Për një lexim të vëmendshëm të raporteve të ndërkombëtarëve për ekonominë
Problemet me rendin dhe reforma në drejtësi janë sfida tejet të rëndësishme për qeverisjen tonë publike. Por pa hequr asnjë presje nga rëndësia e tyre, sfida me administrimin e pronës publike dhe të parave të taksapaguesve sot rrezikon të dalë në plan të dytë, madje disi edhe po anashkalohet, pavarësisht se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e saj. Është e stërkonsumuar në qindra artikuj shprehja “It’s the Economy, stupid (Është ekonomia, o budalla!)” e këshilltarit Xhejms Karvil të Presidentit Bill Klinton në fushatën e suksesshme presidenciale të vitit 1992. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë me ne dhe për këtë duhet të jemi të gjithë syçelët dhe në pozita përgjegjshmërie: Kuvendi, qeveria, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile. Mjafton të kujtojmë shqetësimin e ngritur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili, në raportin e tij për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2015, publikuar në prill 2016, thekson se: “Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga ana e zyrtarëve, por qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive dhe shpesh zyrtarët angazhohen në praktika korruptive pa u ndëshkuar … Korrupsioni është i përhapur në të gjitha strukturat e qeverisë” (faqe 16, paragrafi i dytë). Ky cilësim i Departamentit Amerikan të Shtetit duhet të përbëjë për ne, politikanët dhe zyrtarët e lartë, një kambanë të fortë alarmi. Po bëjmë fare pak për ta luftuar me efektshmëri korrupsionin dhe të gjithë ne, drejtuesit e institucioneve shtetërore jemi shumë larg nga pritshmëritë e qytetarëve. Duhet ta pranojmë këtë fakt dhe realitet të hidhur për ne: jemi dobët me luftën efektive ndaj korrupsionit. Këtë fakt të pamohueshëm na e përmendin si Departamenti Amerikan i Shtetit ashtu dhe Bashkimi Europian, nëpërmjet progres-raporteve të tij për Shqipërinë. Për të avancuar në këtë luftë, dy veprime në dukje të thjeshta mund të jenë përcaktuese në vullnetin politik për ta kufizuar në burim korrupsionin.
Së pari, është thelbësore për të pasur një administratë të përgjegjshme shtetërore, që për rastet e dëmtimit të dukshëm të interesave të pronës publike dhe humbjes së konsiderueshme të të ardhurave të pritshme për buxhetin e shtetit, zyrtarët më të lartë dhe nëpunësit shtetërorë që e kanë shkaktuar këtë dëm apo humbje të mbajnë përgjegjësi materialisht (sa më lart të jenë në pozicioni hierarkike, aq më shumë duhet të përgjigjen). Për të tretin vit radhazi, si KLSH, në Raportin për Zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit, kemi rekomanduar hartimin e një ligji që të trajtojë në mënyrë të plotë rastet e përgjegjësive materiale të të punësuarve në sektorin shtetëror. Bëhet fjalë për ligjin për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik. Nuk kemi asnjë veprim në këtë drejtim, ndërkohë që jam i bindur se do të ndryshonte katërcipërisht situata sapo ky ligj të miratohej. Kjo, për arsye se gjithkush që mban një detyrë shtetërore do të mendohej dhjetë herë, përpara se sa me vetëdije të plotë t’i hynte abuzimit dhe korrupsionit me detyrën, dhe nuk do të firmosnin zyrtarë të mesëm në komisionet e vlerësimit të ofertave (KVO). Deri tani, janë shumë ndër të korruptuarit dhe abuzuesit me pronën shtetërore që kryejnë abuzimin, marrin parasysh edhe kallëzimin penal, madje edhe përballjen me prokurorinë dhe me gjykatë, sepse mendojnë të investojnë një pjesë të parave të përfituara padrejtësisht dhe që i përkasin buxhetit të shtetit, për të blerë prokurorë e gjykatës, pra edhe lirinë e tyre. Në ndihmë u vijnë shembuj jo të paktë të realitetit shqiptar, të mbushur me kësi lloj lidhjesh okulte dhe mafioze. Do të jetë një situatë krejt tjetër, nëse, për pasojë të abuzimit dhe dëmtimit të provuar të pronës shtetërore, këta funksionarë (sidomos ata të lartë në piramidën shtetërore) abuzues apo të korruptuar, të vihen përpara përgjegjësisë së dëmshpërblimit material, duke paguar tërësisht apo një pjesë të dëmit të shkaktuar, qoftë edhe nëpërmjet konfiskimit të pasurisë vetjake. Nga kjo, jo vetëm që shtytja për abuzim dhe korrupsion dëmtohet rëndë, por rritet në progresion gjeometrik përgjegjësia e nëpunësve shtetërorë karshi detyrës që kryejnë. Rastet e zhdëmtimit të pronës publike nga dëmi prej abuzimeve të drejtuesve të lartë do të dekurajojnë ndjeshëm gjithsecilin që sot e sheh administratën publike si një hapësirë për të abuzuar dhe për të kryer korrupsion.
Së dyti, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin e tij të vitit 2015 flet hapur për mosndëshkimin e zyrtarëve publikë që angazhohen në praktika korruptive. Si KLSH vërejmë me keqardhje se në vend është instaluar pikërisht antikultura e mosndëshkimit ndaj akteve korruptive. Gjatë periudhës janar 2012-dhjetor 2015, si institucioni suprem shtetëror i kontrollit të mënyrës se si menaxhohen fondet dhe prona shtetërore, jo vetëm kemi kryer 170 kallëzime penale ose mbi 3 herë më tepër se katër vitet e mëparshme 2008-2011, për punonjësit që kanë abuzuar me pronën dhe me fondet publike, duke kallëzuar 527 punonjës deri në nivelin ministër, sekretar i përgjithshëm në ministri, drejtor i përgjithshëm etj., por njëherazi kemi rekomanduar dhe largimin e menjëhershëm të tyre nga detyra. Mosveprimi i qeverisë për rastet e zyrtarëve të lartë të shtetit, të kapur në abuzim me pronën shtetërore dhe të denoncuar prej nesh pranë Prokurorisë së Shtetit, duke mos i larguar ata nga detyra apo nga shërbimi civil, për fat të keq ushqen përditë këtë antikulturë të mosndëshkimit, të vërejtur dhe nga DASH. Ky mosveprim ka përbërë qartazi dhe një presion ndaj prokurorëve që kanë hetuar dosjet dhe rastet e sjella nga KLSH.
Ndjekja sistematike e zbatimit të rekomandimeve të KLSH ka qenë një shqetësim i përhershëm i Bashkimit Europian, i shprehur me forcë edhe në të dy progres-raportet e fundit për Shqipërinë të viteve 2014 dhe 2015. Në progresin-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë të vitit 2015, në faqen 73, fragmenti i pestë (Kapitulli 32: “Kontrolli Financiar”), Bashkimi Europian vëren se: ”… ndjekja sistematike e rekomandimeve të KLSH ka nevojë të fuqizohet. Raporti vjetor i auditimeve të KLSH drejtuar Parlamentit diskutohet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, por sërish nuk ka ndjekje sistematike parlamentare”.
Edhe pse gjatë vitit 2015, si KLSH kemi gjetur mirëkuptim dhe kemi marrë mbështetjen e duhur nga Komisioni i Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, do të kërkojmë nga Kuvendi të ushtrojë ndikimin e tij mbi qeverinë, duke e bërë të pranishme pranë komisioneve të Kuvendit listën katërvjeçare të zyrtarëve të lartë të denoncuar nga KLSH për abuzim e korrupsion, që ende mbahen në detyrat e tyre në administratën shtetërore, por edhe vetë Kuvendi duhet të marrë nisma konkrete.
Lufta efektive ndaj korrupsionit shkon në një linjë me rritjen e përgjegjshmërisë së administrimit publik dhe financave publike. Një kambanë tjetër e fortë alarmi që kërkon këtë rritje përgjegjshmërie është padyshim raporti “Country Report” Nr. 16/5 i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Vlerësimin e Transparencës Fiskale në Shqipëri, i janarit 2016. FMN-ja në këtë raport jep një pasqyrë të financave publike dhe menaxhimit fiskal te ne, të cilën duhet ta lexojmë si duhet dhe të reflektojmë të gjithë. Ende tërheqjet e vëmendjes së FMN për risqet e rritura fiskale të vendit nuk janë marrë parasysh sa duhet. Ekspertët e Fondit ngrenë shqetësimin në raport se gjatë dekadës së fundit, buxhetet e qeverisë kanë parashikuar të ardhura mesatare të mbivlerësuara me 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto ose mbi 180 milionë euro. Një mbivlerësim i tillë na ka detyruar gjatë 8 viteve të fundit të rishikojmë buxhetin në mes apo edhe në fund të vitit, duke humbur ndjeshëm besimin ndaj tij. Buxheti i vitit 2016 është disi më realist se ai i dy viteve 2014 dhe 2015, por paralajmërimet e FMN për risqet e rritura fiskale në proceset e dhënies me koncesion dhe me partneritete publik-privat të pronës publike ose shërbimeve ndaj publikut, nuk janë marrë parasysh. Mjafton të kujtojmë një koncesion të kontraktuar dhe menaxhuar keq, ai i shfrytëzimit të naftës së bazenit Patos-Marinzë, vendburimit kryesor që kemi. Pas auditimit në Albpetrol dhe në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), si KLSH kërkuam që detyrimet e paarkëtuara në buxhetin e shtetit, në formën e taksave të papaguara nga ana e koncesionarit (deri në nivelin e 200 milionë dollarëve), të arkëtohen sa më shpejt. Administrata jonë tatimore veproi drejt, duke i kërkuar kompanisë së huaj koncesionare pagimin e 57 milionë dollarëve në buxhetin e shtetit shqiptar, si detyrim i dalë nga rëndimi i pabazuar dhe artificial i shpenzimeve prodhuese nga ana e koncesionarit, duke nxjerrë Faktorin “R” (raportin midis të ardhurave dhe shpenzimeve prodhuese) më të vogël se 1 për vitin 2011. Deduksioni i administratës tatimore duke e konsideruar këtë raport më të madh se 1 dhe se rrjedhimisht koncesionari kishte kryer kështu evazion fiskal, ishte i saktë. Ne si KLSH presim që administrata jonë tatimore të prononcohet edhe për vitet 2009 dhe 2010, si dhe për një pjesë të mirë të vitit 2012, kohë kur çmimet e naftës bruto në tregjet ndërkombëtare kanë qenë të larta në shifra rekord. Duke vlerësuar më shumë vëmendje raportin të ardhura me shpenzime prodhuese, audituesit tanë janë të bindur se sërish Faktori “R” rezulton më i madh se 1 edhe për këto vite. Pavarësisht se tani koncesioni i përdorimit të vendburimit Patos-Marinzë ka kaluar në pronësi të një kompanie tjetër të huaj, gjykojmë se detyrimi ndaj shtetit shqiptar duhet paguar i plotë nga kompania e mëparshme, e cila ishte e regjistruar në disa nga ishujt parajsa fiskale apo edhe nga kompania blerëse e huaj. Detyrimet fiskale të pashlyera, të cilat koncesionarët i kanë shtetit shqiptar, mund të shkojnë në miliona e qindra miliona euro (sikurse është rasti i koncesionarit të naftës në Patos-Marinzë) dhe është e domosdoshme që ato të rregullohen më mirë me ligj. Mendojmë se është e rëndësishme të fiksohet fort me ligj apo me vendim qeverie të veçantë që këto detyrime duhen shlyer, sa herë ndërrohet pronësia e koncesioneve të dhëna apo e shërbimeve të siguruara nga partneritetet publik-privat. Asnjë kalim pronësie në koncesionet dhe partneritetet e shtetit shqiptar nuk duhet njohur ose lejuar, këtej e tutje, pa u siguruar që është kryer pagesa e detyrimeve që koncesionari apo partneri i mëparshëm i ka buxhetit tonë të shtetit.
Kjo dukuri, nën dritën edhe të fakteve të dala nga shpërthimi i skandalit “Panama Papers”, duhet të shtyjë qeverinë tonë të shikojë mundësitë që në dokumentet e prokurimeve publike për privatizime, koncesione dhe partneritete publik-privat të përfshihet një klauzolë që të vështirësojë pjesëmarrjen e kompanive fantazma apo kompanive thjesht sekserë, të cilat janë të regjistruara në parajsat fiskale. Eksperienca e deritanishme ka treguar se shumë koncesione u janë dhënë kompanive pa ekspertizën dhe kapitalin e duhur, të cilat ose i kanë vonuar, ose në shumicën e rasteve, nuk kanë kryer investimet prodhuese të parashikuara në kontratë, në pasuritë publike, sidomos në burimet natyrore të vendit tonë, të cilat i kanë marrë me koncesion. Rezultati ka qenë, krahas shfrytëzimit pa kriter të tyre, edhe përkeqësimi i gjendjes së këtyre burimeve natyrore deri në shkatërrim të plotë. Po ashtu, si KLSH gjykojmë se kalimi i pronës apo shërbimit publik të dhënë me koncesion duhet të kryhet pasi pozicioni financiar i koncesionarit apo partnerit të mëparshëm të jetë qartësuar përfundimisht, ndoshta edhe nëpërmjet një deklarate sqaruese apo vërtetuese në lidhje me këtë, nga ana e strukturës përgjegjëse të shtetit shqiptar (Ministrisë së Financave apo ministrisë së linjës), duke e plotësuar Ligjin Nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Nuk mund të lejohet më që një kompani koncesionare, qoftë kjo dhe e huaj, pasi ka përdorur lejen e dhënë dhe ka krijuar pasuri të regjistruara në parajsa fiskale duke shfrytëzuar vendburimet natyrore të Shqipërisë, t’i shmanget detyrimeve ndaj shtetit shqiptar, duke ia shitur koncesionin në momentin e fundit një kompanie tjetër. Në lojë janë me dhjetëra, në mos qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë dhe për këtë Kuvendi duhet të diskutojë një ditë, një javë e pse jo, edhe një muaj. Drejtoritë juridike në ministritë e linjës duhet të punojnë urgjentisht për këtë. Duke theksuar domosdoshmërinë e të vepruarit sa më sipër, nuk përjashtoj nga përgjegjësia për veprim jo të shpejtë edhe vetë institucionin që drejtoj, Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Konstatojmë me shqetësim se edhe me miratimin e ligjit të ri për koncesionet dhe partneritetet publik-privat me Nr. 77/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 125/2013 ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, të ndryshuar'”, mungon oponenca reale ndaj zgjedhjes, përgatitjes së procedurave dhe dhënies së koncesionit apo partneritetit publik-privat. Komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat që ky ligj krijon me nenin 18 të tij dhe që praktikisht jep koncesionin apo partneritetin, duke miratuar studimin e fizibilitetit, është krejtësisht në varësi të ministrit të linjës. Gjykojmë se vlerësimi dhe oponenca për koncesionet dhe partneritetet publik-privat që jepen për një periudhë më shumë se një mandat qeverisës, duhet të jenë tagër i Kuvendit, nëpërmjet një strukture që caktohet, varet dhe i raporton atij, ku të jenë të përfshirë përfaqësues nga shoqëria civile dhe akademikë të fushës përkatëse.
Presidenti amerikan, Teodor Ruzvelt, kur i referohej të korruptuarit në administratën publike, cilësonte se “një njeri me pak klasë shkollë mund të të vjedhë një vagon mallrash, por në qoftë se ai ka arsim universitar, të vjedh tërë hekurudhën”.
Qeveria duhet të shikojë mirë, mbështetur në konkluzionet e vrojtimeve dhe studimeve të FMN, Bankës Botërore dhe USAID, raportin kosto-përfitim nga koncesionet e deritanishme apo dhe nga partneritetet publik-privat që synon të japë në të ardhmen. Kur këto marrëveshje nënshkruhen mbështetur në të gjitha rregullat dhe praktikat e mira ndërkombëtare, si dhe në një parashikim real të raportit kosto-përfitim, ato janë më shumë se të mirëpritura dhe i bëjnë shumë mirë ekonomisë sonë publike e private, por duke i monitoruar vazhdimisht dhe duke mos lejuar asnjë devijim të tyre nga kushtet dhe detyrimet e rëna dakord dhe të sigluara në Marrëveshje. Gjykojmë se ka vend për përmirësim si të procesit të kryerjes së studimit paraprak të leverdisë për nisma të tilla, kryerjes së tenderimit përkatës, ashtu edhe të ndjekjes e monitorimit hap pas hapi të realizimit të koncesionit apo partneritetit publik-privat.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ngre alarmin edhe për një rrezik të ri të shtuar për buxhetin e shtetit nga krijimi i një borxhi të ri nga ana e pushtetit vendor, nga bashkitë. Në raportin e FMN-së që do t’i kalohet për shqyrtim bordit ekzekutiv të tij, cilësohet se deri në mesin e vitit 2015, borxhet e bashkive zinin 0,6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit ose 56 milionë euro. FMN rekomandon që qeveria t’i kërkojë pushtetit vendor hartimin e planeve për mbledhjen e borxheve bashkiake dhe rishikimin e ligjit të financimit për njësitë vendore. Në këto tri vitet e fundit, në shumicën e auditimeve tona në njësitë e qeverisjes vendore, si KLSH kemi evidentuar rrezikun e borxheve të akumuluara të bashkive dhe komunave, si dhe të borxheve të ndërmarrjeve të ujësjellësve, duke i trajtuar me përgjegjshmëri këto dukuri dhe dhënë rekomandimet e duhura për shlyerjen e borxheve. Deri tani konstatojmë se është bërë shumë pak nga pushteti vendor për të zbatuar rekomandimet tona në këtë fushë. Sot më shumë se kurrë ka ardhur koha që këto rekomandime të dëgjohen dhe zbatohen, sepse krahas detyrimeve të rënda të 61 kryebashkiakëve në lidhje me problematikat e mbartura të njësive vendore që trashëguan, programet e ardhshme ambicioze të partneriteteve publik-privat dhe në nivelin e bashkive të vendit, mbartin rrezikun e krijimit të detyrimeve akoma dhe më të mëdha nga këto partneritete në buxhetin e tyre, dhe për pasojë, edhe në buxhetin e shtetit.
Si KLSH, gjykojmë se ka ardhur koha që raportet dhe sinjalet e partnerëve ndërkombëtarë të mos i lexojmë vetëm me syze interesash afatshkurtra politike, por të marrim qartazi detyrat konkrete që na shtrohen përpara si për legjislativin dhe Kuvendin, ashtu dhe për qeverinë dhe institucionet kushtetuese të pavarura. Strategjia “Për menaxhimin e financave publike 2014-2020”, e përgatitur nga Ministria e Financave, me ndihmën e ekspertëve të Bashkimit Europian dhe tashmë në vitin e tretë të zbatimit të saj, kërkon kontributin e të gjithëve. Sikurse e kam theksuar në Kuvend në nëntor 2015, me rastin e paraqitjes së raportit të KLSH për zbatimin e buxhetit të konsoliduar të shtetit për vitin 2014, për implementimin me sukses të kësaj strategjie duhet ta ndiejmë veten të gjithë përgjegjës (Kuvendi, qeveria, KLSH dhe institucionet e tjera kushtetuese të pavarura), dhe jo vetëm Ministria i Financave apo ministri i Financave.
Secili nga institucionet tona duhet të kryejë detyrën e tij dhe ta luftojmë korrupsionin aty ku ai paraqitet më i sofistikuar, galopant dhe i rrezikshëm: korrupsioni i kthyer në sistem në tenderët publikë, në dhënien e koncesioneve apo partneriteteve publik-privat.
*Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)
"Shqip"
Add new comment