Sa thellë ka hyrë injoranca...

Postuar në 16 Shkurt, 2016 14:35
Prof. dr. Anesti Postoli

Nuk besoj të ekzistojë qytetar në vendin tonë që të mos ketë dëgjuar për një nga aktet e fundit të tragji-komedisë shqiptare që bën fjalë për “testimin e mjekëve dhe mësuesve”. Shumëkush pavarësisht nga niveli i arsimimit, mund të pyesë ç’është ky testim, përse bëhet, ç’e detyron qeverinë të ndërmarrë nisma të tilla që krijojnë tensione dhe rrisin pakënaqësinë në shtresa të caktuara të popullit dhe së fundi përse duhen testuar vetëm mjekët dhe mësuesit?

Natyrisht zyrtarët e lartë të shëndetësisë dhe të arsimit e kanë sqaruar se testimi është një provim që ka për qëllim të verifikojë aftësinë profesionale të mjekëve dhe mësuesve pra, të ndajë “grurin nga egjra”, d.m.th. mjekët dhe mësuesit që e njohin si duhet zanatin e tyre dhe përditësohen me të rejat në fushat përkatëse nga mjekët dhe mësuesit që jo vetëm nuk ndjekin zhvillimet e reja në fushat e tyre por çka është më skandaloze, nuk zotërojnë as bazat e domosdoshme të zanatit që i mban me bukë.

Por kush e ka konstatuar dukurinë që në vendin tonë ka mjekë dhe mësues të tillë? Shëndetësia dhe arsimi janë nën vëzhgimin kapilar të të gjithë qytetarëve, dhe nuk është vështirë të konstatosh se jo rrallë nga kompetenca profesionale dhe mënyra se si sillet me pacientin, mjeku i familjes le shumë për të dëshiruar, se në urgjencat tona nuk ta var njeri; por edhe nga paaftësia profesionale, se në spitale jo vetëm nuk ka ilaçe, age apo mjete të tjera të nevojës së parë, por as çarçafë e batanie, se atje mund të humbësh jetën pa shumë vështirësi edhe në operacione tashmë të rutinës si apendisit apo heqie bajamesh për shkak të gabimeve trashanike të mjekëve, se të sëmurët e onkologjikut për t’i shtuar pak vite jete vetes së tyre duhet t’i blejnë ilaçet jashtë spitalit si frëngu pulën etj, etj. Po kështu nuk është e vështirë të konstatosh që jo rrallë fëmijët që përfundojnë shkollën fillore nuk njohin gërmat e alfabetit, se ata që mbarojnë 9-vjeçaren nuk zotërojnë si duhet tabelën e shumëzimit, se ka maturantë që megjithë nivelin jo të keq të programeve mësimore, në testimet ku kanë marrë pjesë karakterizohen si analfabetë funksionalë etj.

Dhe këto fakte i dinë jo vetëm autoritetet shtetërore të profilit, por edhe njerëzit e thjeshtë, prindërit, të afërmit, shokët dhe vetë nxënësit.

Në mënyrë të natyrshme lind pyetja: vallë vetëm në radhët e mjekëve dhe mësuesve ka mediokritet, vetëm në këto dy fusha është përzjerë mjelli me krundet në vendin tonë? Sigurisht që jo! Në këto dy fusha kjo e keqe konstatohet më lehtë e më shpejt, por, jo rrallë konstatojmë qoftë edhe pa dashur se tek ne ka rrugë, ura apo tunele që ndërtohen me bujë e shpenzime të mëdha e pas një viti rrëshqasin, asfalte që shtrohen dhe pas disa muajsh çahen e shndërrohen në gropa, produkte bujqësore e blegtorale që kthehen nga eksporti për mungesë cilësie e certifikimi, pasiguri furnizimi, por edhe sanitare në ujin që pijmë, në miellin me të cilin bëjmë bukën në mishin që konsumojmë, miniera të shpartalluara ku përditë rezikohet jeta e punëtorëve etj etj.

Duke mos mohuar peshën e arsyeve objektive që ndikojnë në shfaqjen e këtyre dukurive, pa më të voglën mëdyshje kontribut të madh në sensin negativ ka këtu edhe niveli i formimit të një pjese jo të vogël të specialistëve të përgatitur nga universitetet tona në fushat përkatëse.

Pra për të qënë të drejtë dhe objektivë duhen seleksionuar e pastruar nga “krundet” jo vetëm mjekët dhe mësuesit, por edhe inxhinierët, agronomët, kimistët, veterinerët, ekonomistët, juristët bile edhe profesorët universitarë që kanë diplomuar të gjithë këtë shpurë specialistësh të lartë, sepse midis tyre sikurse tek mjekët dhe mësuesit ka sa të duash të pa aftë që e “prishin cilësinë e bukës” që ata gatuajnë në çdo fushë.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se testimi pa kriter i të “gjithë” mjekëve apo mësuesve duke përfshirë edhe ata me përvojë të cilët për vite të tëra pune cilësore e me pasion kanë qëndruar në bazën e mbijetesës së këtij populli, sikurse vemë re në praktikën e përditshme, jo vetëm prek pa të drejtë sedrën profesionale të tyre, por edhe e bën këtë proces sa të pavlerë aq edhe qesharak.

Prandaj problemi mendoj se duhet parë në të gjithë gjërësinë e tij, duhen kuptuar në esencë shkaqet e këtyre dukurive që pastaj, nëse do të jetë e mundur, të nxirren mësime për të arrirë në rrënjët e të keqes, gjë që mund të bëhet duke analizuar shumë më thellë faktet që përmendëm më lart.

Kështu, ndërsa ligjërisht kërkohet që mjekët, infermierët, mësuesit, por edhe inxhinierët, agronomët, ekonomistët, juristët, sociologët etj të jenë me arsim të lartë të profileve përkatëse e të merren në punë mbi bazë konkursesh e kërkesash të caktuara; faktikisht, për shkak të ndërhyrjes brutale të politikës, realiteti është kaq i deformuar, infektuar e gangrenizuar sa është e pamundur ta kuptosh si ka mundësi që në postet drejtuese të dikastereve të fushave të ndryshme, por edhe në krye të departamenteve respektive të partive politike të vendosen specialistë të rëndomtë që mezi kanë mbaruar shkollat apo jashtë profileve përkatëse, gjë që pastaj degradon totalisht deri sa gjejmë ministër të shëndetësisë një njeri që s’ka mbaruar për mjekësi, të ndërtimit një specialist të anglishtes, etj. Apo në shkolla ku mësuesi i fizkulturës jep edhe letërsi, ai i gjeografisë matematikë, apo më keq akoma kur drejtor i ndërmarrjes së pyjeve vendoset një mjek apo berber, drejtor spitali apo materniteti një ekonomist e plot mysybete të tjera si këto!

Le të analizojmë më poshtë arsyet që sipas mendimit tim bëjnë të mundur që në radhët e specialistëve të lartë të çdo profili të ketë paaftësi dhe mediokritet.

1-Arsyeja e parë e uljes së padëgjuar të cilësisë së kuadrove që formohen në universitetet tona është i ashtuquajturi “masivizim” i shkollës së lartë, pasojë kjo e politikës së “dyerve të shqyera” që qeveria e Sali Berishës inicioi dhe ndoqi për shumë vjet në arsimin tonë të lartë, praktikë e cila me pak ndryshime vazhdon edhe sot. Për të realizuar disa parametra formalë lidhur me “përqindjen e studentave për një mijë banorë” e për t’i bërë ato të krahasueshme me ato të vendeve të zhvilluara, u krijuan në mënyrë kaotike dhe jashtë çdo kërkese reale për cilësi universitete të reja publike dhe private ku u futën shumica e maturantëve që mbarojnë shkollën e mesme. Kjo dukuri mori aspekte me të vërtetë monstruoze në programet e studimit të konsideruara të pa preferuara por të domosdoshme për vendin ku gati të gjithë studentët e pranuar vijnë me një mesatare të shkollës së mesme të papranueshme për studime të nivelit universitar, pra me mesatare pesë e më rrallë gjashtë.

2-Moskoordinimi i rritjes pa kufi të numrit të studentëve me kapacitetet e trupës pedagogjike të kualifikuar e me përvojë. Duke zbatuar në mënyrë shabllone kërkesat formale të sigurimeve shoqërore nga njëra anë, u larguan nga universitetet profesorët e vjetër cilësorë e me përvojë duke ja ”shitur” ata universiteteve private, gjë që nuk lejoi në shkollën publike një pasardhje normale brezash sikurse ndodh kudo në botën e zhvilluar. Nga ana tjetër, rekrutimi i pedagogëve rinj u bë mbi baza partiake, krahinore e farefisnore duke hasur sot departamente, degë studimi, fakultete bile edhe universitete private, por edhe publike familjare ku babai rektor, dekan, shef departamenti, merr në punë si pedagog në fakultetin e tij gruan, djalin, vajzën, nipin, mbesën apo një të afërm të tillë të eprorit, mikut…

3-Të njëjtin trend formal ndoqi edhe kualifikimi i trupës së re pedagogjike të rekrutuar duke aritur që sot të kemi më shumë profesorë, më pak asistent profesorë, fare pak doktorë shkencash dhe ekstremisht pak asistentë të thjeshtë pa titull sepse këta të fundit që fillimisht angazhohen në punë si të tillë për pesë gjashtë vjet i marin pa vështirësi të gjitha titujt dhe gradat shkencore. Dhe në këtë pikë mund të konstatosh në vëndin tonë paradoksin që ndërsa numuri i profesorëve dhe doktorëve ritet pandërprerë, ekonomia dhe sektorët e tjerë të aktivitetit njerëzor nuk avancojnë aspak me të njëjtin ritëm përkundrazi jo rallë ka dhe regres.

4-Mospërputhja e numrit të studentëve me kapacitet e laboratorëve e paisjeve në fakultete si dhe reduktimi në ekstrem i mundësive për kryerjen e praktikave në terren për mungesë fondesh dhe vëndesh pune ndikoi ekstremisht për keq në formimin e studentave sidomos në profilet aplikative ku praktika është një përbërëse tepër esencjale e formimit të tyre.

5-Diplomimi në numër të madh i specialistëve të rinj në degë të ndryshme pa marë parasysh nevojat e tregut të punës demotivoi sakrificat e familjeve për t’i mbajtur fëmijët në shkollë të lartë dhe përpjekjet e studentëve për të mësuar mbasi mundësia për tu punësuar mbas mbarimit të shkollës së lartë u zvogëlua tepër. Kjo është arsyeja përse sot nuk e ke problem të gjesh rëndom taksistë me juridik apo ekonomik, kamarjerë me diplomë inxhinieri apo agronomi, mekanikë roje nate në spitale apo magazinierë me diplomë menaxheri sociologu apo mësuesi, agronomë inxhinierë pyjesh apo edhe arsimtarë të shndruar në punonjës të lartë policie mbas një kursi një vjeçar etj.

6-Mbushja e vendit me kuadro të tilla të pa afta të cilët për të mbuluar mangësitë në formim kultivojnë në formën e një reaksioni zinxhir korrupsionin, mitmarrjen, nepotizmin,etj, të cilat nga njëra anë pengojnë zhvillimin e vëndit ndërsa nga ana tjetër krijojnë premisa që situata të përkeqësohet nga viti në vit.

Duhet ta kuptojmë të gjithë se testimi i mjekëve, infermierëve dhe mësuesve që kërkohet të bëhet sot nuk është gjë tjetër veç se sinjali i parë që konfirmon gjendjen e mjerueshme që ka sot arsimi ynë i lartë i cili në mënyrë të pa ndërprerë i jep vëndit një produkt të bollshëm por jo cilësor që më shumë pengon se sa sjell zhvillim.

Së fundi mendoj se për shkak të korrupsionit, kameleonizmit dhe arrogancës së të diplomuarve pa meritë, me masa iluzore sikurse janë testimet që shteti përpiqet të ndërmarë sot, nuk mund të arihet shëndoshja e situatës. Shërimi i kësaj sëmundjeje mendoj unë do të kërkojë masa “drastike” e “të dhimbshme”si mosnjohje diplomash, nbyllje programesh studimi etj, të cilat zor se mund të ndërmerren nga ndonjë qeveri sepse ato si regull shoqërohen me konflikte të rënda shoqërore, humbje të mëdha fondesh e mbi të gjitha kohë shumë të gjatë mbasi efekti i punës së mirë apo të keqe në të gjitha nivelet e shkollës është gjithmonë çështje gjeneratash.

"Dita"

Comments

Submitted by Profesori (not verified) on

Ke shume e shume te drejte i nderuar Profesor.
Me te ashtuquajturit universitete private, eshte njesoj si shkolla e larte e plepave.
Te dyja keto, nxirrnin vetem KUNJA SHKREPSESH.
Ju e dini shume mire, kunji i shkrepses, ka vetem nji funksion, bile, edhe kur ndizen ndonjehere, jane vetem nje perdorimsh.
Kane marre me qafe nje popull te tere. Ky eshte krim me vehte.
Ju pershendes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.