Projektligje "patriotike" për të vjelë taksën e pasurisë së shqiptarëve
Në 18 Shkurt parlamenti miratoi me 72 votat e shumicës projektligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj u prezantua nga qeveria si një nismë e Ministrisë së Brendshme dhe iu servir publikut si një ndërgjegjësim i shtetit për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve të tij që ndodhen si emigrantë jashtë vendit. Vlen shumë të kujtojmë se çfarë ka thënë ministri i Brendshëm gjatë prezantimit të këtij projektligji. “Ka ardhur koha për një kontratë të re patriotike me emigrantët”: “Shteti ka detyrë të garantojë shërbime për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë në shtëpinë e tyre. Mendojmë që borxhi që u kemi emigrantëve në mbi dy dekada, është t’u shërbejmë emigrantëve në shtëpinë e tyre. Të bëjmë regjistrimin e tyre dhe mbrapsht t’u japim shërbimet në shtëpinë që banojnë, kudo qoftë kjo. Për këtë Ministria e Brendshme ka hartuar një projektligj dhe nga janari nisim regjistrimin e banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë. Ky është detyrimi ynë patriotik për çdo shqiptar. Është një sipërmarrje që kthen pas borxhin që u kemi emigrantëve”. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=315097. Edhe kryeministri Rama ka ryajtur të njëjtën linjë, atë të kujdesit të shtetit ndaj emigrantëve. “Shqipëria, për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që ka lënë jashtë inventarit një pasuri siç janë shqiptarët jashtë atdheut. Emigrantët e dinë se çfarë kanë hequr për të marrë një certifikatë”, shtoi Rama. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=315097. Por qëllimi i vërtetë i ligjit nuk është përmirësimi i shërbimeve për emigrantët, pasi qeverinë nuk e ha shumë meraku për emigrantët dhe shërbimet që ata marrin. Shtetin shqiptar nuk e pengon asgjë të ofrojë një shërbim konsullor dinjitoz, çfarë nuk e ka bërë as në të shkuarën dhe nuk po e bën as pas miratimit të ligjit. Dhe kjo bazohet në dëshmitë e shumë emigrantëve por edhe investigimet e mediave për burokracinë dhe korrupsionin e zyrave konsullore. Qëllimin e vërtetë të ligjit e zbuloi, Ministri i Për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi gjatë prezantimit të projektligjit “Për Regjistrin e integruar të adresave dhe shtetasve” në Durrës. “Taksa e pasurisë mblidhet vetem 17% nga bashkitë, ndaj adresat mbeten mjaft të rëndësishme. Përcaktimi i një sistemi të saktë adresash do të ndihmojë në vjeljen e taksave”-ka deklaruar Çuçi. Ndërsa ministri i Brendshëm ka vijuar të njëjtën lojë se edhe ky projektligj do të lehtësojë orientimin e qytetarëve dhe do të zgjerojë kapacitetet për t’i shërbyer qytetarëve.
Add new comment