kërkuan plumba, jo për të qëlluar mbi ne apo mbi gjermanët, por që t’i përdornin në rast se binin në ‘gjak’ me fshatarët e tjerë fqinj. U lashë të kuptoja se nuk mundja dhe ata nuk këmbëngulën. Morri i tifos atëherë bënte kërdinë dhe neve na duhej të luftonim dhe kundër tyre, pra luftonim dhe me morrat. Pa ngrënë, për një kohë të gjatë, në një të ftohtë të madh, gjatë atij marshimi të gjatë, filluan të më zinin ethet. U strehova në një nga kullat me shpresë se të nesërmen do të merrja veten. I vetmi ilaç ishte rakia që më derdhnin në gojë shokët e mi për të mbytur mikrobet. Ndërkohë Shën Pali mbahej fort nga ushtria gjermane. Meqë isha i mbytur nga ethet, të nesërmen, komisari më tha se nuk mund të vazhdoja më tej me shokët e mi në këtë operacion ushtarak dhe se duhej të qëndroja atje deri sa të shërohesha. Me trishtim ndiqja atë ditë largimin e shokëve si dhe kompanitë e fundit partizane. Por menjëherë, sapo ata u larguan unë mora një vendim: të bashkohesha përsëri me ta dhe me çdo kusht. Pak kohë më pas, kur ata më pikasën dhe vunë re se po bashkohesha përsëri me kolonën, të gjithë u habitën dhe thirrën të gëzuar. Kur komisari më pa, krenar për ardhjen time, ai u afrua dhe më dha një pushkë amerikane krejt të re me një karikator që kishte tri herë më shumë plumba se pushkët e zakonshme… Kështu ne filluam rrethimin e pozicioneve gjermane, duke pasur veçse një top që përdorej nga ushtarë italianë, të bashkuar me partizanët. Krismat filluan nga të katër anët, por gjermanët na përgjigjeshin me murtaja që midis nesh bënë mjaft viktima. Mbaja në kokë një qeleshe të bardhë por shpejt e kuptova gabimin dhe e hoqa. Kisha përshtypjen se gjermanët qëllonin më shumë nga ne, duke na detyruar që të shtriheshim shpeshhere barkas. Më së fundi, me hyrjen në luftë dhe të Brigadës VI, gjermanët u dorëzuan. Pati shumë të vrarë. Të tjerë ishin shtrirë në tokë, duke dhënë shpirt. Ishte një spektakël i tmerrshëm. Ishte luftë… Edhe pse ishin rrethuar, një pjesë e gjermanëve kishin mundur të largoheshin dhe të merrnin malet, duke lënë pas veçse 15 robër, të cilët dukeshin mjaft të frikësuar. Duke më parë me uniformën e ‘Afrika Korps’ dhe me shiritin trengjyrësh, me një qeleshe shqiptare dhe një pushkë amerikane, ata u përpoqën të më flisnin…”
Në kujtimet e tij, Jean Dutzer kujton dhe një takim interesant me një mision ushtarak kanadez që kishte ardhur në Shqipëri dhe që bënin pjesë në misionin e Forcave Aleate. Ishte koha kur brigada ku ishte ai po integrohej në Divizionin II të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. “Që prej disa ditësh ne kishim përshkruar nja 15 kilometra, duke kaluar përmes një pylli, kur ja tek pashë papritur një grup çadrash. Duke kaluar pranë tyre pashë ca djem shtatlartë që flisnin frëngjisht. Menjëherë u afrova nga ata. Ishin kanadezë dhe unë fillova menjëherë të bisedoj me ata. U thashë se cili isha, duke u shprehur dëshirën se doja të bashkohesha me ushtrinë franceze. Shefi i tyre më dha një letër për kolonel Palmers, që kishte zbarkuar në Vlorë. Vetëm ai mund të ma mundësonte këtë gjë. Ja pra që në Shqipëri ishin Aleatët. Vallë po përgatitej një zbarkim i Forcave Aleate në Shqipëri?… Kur u ndava nga ata dhe u bashkova me partizanët shqiptarë, i tregova menjëherë komisarit politik. E pashë që ai u shqetësua dhe menjëherë bisedoi me shefin e tij, i cili pastaj më thirri dhe më qortoi se përse kisha hyrë në biseda me aleatët. Ishte i zemëruar dhe me sa dukej, aleatët anglo-amerikanë në atë periudhë nuk shiheshin me sy të mirë nga partizanët. Ai e mori letrën për kolonelin Palmers dhe e grisi. Dy ditë më vonë, erdhën partizanë të tjerë dhe unë u bashkova me një kompani që kishte si komisar një agronom që fliste frëngjisht, Adem Deliu…”
Pas çlirimit të Pukës, brigada e partizanit Jean u nis drejt Malit të Zi, ndërsa Jean mori rrugën e kthimit në Tiranën e sapoçliruar. Sapo mbërriti në kryeqytet, atë e drejtuan në zyrat e Qarkut, pra tek Zyra e Intendencës, siç kujton ai, për të punuar për Intendencën. Ishte një ndërtesë afër qendrës, ku poshtë, në katin e parë ishin veçse municione, një lloj depoje armatimi, ndërsa lart, ishin zyrat e Qarkut. “Askush nuk mendonte se mjaftonte një incident që ato mina e granata të na hidhnin të gjithëve në erë! – më thoshte duke qeshur Jean.
Në Tiranë, Jean Dutzer përjetonte ditët e para të lirisë së Shqipërisë. Kryeqyteti pastronte rrugët, hiqte barrikadat, lidhte plagët, largonte tanket e djegur dhe telat me gjemba, por dhe gëzonte lirinë. Sigurisht, me uniformën e tij që mbante gjithnjë, ai bënte përshtypje, dhe kujtonte ushtrinë gjermane, por kur shikonin shenjat franceze, njerëzit e kuptonin. “Jo larg Intendencës sonë ishte një ndërtesë ku partizanët mbanin robër dhe e kishin kthyer në burg. Dëgjoja jo rrallë ulërimat e tyre. Shumë nga ata ishin të dënuar me vdekje nga gjykatat e improvizuara partizane. Krishtlindjet as që u festuan. Megjithatë atë ditë pashë se për shansin tim, aty kishte një gramafon, i cili kishte veçse një pllakë: ‘Bolero’ të Ravel. Gjithë atë natë kam dëgjuar me dhjetëra e dhjetëra herë ‘Bolero’-n e cila dhe sot s’më hiqet nga mendja”.
Pikërisht ato ditë në gazetën Jehona e Tiranës, në rubrikën “Vllazërimi i popujve në luftë”, një gazetar shqiptar, që mjerisht kishte vendosur vetëm pseudonimin e tij, “Burimi”, kishte botuar artikullin me titull “Jean-i, partizani francez i Brigatës XXII”. “E njoha ditën e inaugurimit të Brigadës sonë në Pezë, – shkruante ai, – më 16 shtator të vitit 1944. Ishte 20 vjeç, i veshur me uniformën e ushtarit gjerman. Në krahun e djathtë mbante trengjyrëshin e Francës…” Dhe më poshtë, në atë gazetë të zverdhur, që ai e mbante si një relike të shtrenjtë, miku i tij, partizani gazetar, kishte shtuar në historinë e personazhit Jean, tregimin e tij të shkurtër: “Që në fillim kam dashur të dezertoj nga ushtria gjermane, – më thoshte Jean, ndërsa ishim ulur nën hijen e një arre dhe po hanim drekën…”. Jean-it sot i vjen keq që nuk e di se kush ishte vërtet ai mik partizan. Kur Jean ma tregoi gazetën shqiptare në Paris, pranë shkrimit mbi të, ishte dhe një shkrim humoristik në rubrikën “Jehona e Tironës s’kuqe m’gaz” me titullin “Palitika e Plakës”. Jean më kërkoi t’ia përktheja, por sa nisa të lexoja, fillova të qesh. I shpjegova se ishte shkruar në një zhargon të vjetër të Tiranës, që tashmë pothuaj ka humbur. “Po si mri no’! Ti deshke halà esnofët nëpër Manastrina? I thosh se ata q’ishin me kaps e kishin shit pa e peshu fare indapandencën (lirinë e vatonit) Talës ne Allamonës. I thosh masnaj qi ktyne s’i bo dërmon mo as shejtani, se poplli e ka morë m’dorë pështetin ene qi ky popëll ka luftu katër vjet e nja dy çereka me rradhë akapatorin façist“…
Në një nga ato ditë të pranverës së vitit 1945, koloneli Parisot, i cili ishte në Romë, njoftoi Qendrën se misionet britanike, amerikane dhe ruse kishin mbërritur në Shqipëri. Menjëherë, i hipur në një avion “bi-motor” CESSNA ai u nis drejt Shqipërisë. Edhe pse pa një mandat të shkruar zyrtar nga vetë Gjenerali De Gaulle, në Algjer, në nxitim e sipër ai duhej të përfaqësonte Francën. Koha nuk priste të shkonte gjer në Algjer. Ishte një aventurë e bukur që ai ndërmerrte drejt një vendi që nuk e njihte dhe që kurrë nuk e kishte shkelur. Ishte avioni i parë francez që shkelte në tokën shqiptare. Pasi kapërceu Durrësin, avioni zbriti në Tiranë. Një major shqiptar me çizme të gjata dhe me kapelën me yllin e kuq, e priti, dhe menjëherë koloneli Parisot u vendos në hotel “Dajti”, ku ende dukej disi e fshirë fjala “DUCE”. Ai kërkoi të takohej menjëherë me Enver Hoxhën dhe të nesërmen, po ai major, kishte shkuar me një veturë luksoze dhe e kishte marrë. Enver Hoxha, siç shkruan në kujtimet e tij koloneli Parisot për udhëheqësit shqiptarë, i kishte folur për gjendjen politike dhe kuadrot e reja të dala nga lufta, pa folur mbi operacionet ushtarake dhe luftën që zhvillohej jashtë Shqipërisë, edhe pse ai ishte kryekomandant i ushtrisë shqiptare, dhe kjo gjë francezin e kishte habitur. “Por lumturisht, – shkruan ai, –Hoxha nuk më kërkoi një mandat të shkruar nga vetë Gjenerali De Gaulle apo nga instancat e tjera ushtarake”. Pasi hapi misionin e parë ushtarak francez, Parisot u njoh me Jean Dutzer, miqësi që do t’i rezistonte kohërave gjer sot, kur këto dy figura të luftës, janë miq mjaft të afërt. Parisot e angazhoi atë menjëherë, në misionin e tij, ku më pas do të vendosej ambasada franceze. Një nga detyrat e misionit ishte dhe grumbullimi i dezertorëve francezë që ishin angazhuar me forcë në ushtrinë gjermane. Kështu, misioni arriti të riatdhesonte përmes Romës, 25 francezë, të cilët u bashkuan me ushtrinë franceze dhe familjet e tyre.
Lidhur me këtë periudhë, Jean Dutzer kujton: “Atëherë shkoja shpesh në ‘Hotel Dajti’ dhe një ditë, në një tryezë pranë dëgjova që flisnin frëngjisht dy ushtarakë me uniformën britanike, por që mbanin emblemën franceze. Shkova menjëherë drejt tyre dhe u takova. U tregova historinë time. Ishte koloneli Parisot dhe lietnanti Cochet. Në sajë të ndërhyrjes së tyre pranë qeverisë shqiptare, unë u bashkova me misionin. Më kujtohet që ditën që u largova, miqtë e mi shqiptarë të Intendencës, më bënë dhuratë një motoçikletë të kuqe, çka do të më lejonte më pas të futesha në kampet ku mbaheshin të burgosurit. Kështu munda të gjej një nga Alsace, që quhej Martin E., të cilit i thashë të hipte pas meje në motoçikletë. Më kujtohet që duke dalë, përshëndeta rojet partizane dhe bashkëpatriotin tim e çova drejt e në Mision. Ai i mjerë ishte aq i hutuar kur u shfaq para kolonelit Parisot, saqë para tij përplasi këmbët, siç ndodhte në ushtrinë gjermane”.
Në një fotografi të asaj kohe bërë në tarracën e asaj ndërtese, duket Jean Dutzer me kolegët e tij të misionit. Por shumë shpejt koloneli Parisot do ta niste atë drejt Francës që të mund të takonte familjen e tij. Jean s’kishte asnjë lajm mbi ta: ç’bëheshin vallë? Hipur mbi një avion gjerman “Junker”, ai u nis drejt Marsejës dhe që andej drejt Parisit, ku nga “Gare de l’Est”, mori trenin për të shkuar në Metz. Ishte një tren i ngarkuar plot e përplot nga njerëz që ktheheshin në shtëpitë e tyre apo nga ata që ktheheshin nga lufta. Ai mbërriti në shtëpinë e tij një mëngjes herët dhe për t’u bërë surprizë prindërve, ai nuk shkoi nga porta por nga oborri i pasmë i shtëpisë. Ishte një takim i përmallshëm. Lot gëzimi. Por një kushëriri i tij i afërt, partizan i Rezistencës, ishte vrarë ditët e fundit të luftës. Babai punonte si axhustator në ofiçinën e hekurudhës… Megjithatë, qëndrimi i tij në Moselle do të ishte i shkurtër. Ai u nis drejt Romës, për t’u kthyer në Tiranë, kur një telegram e njoftoi se do të punonte në Misionin Francez të Romës… Takimi me Shqipërinë do të ndodhte vite më vonë, kur për herë të parë, pas më shumë se njëzet vjetësh do të takonte në Tiranë komisarin e tij të dashur, kirurgun Qiriako Lezho… Më tregoi me krenari “Kartën e tij të Partizanit” të Ushtrisë nacionalçlirimtare, me emblemën e një partizani dhe partizaneje. Pastaj më foli me nostalgji për mikun e tij Dhimitër Mandro, me të cilin kishte shkuar në Arbanë vite më vonë dhe kishte gjetur varrin e shokut të tij partizan Koço Caka. M’u kujtua miku im, Dhimitri, shumë vite më parë, fytyra e paqtë e atij njeriu të mrekullueshëm që kishte menduar se ajo që quhej “utopi komuniste” nuk mund të realizohej. Po, në trishtimin e tij kisha ndier zhgënjimin për sistemin, dhimbjen e një epoke.
Jean Dutzer e ka ruajtur rininë e tij, edhe pse me një zemër të brishtë tashmë. Por kjo në vend që ta trembë, e shtyn atë të shijojë çdo stinë të jetës, të flasë për dashurinë dhe femrat e bukura. Ky njeri me humor të jashtëzakonshëm, për vite me radhë pas pensionit iu kushtua ndihmës humanitare për handikapët apo për riintegrimin në jetën sociale të ish të burgosurve. Jean “shqiptari” ka mbetur po ai djalosh i ri, që sa herë mblidhet shoqata “Albania” në Paris, do ta gjesh diku mes sallës. Shqipëria për të ka mbetur e dashur dhe në momentet e saj të dhimbshme të vitit 1991 apo të vitit 1997. Fotografitë e Arbanës që do t’i dhuroj, do ta rikthejnë atë në kohën e rinisë, në dashurinë për një tokë të largët dhe të afërt, dhe keqardhjen e një lufte të kotë botërore…
"Shqip"
Add new comment